Albspirit

Media/News/Publishing

Zana Tako: Ajo donte të ishte e lumtur

Ecte me hapa të vegjël dhe të kujdesshëm në kalldrëmin e rrugës e cila zgjerohej pranë qendrës. Zemërimi nuk i ndahej, ishte si një njollë në rrobë të pastër, e ajo shëtitje në orë disi të vonë do ta shplodhte, do ta qetësonte disi.

Mori djathtas e nisi të vështronte nga dyqanet buzë rrugës. Sytë i kishte paksa të fryrë e të skuqur nga lotët. Kundroi veten përballë një vitrine. Flokët nuk i kishte mbledhur siç duhej!

U rregullua pak, shpupurisi baluken duke e hedhur pak mënjanë, por përsëri e pakënaqur me veten vazhdoi rrugën. Futi duart në xhepat e palltos së ngrohtë, e duke psherëtirë thellë vazhdoi rrugën. Mbrëmja ishte e freskët. Dritat e rrugës me ngjyrë të ngrohtë i jepnin hijeshi mbrëmjes. Gjithçka kishte ajo natë, përveç ngrohtësisë së shpirtit, i cili ishte tronditur si asnjëherë më parë.

Vendimet janë të rëndësishme në jetë. Rëndesa e tyre matet nga koha, e koha po kalonte me ngjarje të cilat rridhnin vrullshëm në jetën e saj, në jetën e gruas që e ndjen rëndesën e kohës, jo mbi supe, por brenda shpirtit, të cilin e pyeti…

Je lodhur me mua?

Po ti nga unë? – i’u përgjigj ai.

Nuk e di! – pëshpëriti lehtë, – Herë je i lehtë e herë i rëndë. Nuk di ç’të bëj me ty!

Nuk mori përgjigje. Ndjeu se kishte nevojë të zbrazej, të lirohej, por donte të qëndronte vetëm, edhe telefonin e kishte fikur.

Vazhdoi të ecte e përqëndruar. Nata ishte e qetë, pa zhurma. Dëgjohej vetëm fëshfërima e gjetheve që tundeshin lehtë nga flladi i mbrëmjes. Eh, sa i shkonte kësaj mbrëmje një shpirt i lumtur, por shpirti i saj ishte tronditur thellë. I dukej se e kishte marrë shpirtin e saj përdore, e po e shëtiste si një fëmijë që nuk bindet, por me çapkënllëqet e tij bën rrëmujë gjithçka.

E ndjen sa je rënduar? – i pëshpëriti lehtë. – Nuk të mbaj dot!

E di! – dëgjoi përgjigjen e tij.

M’i ke rënduar gjymtyrët, më ke lodhur!

Po e di!

Si do bëjmë atëherë? Nuk jetoj dot me shpirt të lodhur, të rënduar!

Më ndihmo edhe ti!

Nuk mundem, nuk kam se si! Shpirti je ti, jo unë!

Po unë jam ti, ti je unë!

Ndjeu përkëdheljen e pëshpërimës së shpirtit tek i fliste ëmbël.

Merr frymë thellë… ja, po të ndihmoj edhe unë.

Ajo u mbush me frymë disa herë duke e nxjerrë atë në qetësi. Shpirti i përsëriste… vazhdo… vazhdo… kështu qetë dhe ngadalë. Eja ulemi dhe bisedojmë pak! – e grishi ai pas atij ushtrimi.

U ul në një stol anash rrugës. Solli gjithçka në mendje, analizoi gjithçka. Memorja e saj ishte e freskët. Mund të riprodhonte pa harruar asnjë detaj. Ishte e vetëdijshme për çdo përgjigje, për çdo kundërshtim, sepse analiza e ngjarjes ishte e thellë, e shëndoshë, pa të meta, por ai… ai kundërshtonte si gjithmonë, kokëfortë e i pabindur, i ashpër dhe tragjikomik në të njejtën kohë. I dukej vetja se ndodhej në një skenë teatri, ku personazhi që kishte përballë duhej të vetësakrifikohej, por pa arsye. E vetmja arsye ishte egoja, krenaria e mashkullit në kërkim të unit shumëvjeçar, me rrënjë të ngulura thellë, por fuqia e saj për t’ia shkulur këtë rrënjë ishte e dobët, ndaj nuk e donte më atë skenë, atë shfaqje që duhej ta ripërsëriste vazhdimisht në një sallë pa spektatorë, pa duartrokitje. Skenari luhej vetëm nga ata dy personazhe, ajo dhe ai, dy forca të kundërta që përplaseshin me unin, ky monument i ngritur nga ai, por pa miratimin e saj, pa dëshirën e saj, e ajo duhej ta nderonte e ta respektonte, se e kishte ngritur ai, ditë pas dite, e ajo duhej ta përgëzonte për “mundin”, për “sakrificën” me të cilin ai kishte punuar për të duke e zbukuruar siç dinte ai, me elemente të modës së vjetër, por duke futur edhe detaje nga moda e re, e kështu, ky biçim monumenti, merrte trajtën e një dordoleci veshur me kostum e kravatë, i parfumosur, duke ecur me kokën lart, aq lart, sa rrezik të rrëzohej sa herë haste në gropa që nuk i shihte.

Po afronte mesnata, por asaj po i pëlqente të qëndronte ashtu, e përkundur nën përqafimin e mbrëmjes. Shpirti po i lehtësohej, edhe gjymtyrët i ndjente më të lehta. I’u kujtua kënga kur ishte gjimnaziste… Sa e donte atë këngë!

Filloi të këndonte lehtë. Përfytyronte veten në një skenë koncerti… Këndonin të gjithë bashkë me të… momente hareje dhe gëzimi… Shpirti e kishte marrë për dore dhe e shpinte në ato vende ku ndihej e lumtur, ku mund t’i dhuronin e të dhuronte buzëqeshje, ku përqafimet nuk paguheshin, ku dashuria fliste falas, ku mbilleshin lule shpirti, e me to thurreshin kurora për vashëza syshkruara, ku uni nuk dukej askund, dhe liria… liria e shpirtit dehte me praninë e saj…

U bë vonë! Eja, është koha të kthehemi…

Më premton diçka? – ia ktheu ajo lehtë.

Ç’të duash ti!

Lirinë!

Është e jotja!

Fjalëz shpirti, që rritesh e kthehesh brenda universit, atje ku mbillen rrënjë lirie e çelin filiza dashurie.

Bota e lirisë nuk ka dyer, as çelës për të mbyllur e për të hapur.

Uni mbante çelësin e derës së tij, por ajo nuk do të hynte më atje, ku portat mbylleshin e hapeshin prej tij.

Shpirti i saj ishte i madh, sa universi. Universi ishte shtëpia e saj, e brenda tij, ajo donte të ishte e lumtur dhe e lirë!

Please follow and like us: