Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz Radovani: KUSH MENDOI PER SHQIPNI?!

PREJ ROMET N’SHKODER…1993.

Si sot kujtoj: Janë këta dy njerëz të mëdhaj per të cilët më kanë rrigue lotët pa e kuptue pse, kur unë kam ndigjue lajmin e vdekjes së Tyne…Për Presidentin amerikan Ronald Reagan, si dhe për Papen Gjon Pali II…

Teologët e mëdhaj të Botës shpesh përsërisin një thanje: “Krishti me 12 Apostuj, ka ndryshue një Epokë”.., dhe Ajo, sot quhet Epoka mbas Krishtit!

Mbas 20 shekujsh janë prap 12 shkronja “Ronald Reagan” që kanë shpetue në Botën mbarë njerzimin nga rrenimi i pandalshëm prej komunizmit barbar, shfarosës e shkatrrimtar!

Edhe kjo quhet “Koha mbas ramjes së komunizmit…”

Ishte viti 1911, kur Shqipnia zgjohej nga gjumi i randë i robnisë turke dhe me 6 Prill 1911, i madhi Dedë Gjo Luli ngrinte Flamurin e Gjergj Kastriotit në Deçiq…

Ishte viti 1911 atëherë kur në Shtetet e Bashkueme të Amerikës, me datën 6 Shkurt, ka le një “meteor” në Tampico, Illionis, dhe askush nuk besoj se mujti me parashikue se çfarë do t’i sillte kjo foshnje mbarë njerzimit! Po shembej një perandori e madhe robnuese otomane, dhe pa i dalë ende shpirti ndër grahmat e fundit mbi germadhat e saj, mbarë Bota u çue me ndertue “selitë”e veta, me emnat e rij plot drita kandilash e vezullime shpatash, bajonetash, helmetash, spaletash e fronesh.., ku “lufta për pushtet personal” në një kohë rekord, arriti e zbuloi diktaturat ma të mnershme që ka mujtë me pa dhe me provue njerëzimi ndër 20 shekuj.

Ishte një Botë që po çthurej, sa moralisht, aq edhe mendsisht. Kujtoni sot sa dritdhanëse ishin ata shtete ku u shfaqen ato diktatura dikur, aq u errësuen e i sollën Botës terror, frikë, pasiguri, vrasje dhe gropa vorrezash të përbashkëta në tri lufta që u zhvilluen prej tyne vetem mbrenda 70 vjetësh, nga viti 1914 e deri.., kur “Muri i Berlinit” .., një nga shemtimet ma të mëdha Europjane të kohës “moderne”, ra me datën 9 Nandor 1989.

Mbas Luftës së Parë dhe asaj të Dytë Botnore, njerëzimi mburrej me “vorrezat” e miljona të vramëve që i sollën “Lirinë”, ndërsa pjesa ma e madhe e tij, bash mbi vorrezat e “dëshmorëve të Lirisë”, vendosi “diktaturën komuniste” të tipit stalinjan sovjetik. Mbas popullit rus në vitin 1917, që humbi përjetësisht madhështinë e tij, në fundin e vitit 1944 e deri në kapitulimin e Japonisë dhe mbas 1949, me triumfin e komunizmit në Kinë, pjesa ma e zhvillueme e dy kontinenteve të Europës dhe të Azisë, u rroposën në humnerën komuniste. Nën krismën e armëve të “fitores” mbi fashizmin dhe nazizmin, në Shkurt të 1945, atëherë kur Rusvelti dhe Stalini përqafoheshin tue i futë njenitjetrit ndër xhepa “copat e letrave” me emnat e shteteve që bane kurban në Jalta, “pa i pa” Çërçilli.., nuk zgjati shumë dhe filloi “Lufta e Ftohët”, e pafund, që ende sot nuk mbërrijë me kuptue këtë epitet kot, që i vuni Bota, gjoja e qytetnueme dhe e lirë! Ajo u nda në dy blloqe…

Në mes të këtyne, ishte “perdja e hekurt”, me të vërtetë “e ftohtë”, që mbështetej mbi “piramidat” kufitare të shteteve që rreshtoheshin mbas saj në dy krahët.

Sejcila anë terhiqte me tela me ferra me sigurue mos ramjen e tyne që ishte ngarkue me miljona kw. Tela me rrymë elektrike në piramidat e shemtueme të ndamjes së shteteve. 

I vetmi vend ku ndërpritej kjo “perde e hekurt” ishte “Muri i Berlinit”, një shëmtim komunist mbi të cilin valvitej “flamuri i marksizem – leninzmit stalinjan fitimtar”, që ishte simboli i “lirisë sovjetike”, me të cilin Nikita Hrushovi, renditi veten diktator “modern” mbas luftave okupuese me tanket e stampueme me drapen e çekan, që marrshuen mbi popujt heroikë të Budapestit e ma vonë të Pragës. Miljona e miljona njerëz zvarriteshin të uritun nën tanket e robnisë komuniste, që parakolonin në paradat e dhunës e të vdekjes para tribunave të diktatorëve.., në ato ditët e “festave të çlirimit”. Shqiptarët, mbasi vrasin e shfarosin njenitjetrin, shpallin edhe një luftë vëllavrasëse, me të cilen diktatori Enver Hoxha siguron përjetsisht atë kolltuk të flliqun, mbi ma shumëse 450.000 viktima të vramë, të zhdukun dhe të masakruem, ndaj të cilëve shpallë edhe “luftën e kllasave” për shfarosjen edhe të mbasardhësve të tyne.., ndoshta krejt e veçantë dhe e pashpirt si në asnjë vend tjetër komunist të Europës Lindore.

Mendja e njeriut vjen dita e ditës tue zvoglue vizionin e saj… Shpresat e Popullit sa vinin e shuheshin…zhduken si mos t’ ishin!

Presidenti Reagan ndër shfaqjet e para të Tija në TV, kujtoj një ide që pat shpjegue në lidhje me rritjen e aftësisë që ShBA, në të ardhmen, duhej të dominonin mbi BS në garën me “Luftën e yjeve”… Kuptohet që për mue ishte dishka krejt e panjohun, por më çuditi mendimi gjenial i Tij, që në opinjonin botnor ky President vinte nga skenat e filmave kaubojës.., dhe, fliste për dishka që shumë kujt i dukej një aventurë e një “artisti” ma shumë sesa projekt i një Presidenti, madje, ishte edhe i SHBA.

Vetem kur i madhi Ronald Reagan ka thanë: “Regjimet që janë mbjellë me bajonetë dhe janë kultivue  vetëm me diktaturë, nuk lëshojnë rrajë!” Atëherë filloi ngjallja e shpnesave tona!

Reagan shpalli menjëherë në programin e Tij idenë e përkryeme: “Objektivi që unë propozoj asht lehtësisht i arritshëm: Inkurajimi i infrastrukturës së demokracisë:

Sistemi i një shtypi të lirë, shoqatave, partive politike, universiteteve, të cilat do të lejojnë njerëzit me zgjedhë lirshëm rrugën e tyne”.

PAPA GJON PALI II N’ SHKODER – 25 Prill 1993.

SA MILJON NJERËZ PYESIN SOT:

Sa popuj fituen Lirinë…me 9 Nandor 1989…

Sa njerëz fituen të Drejtën me kenë “njeri”…

Sa piramida nuk lahën ma me gjak Rinije…në kërkim të Lirisë…

Sa kampe shfarosje u shpërthyen njëherë e përgjithmonë…

Sa burgje mbetën vetëm qendra muzeale vuejtjesh e mjerimi…

Sa qendra torturash nuk u lejuen ma me vazhdue shfarosjen….

Sa hetuesë mbetën pa “punë” aty ku u vendos demokracia…

Sa kriminelë mbetën pa vra njerëz për kënaqësi …

Sa familje u çveshën nga rrobat dalluese të “luftës së kllasave”…

Sa mija e mija njerëz filluen me marrë frymë lirisht…

Sa mija e mija njerëz fillue me harrue fjalën “frikë” nga sigurimi…

Sa miljon vetë nuk kanë frikë me lutë Zotin…

Sa miljon njerëz nuk janë ma të interrnuem…

Sa miljon njerëz bijnë me fjetë pa frikë se i troket dera natën…

Sa miljon njerëz filluen me kuptue fjalën “Liri”….

Sa miljon qej ujq nuk shkyejnë ma njerëz…

Sa miljon ml. tel me ferra nuk rrethojnë ma njerëzimin…

Sa miljon vetë nuk mendojnë ma veç me ngranë…

E sa klerikë nga të gjitha besimet mendojnë sot per Shqipni ?!

***

Sa miljon vetë sot adhurojnë emnin RONALD REAGAN…

Miljona e miljona vetë ndër shekuj..,  do të kujtojnë me respekt

“12 shkronjat Ronald Reagan” …Shpëtimtarin e madh të njerëzimit nga “rilindja” e komunizmit barbar e gjakatar …

Ndersa Shqipnia harroi se ku do ta qesin kjo rrugë që ndjekë edhe sot!

E ajo ma e mnershmja ”harresë” asht e ashtuquejtuna “Rilindje”!!

Rikujtoni porositë e Këtyne dy Burrave dhe shikoni ku jeni?

Sa madhshtore ishte Fjala e Papes Gjon Pali i II perballë Skenderbeut!

Kujtoni mirë porositë e Papës Gjon Pali i II per Popullin Shqiptar dhe, kurr mos harroni se Ai edhe sot vazhdon me u Lutë per Shqipni!

Urata e Tij duhet të jetë sot: E ARDHMJA E POPULLIT SHQIPTAR!

Melbourne, 12 Prill 2025.

Please follow and like us: