Albspirit

Media/News/Publishing

Zaho Golemi: KANUNI DHE KUVENDET E LABËRISË

(Fjala e mbajtur në Fong Auditoriumin e Universitetit të Harvardit, online në konferencën Labëria – “The Voice of Timeless Traditions”(Labëria zëri i traditave të përjetshme) më 6.4.2025 në përvjetorin e parë të krijimit të degës së Labërisë në Boston të SHBA, me kryetare Rudina Bardhi dhe sekretar të degës Subi Çako ish-ushtarak i Forcave të Armatosura, organizimi u në mjedis universitar me ftesë të Departamentit të studimeve të Gjuhës Shqipe në Harvard).

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Shqiptarët shekujve kanë mbrojtur identitetin e vet duke ruajtur traditën, kulturën, zakonet, doket e veta të lashta. Ndër më qenësoret për të ruajtur autenticitetin dhe origjinën e vet padyshim është edhe e drejta zakonore ose kanunore. E drejta zakonore apo kanunore nuk është dukuri vetëm e shqiptarëve, sepse e drejta zakonore ekzistonte edhe te popujt tjerë ballkanikë, Europianë e më gjerë në popujt e tjerë të botës. Ligjet dhe shartet kanunore janë krijuar për të mbijetuar nga asimilimi dhe okupimet e huaja dhe për të rregulluar marrëdhëniet juridike-civile e penale në mes vetë shqiptarëve. E drejta zakonore shqiptare është krijuar gjatë shekujve dhe mijëvjeçarëve, që besohet në bazë të dhënave materiale se autoktonia e shqiptarëve daton mijëra vite më parë, duke i bartur ato rregulla në mënyrë gojore prej brezi në brez duke e ruajtur autenticitetin dhe duke pasur autorësinë në përmbajtjen e tyre, për çka këto rregulla u bënë të obligueshme dhe fituan karakterin juridik duke ju nënshtruar dhe respektuar në mënyrë besnike vetë shqiptarët. Duke krahasuar Kanunin e Maleve me Iliadën dhe Odisenë, studiuesi japonez Kazuhiko Yamamoto arriti në përfundimin se konceptet etike themelore të strukturës shoqërore pa shtet të kohërave Homerike, si besa, nderi, gjaku, hakmarrja, gjakmarrja, buka e miku janë të njëjtat doke kanunore të shoqërisë fisnore shqiptare. Referencë botërore për kanunet shqiptare kanë qenë Edith Durham, Margret Husluck, Franc Nopcsa, Kazuhiko Yamamoto etj. Në rrafshin shqiptar përmendim: Shtjefën Gjeçovi, Ismet Elezi, Aleks Buda, Gjergj Fishta, Frano Illia, Syrja Popovci, Eqrem Çabej, Frang Bardhi, Mark Tirta, David Luka, Injac Zamputi, Musa Kraja, Pëllumb Xhufi, Alfred Uçi, Ismail Kadare, Xhemil Çela, etj. Rregulli i vjetër kanunor shqiptar i mirënjohur: “Shtëpia është e Zotit dhe e mikut”, ka qenë një postulat i trashëguar shekujve.

Botimi i parë i përmbledhjes kanunore u bë në shekullin XIX. E ushtruar qëmoti në të gjitha trevat shqiptare, e drejta dokësore mori emërtime të ndryshme në varësi të trevës etnografike: e Maleve (Kanuni i Lekë Dukagjinit mbledhur nga Shtjefën Gjeçovi), e Labërisë (Kanuni i Papa Zhulit, Kanuni/Shartet e Idriz Sullit); Kanuni i Dibrës, e Kurbinit (Kanuni i Gj.K.Skënderbeut), Bendës, Lumës/Kukës, Çermenikës, Korçës, Skraparit, Çamërisë etj. Kanuni lab sikurse mjaft kanune të tjera në hapësirën shqiptare kanë luajtur një rol mjaft të rëndësishëm në jetën shoqërore shqiptare dhe është një ndër kanunet më të njohura në hapësirën shqiptare krahas atij të Lekë Dukagjinit. Në kulturën e krahinës labe, një vend të nderuar ka zënë monumenti shpirtëror i Labërisë, Kanuni i papa Zhulit, që u ndryshua më 4.4.1773 në disa sharte që u quajtën “Shartet e Idriz Sulit”, i cili përbëhej nga mjaft ligje popullore të pashkruara, por që ishin praktikuar gjerësisht në jetën e banorëve të mbarë Labërisë. Kanuni i Labërisë u mblodh në një libër nga studiuesi i apasionuar Profesori 105 vjeçar Ismet Elezi, libër që është paraprirë nga “E drejta zakonore labe”. Në burimet e normave kanunore është një fakt i njohur se krijuesi i normave të Kanunit është vetë populli i Labërisë me mençurinë e tij. Ato pasqyrojnë botën  shpirtërore të tij të përcaktuar nga kushtet materiale të jetesës. Nevojat historike, shoqërore, ekonomike, jetësore të njerëzve kanë diktuar vendosjen e normave, zakoneve, rregullave të sjelljes në mes tyre, bazuar në parimet e larta të moralit. Zakonet kanë luajtur rol parësor në formacionet e hershme shoqërore parashtetërore, për rregullimin e marrëdhënieve brenda një grupi shoqëror. Ato gjithashtu kanë rëndësi të veçantë në formimin e sistemit të së drejtës. Historikisht zakonet kanë vepruar e veprojnë më gjatë, pavarësisht se nuk janë sanksionuar nga shteti. Kushtet historike në të cilat ka kaluar Shqipëria në tërësi dhe Labëria në veçanti dhe zhvillimet e brendshme ekonomike-shoqërore, kanë përcaktuar faktin që mjaft zakone ndryshuan në brendësi dhe u shndërruan në norma të së drejtës zakonore, u bënë pjesë përbërëse e sistemit të së drejtës. E drejta zakonore është forma fillestare dhe më e lashtë e së drejtës. Fakti që ajo vazhdoi të veprojë deri në kohën tonë, tregon për forcën e potencialin e së drejtës zakonore. Pikërisht për këto arsye ajo është ndër problemet kryesore të teorisë të së drejtës bashkëkohore. Pleqtë e zakonit, nëpërmjet zgjidhjes së çështjeve, mosmarrëveshjeve a konflikteve të ndryshme, ose u referoheshin zakoneve të mëparshme, ose vendosnin një normë të re, e cila, vihej në përdorim edhe për zgjidhje analoge në të ardhmen si precedent gjygjësor. Kështu bëhet kalimi gradual nga zakonet e lashta të të parëve në norma të së drejtës zakonore, si rezultat i zhvillimit historik, i ndarjes dhe i diferencimit të shoqërisë në klasa, pozita ekonomike e të cilave u sanksionua në normat e së drejtës zakonore. Pikërisht për këto arsye kanuni përmban norma sjelljeje që nga lashtësia, nga Ilirët, rendi gjinor, nga mesjeta dhe shtresëzime të reja, veçanërisht në shek. XVIII dhe deri në gjysmën e parë të shek.XX. Burimi i parë kryesor i normave të Kanunit të Labërisë, janë zakonet që u kthyen në norma juridike, për shkak të zbatimit të tyre të vazhdueshëm e të detyrueshëm. Veç normave të përbashkëta të së drejtës zakonore, në njësi tokësore të veçanta, në fshatra, kanë vepruar edhe zakone të vendit të detyrueshëm për t’u zbatuar brenda tyre. Sipas vendit bëhet kuvendi. Burimi tjetër kryesor i normave të Kanunit janë vendimet e Kuvendit të burrave, besëlidhjet e ndryshme për çështje të rëndësishme, si psh për pajtimin e gjaqeve (hasmërive), ndarjen e kufijve të tokave apo të maleve (kullotave), etj. “Një shtet qeveriset më mirë nga një njeri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer”, thoshte Aristoteli, ndërkohë që në kohë pushtimi Labëria qeverisaj nga labërit në luftë me ligjet dhe forcat ushtarake të pushtuesit. Këtu qëndron dhe madhështia e Labërisë pasi bëri vetë ligje dhe kishte ligjislatorë popullorë shekujve, por dhe kapedanë e luftëtarë të famshëm që i mbronin nderin, krenarinë dhe dinjitetin aq sa në 500 fshatrat labe këndohej: “Labëri o mal i rëndë,/Për Kombin qëndron në këmbë!..”. Kanuni i Labërisë ishte rojtari i vlerave më të mira morale e kulturore të trashëguara dhe flet për kulturën e lashtë juridike të labërve, është realisht një sistema juridik vlerash morale, trashëgimi e kohës ilirike, e kornizuar në një libër me 283 faqe me 830 nene në 10 pjesë e 50 kapituj nga Prof. Ismet Elezi.

Kur flasim për kuvendet në Labëri, mund të themi se, në Labëri janë zhvilluar mjaft kuvende të rëndësishme që njihen në historinë e popullit shqiptar, si Kuvendi dhe marrëveshja e Papa Zhulit në Shpellën e Zhulit rrëzë kurorës së maleve të Fushëbardhës, Kuvendi i Senicës, Kuvendi i Rrapeve të Agait në Taroninë midis Fushëbardhës dhe Zhulatit historik, i Himarës (Shekulli XV). Kuvendi i Progonatit dhe i Picarit (1846), Kuvendi i Mesaplikut (1847) dhe kuvende të tjerë, të cilët lidhen drejtpërsëdrejti me reformat e së drejtës zakonore të Labërisë si dhe me përmirësimet sipas zhvillimeve të kohës. Pikërisht këto burime të së drejtës zakonore përbënin bazën për rregullimin e marrëdhënieve shoqërore ndërmjet njerëzve të bashkësisë labe. Ato njëkohësisht ishin mburoja nga çdo arbitraritet, pasi askush nuk mund të vihej para përgjegjësisë civile, penale, për shkelje të tjera, pa u mbështetur në normat kanunore. Çdo veprim ishte i domosdoshëm të bazohej në këto norma dhe se askush nuk mund të vepronte në kundërshtim apo duke i anashkaluar ato, ndryshe reagonte tërë bashkësia dhe nuk lejonte vetëgjyqësinë.

