Zanë Mali: Një fjalë e pathënë
Kam marrë një udhë
që nuk matet me hapa
a me fjalë të rënda mbi supe
*
në kthesë Dashuria më pret
me duar të zbrazëta,
unë përtej saj ec
mallin nga balli pa e fshirë.
*
Në një botë që thyhet çdo mëngjes
unë mbledh copëzat
dhe nuk bëjë zë.
*
Çështja ime nuk është lavdia
as froni i fjalëve
një kafshatë që ndahet
një liri që nuk më pengon të ëndërroj.
*
Nëpër plagët që hap koha
unë rrit një lule të egër
që nuk pyet për stinë
as për tokë.
*
Kam zgjedhur të jem
një fjalë e pathënë
në buzë të njeriut.
Please follow and like us: