Muhamet Haliti: Pro dhe kundër, shkrimtarët Llosa dhe Márquez rreth luftës për Kosovën
Dy shkrimtarë të mëdhenj latino-amerikanë, kolumbiani Gabriel García Márquez (1927-2014) dhe peruani Mario Vargas Llosa (1936-2025), të dytë fitues të Nobelit për letërsi, shkrimtarë të përkthyer dhe të lexuar ndër shqiptarë, kanë mbajtur qëndrime të kundërta rreth ndërhyrjes ndërkombëtare (të NATO-s) për Kosovën.
Mario Vargas Llosa (lexo Josa) ka shkruar kështu ndër të tjera në njërin nga esetë e tij, që është botuar para disa vitesh në shqip te libri me titull “Çështja e Kosovës”: “Edhe pse jo i vetmi, regjimi i Millosheviqit ka qenë përgjegjësi kryesor për tragjedinë kosovare. Shumë nga ne që e mbështetëm ndërhyrjen ushtarake të NATO-s e bëmë sepse kemi qenë të bindur që objektivi i saj ishte ndalimi i shfarosjes së shqiptaro-kosovarëve”.
Gabriel García Márquez (lexo Markes) ka thënë në një bisedë me Jon Lee Andersonin për profilin e tij të botuar në shtator të vitit 1999 te “The New Yorker” (The Power of García Márquez)”: “Çdo gjë ka ndryshuar prej Kosovës e këndej. Situata në botë ka ndryshuar tërësisht. Me Kosovën, Clintoni e ka gjetur trashëgiminë politikë që do ta lërë pas vetes – modelin amerikan perandorak”. [“Everything has changed since Kosovo”, he said. “The situation in the world has changed totally. With Kosovo, Clinton has found the political legacy he wants to leave behind—the imperial American model.]
Gabriel García Márquez-i dhe Mario Vargas Llosa kanë qenë miq dhe të afërt edhe ideologjikisht në rininë e vet: të majtë. Më vonë, Llosa është transformuar kah e djathta. Është bërë liberal, nëse jo konservator. Madje, Llosa ka humbur me rezultat të ngushtë në garën presidenciale në Peru në vitin 1990.
Márquez e ka pasur mik diktatorin kubanez Fidel Kastro.
Qëndrim të ngjashëm me Márquezin ndaj ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999 ka pasur edhe një shkrimtar tjetër i i njohur i “boom”-it letrar latino-amerikan, meksikani Carlos Fuentes (1928-2012), që nuk e ka fituar Nobelin. Edhe ky shkrimtar i përkthyer dhe lexuar në shqip.
Mario Vargas Llosa vdiq dje (më 13 prill) në Lima, Peru.