Labëria në këto dhjetë shekujt e fundit ka bërë dhjetra kuvende por ndër më të rëndësishmit janë: Kuvendi dhe marrëveshja e Papa Zhulit (1081), Kuvendi i Senicës (e diel 1610), Kuvendi i Senicës (e diel 25.3.1770), Kuvendi i Himarës (Pranverë 1770), ose 17 fshatrave të Himarës Palasë-Nivicë Bubar, Kuvendi i Rapeve të Agait, Taroninë (e diel 4.4.1773), Kuvendi i Senicës (e diel 2 nëntor 1828),e,p,shtunë6-8.11.1828 në Berat (Thimi Mitko,Bleta Shqiptare; Kuvend i Picarit dhe i Progonatit (1846), Kuvendi i Mesaplikut (21.6.1847), Kuvendi i Gjirokastrës (23.7.1880); Kuvendi i Mesaplikut nga Ismail Qemali (fillimnëntori 1908), Kuvendi në Manastirin e Cepos (21.7.1911), me 800 pjesëmarrës, Kryekuvendi i Vlorës që vendosi pavarësinë dhe themelet e shtetit të ri shqiptar 28.11.1912-7.12.1912; kryekuvend për shqiptarët, që themeloi shtetin shqiptar nën drejtimin eIsmail Qemalit, Kuvendi i Shtëpëzit (10.4.1914), Kuvendi i Barçallasë, Dukat (29.5.1920), që pasoi me fillimin e luftës në bazën e nisjes në Beun të Vlorës më 5 qershor 1920, që përfundoi me fitore më 3.9.1920; Kuvendi i Kuçit (28.11.1924 deri 4.12.1924), me delegatë nga Labëria, Kruja, Lumi i Matit, Mirdita, Shala e Dukagjini etj,  delegatë që i dhanë Kuvendit karakter kombëtar. Ishte planifikuar të merrte pjesë dhe Fan Noli e Barjam Curri, por për arsye të situatës kaotike në Shqipëri nuk morën pjesë megjithatë Noli shkroi një përshëndetje për kuvendin. Kuvendi diskutoi për luftën kundër zakoneve të prapambetura, për forcimin kombëtar dhe demokratik; pajtimi i gjaqeve, ndalimin e hakmarrjeve, si një plagë shoqërore me pasoja të rënda, për çlirimin e njerëzve nga ankthi i vrasjeve për gjakmarrje, u vendos ndalimi i zakoneve te vjetra patriarkale në marrëdhëniet familjare e martesore, sidomos ndalimi i fejesave të fëmijëve të paralindur, lirimi i grave nga punët e renda, u fol për reforma me ide demokratike për emancipimin dhe barazinë e gruas me burrin etj. Për të qenë racional në kohë përgjithësisht kuvendet janë mbajtuar nga kapedanë, prijësa dhe luftëtarë të Labërisë dhe më gjerë, që kanë ardhur në trevën labe për të luftuar kundër pushtuesve, për të mës dërguar ushtarë për tu vrarë për interesin e të huajve, për të kundërshtuar taksat e rënda ndaj popullit, për bashkim, për ruajtjen e kufijve, për unitet ndërmjet besimeve, harmonia dhe mirëkuptimi i ndërsjelltë fetar në kundërshti me ligjet e ashpra dhe të egra të pushtuesve, për të luftuar kundër bandave kriminale e hajdutëve, për ndëshkimin e spiunëve, kundër atyre që prishnin qetësinë, dëmtonin pronat e pasuritë; për zhdukjen e fenomenit të gjakmarrjes,/ hakmarrjes; për të ushtruar të drejtën e shërbimit ushtarak në truallin shqiptar në vilajetet shqiptare, për të mbrojtur objektet e kultit, për nxjerrjen e grave në punë krahas burrave, për unitetin krahinor. Nuk është e rastit që këngët që nga Mesjeta vijnë deri në ditët tona: “Dëgjuar e parë kini,/ Në Senicë u bë pajtimi,/ Fshatra e kaza u mblodhë,/ pleqësia e anës tonë,/Të krishterë e muslimanë,/ Ca me mushka e ca me kalë,/Te përrallet në lëndinë,/Flet Idrizi me të mirë: /Mbani vesh o kapedanë,/ Të madhe ju bëj rixhanë(lutjen),/ Të mençur e pleq me radhë,/ Të lidhemi besë e fjalë,/ Se të gjithë trimat u vranë,/ Mbetën shkretë këto anë,/ Vritet shoqi me vëllanë,/ Bëhet qejfi hasmit tanë,/ S’jemi turq e venecianë,/ Jemi gjithë shqipëtarë,/ Jemi një gjak e një farë…”.

-&-

Please follow and like us: