Albspirit

Media/News/Publishing

SHBA heq sanksionet për ndihmësin e Viktor Orban

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë hequr sanksionet ndaj një ndihmësi të ngushtë të kryeministrit hungarez, Viktor Orban. Njoftimi u bë nga Departamenti i Shtetit, duke shtuar se masat ndëshkuese nuk ishin në përputhje me interesat e politikës së jashtme të SHBA-së.

Sekretari i Shtetit, Marco Rubio mësohet se foli të martën me homologun e tij hungarez, ministrin e Jashtëm Peter Szijjarto, dhe e informoi për vendimin, tha në një deklaratë zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Tammy Bruce.

“Sekretari informoi ministrin e Jashtëm Szijjarto për largimin e zyrtarit të lartë hungarez Antal Rogán nga Lista e Shtetasve të Përcaktuar Posaçërisht dhe Personave të Bllokuar të Departamentit të Thesarit të SHBA-së, duke vënë në dukje se përcaktimi i vazhdueshëm nuk ishte në përputhje me interesat e politikës së jashtme të SHBA-së”tha Bruce.

Gjithashtu lajmi u konfirmua edhe nga një postim i ministrit të jashtëm hungarez, Peter Szijjarto.

“Pas humbjes dërrmuese të zgjedhjeve të administratës Biden, por përpara se Donald Trump të kthehej në detyrë, demokratët u hakmorrën ndaj Hungarisë duke sanksionuar ministrin Antal Rogan”, shkroi ai në një postim në “X”.

SHBA sanksionoi Rogan në janar, vetëm disa ditë përpara se i dërguari i Joe Biden të largohej nga Budapesti. Vendimi u bë i ditur nga vetë Pressman, i cili akuzoi zyrtarin e lartë hungarez për korrupsion të rëndë.

Please follow and like us: