Prof. dr. Bardhosh Gaçe: NJË ROMAN PËR DRAMËN SHPIRTËRORE TË HUMBJES
(Shënime mbi romanin “Psherëtima e humbjes” të Bujar Skëndos, Onufri, Tiranë 2022)
Në jetën dhe kulturën që zakonisht përcjell botën e librave, ardhja në duart e lexuesit të një libri të ri është një ngjarje e mirë. Është një ngjarje për arsyen më të thjeshtë, për shkakun e një prurjeje artistike të re, një personazhi apo personazhesh të rinj, për arsyen e një ngjarjeje dhe subjekti ndryshe nga të tjerët dhe një komunikimi të ri. Çdo libër i botuar dhe vënë në dorën e lexuesit është një komunikim i ri, d.m.th. një zbulesë shumë shtresore dhe shumë fushësh. Një libër, veças në prozë, pleks disa raporte fondamentale, që zakonisht i mundëson letërsia artistike me dhe pa autorin.
Në vitin 2022, kur ende popujt e tërë kontinenteve po “çlodhnin” gjymtyrët nga stresi epik që reflektoi thellësisht ndërgjegjen dhe ekuilibrin njerëzor pandemia, prozatori Bujar Skëndo i ka afruar lexuesit shqiptar dhe prozës shqiptare një roman interesant, që për arsye të formës dhe strukturës përmbajtjesore, por dhe shumë elementëve të tjerë, është një prurje që zgjon një refleksion të imët hulumtues, kritik dhe konsideratë realiste të fushës. Romani, duke qenë njëri nga llojet më kompleks të prozës, ndërsa duket se lejon të “vraposh” pas ngjarjes apo subjektit, ngjan të jetë njëri nga llojet që ka një “inventar” skrupuloz në përdorimin e tyre, sado i perimetruar të jetë pasioni për të thënë shumë gjëra.
Bujar Skëndo është një emër i njohur në refleksionet elitare dhe shkencore në fushën e letërsisë, duke qenë një profil mjaft komunikues dhe prodhues mbi kritikën e arteve dramatike, një njohës i shkëlqyer i medies radiofonike, një komentues dhe një “editor” i rëndësishëm sqimatar dhe promovues idesh në periodikët brenda dhe jashtë vendit, një promovues i mendimit estetik mbi artin dhe letërsinë artistike në gazetën e njohur “Drita” dhe revistën e përmuajshme “Nëntori”, dy mediumet e njohura të letërsisë artistike dhe mendimit kritik në Shqipëri para dhe pas viteve ’90.
Gjithashtu ai është dhe një njohës i shkëlqyer i komunikimit të kulturave ndër vendet ballkanike, pasi për një kohë të caktuar ai ka shërbyer dhe në diplomaci, duke qenë ambasador i Shqipërisë në një vend me tradita të kulturës ballkanike dhe më gjerë, si Bullgaria dhe në shtetin e Izraelit.
Në këtë përvojë të rëndësishme jetësore, i specializuar për kritikë letrare, e cila e lidh atë me shumë fusha të dijes filologjike, psikologjike, letrare dhe të pedagogjisë së komunikimit dhe të hulumtimit, ardhja para lexuesit dhe veçmas të mendimit kritik të prozës, zhanrit të romanit, përbëjnë një vëmendje dhe një ngjarje në rastin fatlum të botimit të romanit të tij, i cili duket se lidhet posaçërisht me botën e thellë njerëzore. “Psherëtima e humbjes”, shpërfaq një sintagmë të lidhur në dy cepat e saj me kohën, njeriun, shpirtin njerëzor, me atë që në letërsinë e përbotshme, pavarësisht emërtimeve ka qenë natyra ekzistencialiste.
Romani “Psherëtima e humbjes”, ku siç shihet, që në fillim bie në sy përdorimi i një emri në njëjës “psherëtima”, për shkakun e natyrës tipizuese që autori mëton të reflektojë në të gjithë romanin e tij, është një libër mbi natyrën njerëzore, në kohë, rrethana, personazhe dhe ngjarje të ndryshme. I njëjtë përballë gjithë këtyre “reflektimesh”, marrëdhëniesh dhe konfliktesh është vetëm njeriu dhe qenësia e tij, të cilin e ekspozon ndaj këtyre, fryma ekzistenciale, vullneti i mbijetesës dhe tendenca hyjnore, e lashtë sa bota, për ta mundur humbjen, apo për ta bërë njeriun më të mirë përballë një fronti ligësish, vesesh, faktorësh të brendshëm dhe të jashtëm, që atë e sulmojnë që në ditën e parë të ardhjes në jetë. Ky raport fondamental shfaqet dhe në këtë roman, i cili është produkt i marrëdhënieve dhe strukturës së komunikimit mes njerëzve, pavarësisht lidhjeve mes tyre.
Romani “Psherëtima e humbjes”, i cili që në fjalën e parë të “përballjes” me lexuesin, ka një kumt, d.m.th. një shenjë a një konvencion, që nuk e shmang hamendësimin e lexuesit për një humbje, një diçka që ka humbur apo humb njeriu, për diçka që nuk mund të ribëhet, të rivijë dhe të rifitohet, dhe këto dilema përbëjnë një gjendje të njohur të një fryme ekzistenciale.
Bujar Skëndo e ka shkruar romanin larg atdheut të tij, larg Shqipërisë dhe Tiranës, në kontinentin e largët të përtejoqeanit, ku natyrisht “lakmia”, dëshira dhe ëndrra e njerëzve të lirë, e ka quajtur “toka e premtuar”, ndërsa ndjenja e lirisë, në kuptimin e saj universal ka qenë përherë e ngrohtë dhe e ndezur. Ndërsa autori jeton prej kohësh në Nju York, në një mjedis social, kulturë, marrëdhënie, komunikim dhe sjellje ndryshe atdheut të tij, romani mbart një shqetësim universal, një temë të mprehtë, të cilën e gjejmë që në marrëdhëniet që shoqëria e lashtë antike apo romake e kishte brenda familjes dhe në shtresimet shoqërore, e që ndër mjediset patriarkale apo dhe të kohëve të vona të familjes shqiptare mbetet një temë apo çështje e debatueshme, d.m.th. që përcjell shqetësim, kujdes dhe traditë.
Romani “Psherëtima e humbjes”, i perceptuar si një fenomen tipizues, ndryshe romancieri do të thoshte “psherëtimat e humbjes”, me ç’rast tipizimi do ta humbiste fuqinë dhe përqendrimin, është ndërtuar mbi një paralele interesante, që tematikisht duket se i ka “prodhuar” apo “produktuar” i njëjti fenomen. Dy ngjarje, në pamje të parë të zakonshme, dhe që ndodhin rëndom, njëra nga Shqipëria (Tirana) dhe tjetra në një familje shqiptare, e cila banon dhe jeton në Amerikë, që përveç lidhjes së fortë të tij me mjedisin kulturor dhe etnopsikologjik të shqiptarëve, romani merr natyrën refleksive të kohës në të cilën jeton autori, duke marrë rolin qytetar të intelektualit mbi fenomenet dhe dukuritë në familje dhe në shoqëri. Domethëniet e romanit përmes kontekstit janë të shumta, çfarë do të thotë se shqetësimi i Skëndos është qytetar, d.m.th. social.
Dy mjediset familjare, që përbëjnë dhe sfondin bazik mbi të cilët qëndron gjithë struktura komunikuese e romanit, valorizojnë një refleksion të gjerë, madje të njohur në mjediset e familjes shqiptare, për të cilët ka pasur dhe vazhdon të ketë një përmendje të vazhdueshme shkencor-psikologjik, tradicional-etik, por dhe sociale, referuar institucioneve të kujdesit familjar.
Romani “Psherëtima e humbjes” ngërthen dy ngjarje në dukje të thjeshta, që ndodhin dhe do të ndodhin, të cilat mund të tregohen me një thjeshtësi të zakonshme, por autori i romanit, shkrimtari Bujar Skëndo, na ka afruar një profil interesant; ai në mënyrën si e ka shtruar komunikimin, si dhe sa ka receptuar apo ka lënë vend për pjesën apo peshën e shkrimtarit, si dhe mjeteve që ka përdorur për t’i dhënë peshën e caktuar ngjarjes, fenomenit, mjedisit, personazheve, gjuhën dhe mjete të tjera të komunikimit.
Këndvështrimet e ngjarjeve dhe të personazheve, i kanë afruar romanit shqiptar një model të rëndësishëm, ndërsa manive të jo pak autorëve të këtij zhanri, u ka afruar një sprovë, se romani modern mund të shkruhet dhe mbi ngjarje dhe fenomene të zakonshme. Ndoshta kjo është njëra nga vlerat më të rëndësishme dhe më të hulumtueshme nga mendimi kritik dhe recensionues i romanit të autorit.
Mendoj se mbartin një interes të dukshëm zbulimi telegrafisht i dy subjekteve, ngjarjeve apo fiksionit të romanit, për të kuptuar se jeta njerëzore në të gjithë diagramin e saj është një gjë e zakonshme, atë e bëjnë diversive apo të harmonishme njerëzit: Një familje në Tiranë, një arkitekt (Pirro) dhe bashkëshortja e tij (Anita), intelektualë, të martuar, pas një martese të pasuksesshme të Pirros, vuajnë dramën e pamundësisë për të pasur fëmijë. Pirro, për të cilin thuhet se dhe me martesën e parë (një djalë i rritur në bregdetin e Adriatikut, në Durrës, romantik, lozonjar, intelektual, qytetar) është ndarë nga bashkëshortja e parë për shkakun e sterilitetit, bashkë me bashkëshorten e dytë, Anitën, vendosin të birësojnë një fëmijë nga shtëpia e fëmijës, Fredin.
Shkrimtari i lë pak vend, por tregon se familja është bërë e lumtur që në momentin kur brenda saj vjen Fredi, për të shkuarën e të cilit as Pirro dhe as Anita nuk kanë kërkuar të mësojnë më shumë. Ndoshta një frikë e prishjes së lumturisë së tyre, ku fëmija përpiqet t’i marrë tiparet e babait (Pirros) dhe të mbrohet në çdo rast në gjoksin e nënës (Anitës), bëjnë që në atë familje të jetohet vetëm e tashmja. Por ora e zezë bie; djali i birësuar, mëson në shkollë, se ai ishte i birësuar, dhe se Pirro (modeli i babait dhe burrit të ardhshëm, pra, i Fredit) nuk ishte babai i tij. Këtu thyhet miti i lumturisë së Fredit dhe i babait “për t’i ngjarë”, e cila çuditërisht kthehet në urrejtje, në një hakmarrje ndaj njeriut që e kishte birësuar dhe e kishte bërë të lumtur deri në moshën 16-17 vjeçare.
Bujar Skëndo e njeh mirë artin dramatik, ndërsa nga ky moment në mjedisin familjar të Pirros, Anitës dhe Fredit duket se luhet një dramë shekspiriane. Gjithçka është çarë thellësisht mes Pirros dhe Fredit, ndërsa Fredi vazhdon të jetojë marrëdhënien nënë e bir me Anitën, muret e urrejtjes me të atin ngrihen me shpejtësi dhe në masë katastrofale. Fredi nuk di nga i buron urrejtja, madje e konsideron veten të butë, pasi thyhet shpejt në hakmarrjen ndaj Pirros. Shpeshherë brenda tij shfaqet një duel i egër mes hakmarrjes dhe butësisë. Lidhur me ish prindërit, ata që e kishin braktisur, ai nuk gjen shumë kohë të merret me to (vetëm në ndonjë rast, kur shfaqet një lloj dhimbjeje e papërcaktuar), ku ndoshta ishte dhe burimi i hakmarrjes, ndërsa njëra nga armët me të cilën ai e sulmon babanë e lumturisë (Pirron), është ajo që në fillimin e krijimit të familjes ka qenë drama e çiftit, pra, steriliteti. Ai nuk e quan burrë Pirron.
Të gjithë atë që mund të quhet drama e Pirros, në pjesën më të madhe të romanit e zë bota meditative, një stërmundim psikologjik, ndërsa në të gjithë ngjarjet e pakta të saj, në gjithë psikologjinë e dyshimit, madje dhe ndaj bashkëshortes, pasi atë e mundon lidhja e fortë e të birit me të ëmën, ndërsa e ëma mban një indiferentizëm gati vrasës në konfliktin mes Pirros dhe Fredit, ngre krye sakrifica, beteja e Pirros më vete për të ruajtur familjen.
Ndërsa në ngjarjen tjetër: Një familje shqiptare, që jeton në Amerikë, Adriani (babai/ bashkëshorti), Vera (nëna/ bashkëshortja) dhe Mondi (i biri i një familjeje intelektuale, dhe dy motrat e tij), përfshihet në një moment të vështirë dhe të rëndë keqkuptimi. Djali i tyre, Mondi, papritur një ditë zhduket nga kontaktet me familjen e prindërve, me të cilën fundjavat i kalonte bashkë me to si një ditë feste, plot harmoni, gëzim dhe lojërat e fëmijëve të tij. Duke qenë një nga dobësitë dhe kryedashuritë e familjes, largimi apo shkëputja e kontakteve mes tyre, ikja (humbja e Mondit) në gjendjen psikologjike të Adrianit (të të atit) përthyhet si një vdekje, aq sa i ati thotë ndër të tjera “E humba djalin”, që ngjan me një kumt mortor.
Autori, gjen rastin, që në këtë ngjarje të sjellë dhe personazhe të tjerë, e natyrisht kështu duhet të ndodhë, pasi asnjë nga momentet nëpër të cilët kalon ngjarja nuk është në boshësi. Si në ngjarjen e Tiranës, dhe në këtë, ngjarja ka pak veprime, ka pak kohë fizike, d.m.th. subjekt fizik, por ngjarjet rrjedhin përmes Adrianit dhe Verës, ku dalëngadalë, të mësuarit me humbjen e djalit, i cili ishte diku, jetonte diku, punonte diku dhe në mbrëmje kthehej në familje dhe gëzohej me dy vajzat e tij, ngjarjet rrjedhin përmes fuqisë medituese, një “agresioni” psikologjik, aq sa të mësuarit me këtë humbje (humbja e djalit është tragjedi në traditën shqiptare), reflektohet në humbjen dalëngadalë të shkëlqimit të shtëpisë, të energjisë dhe freskisë së prindërve, po ashtu dhe të një lloj largësie ndaj të birit, veçmas të babit Adrian, madje ai kujtohej si një i vdekur. Ndërsa humbja e kontaktit krijonte dhimbje të vazhdueshme në shpirtin e prindërve, të cilët nuk arrinin t’ia thoshin dhimbjen njëri-tjetrit.
I vetmi kumt i të birit është se ai jeton diku, autori përpiqet të sjellë situatën, ndarjen e pa-kthim, raportet e shumta me veten, familjen, bashkëshorten dhe kohën e Mondit, e si një dëshmi e realitetit social dhe kulturologjik, shfaqet një lloj hakmarrje e tij ndaj të gjithëve (përveç vajzave) të shikuarit ftohtë dhe mos-komunikues ndaj të gjithëve, veçmas të vjehrrit të Mondit, Aristidhit, të cilin autori përveç karakterit të lig, e stigmatizon si një oktapod, ku çdo tentakulë punon vetëm për të shkaktuar drama dhe dhimbje te të tjerët. Tashmë të gjithë ishin të huaj për të, të gjithë duheshin harruar, ai nuk do të kthente më kurrë.
Autori arrin ta zbulojë mjeshtërisht, përmes triumfit të dashurisë për fëmijët, të asaj që ka ndodhur me Mondin, por në thelb kjo ka pak rëndësi në raport me shkëputjen nga familja prindërore. Ai befasisht ka rënë në kurthin e bashkëshortes, ku i duhej të zgjidhte ose t’i kishte fëmijët, ose t’i humbiste ata. Dashuria ndaj fëmijëve triumfon, ndërsa ka humbur të gjithë raportin dhe ndjesinë me të gjithë të tjerët që e rrethojnë.
Ndryshe pjesës më të madhe të letërsisë së shkruar, as në rastin e dramës së familjes në Tiranë, as dhe atë në Nju Jork, nuk ka fund të lumtur; Pirro largohet nga shtëpia përfundimisht, ndërsa Mondi nuk kthehet dhe as merr kontakt me prindërit dhe të afërmit e tij. Në të dy rastet shfaqet psikologjia dhe praktika e të huajit, një frymë e letërsisë së ekzistencializmit, e cila zë pjesën më të madhe të letërsisë novelistike të botës së perëndimit gjatë shekullit të XX dhe gjatë këtyre dekadave të shekullit tonë. Ndërsa prania e këtij fenomeni në familjen shqiptare është një element realizmi, për të cilin autori nuk heziton ta reflektojë në letërsinë artistike.
Ndryshe skematizmit tradicional, ku stereotipat e formës, përmbajtjes, skemave, ruajtja e gjërave të pacenueshme etj., romani “Psherëtima e humbjes” i ka përfshirë në një ingranazh psikologjik personazhet, veçmas të ashtu-njohurit kulmi i familjes, te kryefamiljarët, Pirro dhe Adriani. Autori e kupton mjaft mirë që refleksioni përmes tyre mbart më shumë peshë. Në romanin në fjalë karakteret zbulohen përmes meditimit, vetë- dialogëve, situatave të thella dhe të shumta psikologjike, ku përmes tyre flitet për jetën dhe vdekjen, të kaluarën dhe të sotmen, për dashurinë dhe urrejtjen, për veset dhe virtytet, për rrugëtimet dhe kthimet pas, për njerëzit, fshehtësitë dhe traditën. Gulma psikologjike që rrëmben Pirron në njërën ngjarje dhe Adrianin në tjetrën, e mbushin romanin me befasi, po aq sa mund të krijonte një subjekt i thyer dhe i fragmentuar.
Shkrimtari Bujar Skëndo nuk është ithtar i subjekteve klasike, si i tillë, dhe subjektet, nëse mund të quhet i tillë rrjedh dhe endet përmes kësaj mënyre, pra, të menduarit psikologjik dhe fuqisë medituese të njërit apo tjetrit personazh. Dhe në njërën ngjarje dhe në tjetrën, ku ngre krye psherëtima (vuajtja apo drama e thellë shpirtërore e humbjes) ka një kontekst kohor, raporti i familjes me kohën, raporti i fëmijës me familjen, çështjet e brezave, nivelet kulturologjike, aktualiteti, natyrisht i shfaqur në këto nivele, pasi raportet e tilla janë të lashtë sa bota, që në antikitet janë prodhuar drama dhe tragjedi. Ndoshta këtë më së miri autori e shfaq në roman me heqjen dorë nga “fundi i lumtur” në konflikte dhe marrëdhënie të kësaj natyre.
Mendoj se një prurje, një nga gjërat që e veçon romanin në fjalë është stili i të shkruarit. I aftë për t’i vizatuar përmes elementëve psikologjikë dhe të meditimit njerëzit, ngjarjet, situatat, karakteret, romani është shkruar me një stil modern, ku dialogët janë të brendshëm, ndërsa definicionet janë të padukshëm. Kjo mënyrë e të shkruari i ka lejuar autorit t’i zbulojë thellësisht karakteret dhe kohën.
Tiranë-Vlorë, gusht 2024.