Albspirit

Media/News/Publishing

Jani Malo: PËR CERBERËT E VATHËS DHE JO VETËM

Nuk është e para herë që nëpër fushata elektorale shfaqen logo të partive të reja, por, deri më sot, fati i tyre ka qenë i parashkruar. Jo më kot njeriu i mençur Dritëro Agolli – nëse vërtet kjo shprehje është e tij – paska thënë dikur se “në Shqipëri ka vetëm dy parti, siç ka njeriu dy këmbë, PS dhe PD, të tjerat janë si ato që varen midis këmbëve”.

Po kësaj here problemi, të paktën në dukje, është më serioz. Këtu nuk është fjala për ato “matkat shterpe”, të cilave me sa duket u referohej profeti i socialistëve, sepse atyre tashmë u kanë rënë puplat dhe takati u është mekur fare. Këto partiçka, që nuk nusëruan kur qenë të reja, zor se do dinë të nusërojnë sot. Kreun e tyre e zaptuan ca biçim politikanësh që vetëm sa klloçitën koteceve të pushtetit, pa arritur të bëjnë kurrë një kokërr vezë dhe, që të mos u zërë bytha rrjetë merimange, u kujdesën të hidhen nga njëra anë e politikës në tjetrën, pa harruar të ndërrojnë jaranët. Ata dhe krijesat e tyre dështake as i ka marrë e as i merr njeri seriozisht. Fjala është për të tjera parti të reja, për ato që sapo kanë çarë vezën lëkurëtrashë të durimit e zhgënjimit popullor.

Ende pa mësuar ç’kanë parashikuar fatitë për jetët e këtyre krijesave të brishta, intuita djallëzore e Sali Berishës dhe e Edi Ramës e lexoi rrezikun që u vjen prej tyre pa dalë ende në sipërfaqe dhe prandaj nxituan t’i dalin së keqes përpara. Hodhën në front armatën e gazetarëve, analistëve e komentuesve, të njerëzve të pajisur me dy gjuhë, njërën për të llapur dhe tjetrën për të lëpirë. Janë këta që në këtë fushatë kanë marrë përsipër të bëjnë Cerberin.

Po le të qëndrojmë edhe pak me dy partitë tradicionale. Ajo që kupton çdo njeri normal – dhe vetëm idiotët nuk e kuptojnë – është se PS dhe PD, kështu si i kanë katandisur përçorët e tyre, po kthehen në dy kufoma të vdekura e të pakallura. Ato qelbin vjetërsirë, kundërmojnë moçal. Këtë më mirë se kushdo e kupton Sali Berisha dhe Edi Rama, prandaj kanë zgjedhur me vullnetin e tyre të bëhen qesharakë dhe të pranojnë të duken faqe botës si dy të rrjedhur që kruajnë kokat e njëri-tjetrit për të shkundur morrat. Jo më kot diskursi i tyre është më i varfër se kurrë ndonjëherë, nuk del dot përtej kënetës dhe gjallesave të saj më të padobishme.

Hidhini një sy emisionit që Edi Rama e quan “Sy m’sy”, por në fakt nuk është gjë tjetër veçse një lojë ‘hidh e prit” që e luan me veten. Shoqëruesi i tij i përhershëm në tavolinë është Bufi. Sigurisht, nuk e bën pa qëllim. (Ai asgjë nuk bën pa qëllim.) Ngaqë as vetë nuk beson te përralla që u tregon përditë shqiptarëve me pasaportën europiane, ngushëllon veten me të vetmen arritje reale të Rilindjes së shpikur prej tij, ringjalljen e Bufit, që ishte tërhequr ngordhalaq në një cep të kënetës së tij në tharje.

Nga ana tjetër, Sali Berisha, që pas përpjekjesh rraskapitëse arriti më në fund t’i rikthejë vetes vulën e partisë, e di fort mirë atë që di edhe bufi i vërtetë: pamundësinë e rikthimit të tij në pushtet. Sepse, veç një mijë arsyeve të tjera, tashmë ai është i bindur se nuk ka Sherif e bir sherifi që ia rikthen nën hyqëm taborin e plëngprishësve, që pasi u çakërdisën si ushtri e shpartalluar, gjetën strehë sa andej-këndej në partiçka pa vulë.

Nuk është e vështirë të lexohet dëshpërimi dhe nervozizmi në portretet e vrerosura të këtyre prijësve, teksa shohin delirin e tyre të venitet, teksa kuptojnë se po u firojnë përditë delet nga vathat e blinduara. Prandaj Berisha sajoi Aleancën për Shqipërinë Madhështore që nuk është gjë tjetër veçse një Panair Vjetërsirash, ku ka ekspozuar grumbuj xhaketash të përdorura e të zbërdhulëta që u marrin të keqen atyre të Gabit. Prandaj Edi Rama, që deri dje kapardisej si gjeli i vetëm kokorosh në krye të partisë, tashmë i bindur se Rilindja e tij nuk është më Parti, po një tufë pulash me koka të prera që këmbët i çojnë vetëm drejt 313-s, po përpiqet të bëjë edhe gjelin edhe pulën, t’i tregojë miletit se edhe vezët socialiste i bën vetëm ai, madje edhe pasaportat e Europës i vulos ai. Por, po ta shohësh me kujdes, nuk ngjan më me gjelin. Duket më shumë si një qyqar, i rrallë si specie, që ndryshe nga qyqet e zakonshme që i çelin vezët në foletë e të tjerëve, është turrur të rrëmbejë sa andej-këndej zogj gjynahqarë nga foletë e të tjerëve.

Tani le të kthehemi te partitë e reja. Mund të jesh indiferent, qoftë edhe mosbesues ndaj tyre, por jo aq sa të mos vësh re se si, në këtë fillim fushate, ndaj tyre ka nisur një fushatë e egër denigruese nga kope me gazetarë, analistë e komentues kanalesh e lloj-lloj port(h)alesh. Këta kanë marrë përsipër të bëjnë Cerberin. Një Cerber absurd, që pengon daljen nga vatha me mënyra moderne. Duket ashiqare se barinjtë e grigjave reciproke, Berisha dhe Rama, të shqetësuar nga zbrazja e vathës, janë kujdesur të shtojnë numrin e rojave me pagesë. Dhe nga një Cerber i mitologjisë me shumë koka po shohim dhjetëra cerberë pa kokë të tyren.

Këta cerberë të vathave, në u ka mbetur një fije ndershmërie profesionale, në mos u radhitshin në anën e njerëzve që nuk kanë më ëndrra, që nuk kanë më shpresë, por kanë vetëm nevoja, bëjnë mirë të paktën të heshtin ca kohë. Ta lënë profesionin e fallxhorit të paguar dhe të ndalin përpjekjet për t’i mbushur mendjen miletit se bari që do u japin të rinjtë do jetë më i keq se ai me të cilin janë ushqyer tash e 35 vjet. T’u lënë lesën hapur, qoftë edhe atyre që i konsiderojnë si dele, që – nëse dëshirojnë, natyrisht – të dalin nga vathat, se mbase kështu do arrijnë të shohin me sytë e tyre se jashtë u jetuaka më mirë, se metri i jetës së vërtetë nuk qenkan paratë, nuk qenka një thes me miell, një vend pune, nuk është shitja e vetes lirë për gjëra meskine, por të shijuarit e lirisë.

Të asaj lirie që e dallon njeriun nga bagëtia.

Please follow and like us: