Albspirit

Media/News/Publishing

 Oligarkë dhe përfitues rus të luftës në Ukrainë marrin nënshtetësinë serbe

Një numër rusësh të fuqishëm që janë të lidhur me Shërbimin Federal të Sigurisë (FSB), si dhe përfituesit e luftës në Ukrainë, si dhe oligarkët, kompanitë e të cilëve kanë qenë nën sanksione në tre vitet e gjysmë të fundit, morën nënshtetësinë serbe jashtë procedurave standarde – me një vendim të posaçëm të Qeverisë serbe ku thuhet se është “në interes kombëtar” të Serbisë, shkruan KRIK.

Në këtë mënyrë, rreth 204 burra dhe gra ruse u bënë shtetas të Serbisë me një masë të veçantë, dhe në këtë mënyrë arritën të anashkalojnë kufizimet e udhëtimit të vendosura nga Bashkimi Evropian.

KRIK shkruan se që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, qytetarët rusë e kanë pasur të vështirë të udhëtojnë në vendet e BE-së dhe disa vende të tjera, por rusët e fuqishëm që janë të lidhur me strukturat e inteligjencës, përfituesit e luftës dhe oligarkët, gjetën një mënyrë për të anashkaluar vizat duke siguruar për vete pasaportat e vendeve të tjera, dhe për shumë prej tyre pasaporta ishte tunduese.

Sipas KRIK-ut, për këta rusë me ndikim nuk ishte aspak e vështirë të merrnin nënshtetësinë serbe, edhe pse nuk i plotësonin kriteret për të. Përkatësisht, Qeveria e Serbisë, e cila fillimisht udhëhiqej nga Ana Brnabiq e më pas Millosh Vuçeviq, u dha shtetësinë këtyre rusëve kontrovers jashtë procedurës që vlen për të huajt, duke e arsyetuar me interesin kombëtar serb.

Njëri prej tyre është Ivan Sibirev, një profiter lufte, kompania e të cilit “R-stroy” zhvilloi biznese në qytetet ukrainase të shkatërruara nga lufta. Ndërsa vitin e kaluar BE-ja e sanksionoi kompaninë e tij për t’u pasuruar falë luftës, e kryeministrja serbe Brnabiq, duke anashkaluar procedurat standarde, i dha atij shtetësinë serbe.

Për të ndodhur kjo, pasi që Sibirev nuk i plotësonte kushtet, Qeveria e Serbisë përdori një nen të Ligjit për Shtetësinë që lejon të huajve t’u jepet shtetësia nëse kjo është e rëndësishme për “interesin kombëtar” të Serbisë.

Brnabiq besonte gjithashtu se është e rëndësishme që Serbia t’i japë shtetësinë Viktor Shendrik, një ish-agjent special i Shërbimit të Sigurisë Ruse (FSB) dhe shef i sigurisë për oligarkët rusë Arkady dhe Boris Rotenberg. Shendrik është gjithashtu një sponsor i divizionit neo-nazist të tifozëve të Espanyolit që luftojnë kundër Ukrainës.

Sipas një procedure të posaçme, nënshtetësia iu dha edhe Dimitrij Sergeev – një mik i ngushtë i djalit të gjeneralit të famshëm të FSB-së, Nikolai Patrushev, i cili bashkëpunon ngushtë me Aleksandër Vulinin për përgjimin e opozitës ruse në Beograd. Patrushev dhe Vulin formuan një “grup pune për të luftuar kundër ‘revolucioneve me ngjyrë’”, me detyrën për të parandaluar protestat dhe për të organizuar monitorimin e aktivistëve, gazetarëve dhe mbrojtësve të të drejtave të njeriut.

Ata nuk janë të vetmit qytetarë rusë që falë vendimeve të veçanta të Qeverisë së Serbisë kanë arritur të marrin pasaportën serbe, thuhet në hulumtimin e gazetarëve të faqes ruse “histori të rëndësishme” dhe KRIK.

Gazetarët shqyrtuan të gjitha vendimet për dhënien e shtetësisë nga fillimi i vitit 2022 deri në prill 2025 dhe gjetën deri në 204 shtetas rusë të cilët kishin marrë pasaportë serbe jashtë procedurës së zakonshme, sepse gjoja ishte “në interes të Serbisë”.

Atyre nuk u kërkohej të plotësonin kushtet standarde, si për shembull të jetonin në Serbi para ose pas marrjes së pasaportës, as të hiqnin dorë nga shtetësitë e tjera.

Në mesin e atyre që kanë marrë nënshtetësinë në këtë mënyrë janë disa rusë të lidhur me elitën politike nga Kremlini, Shërbimi i Sigurisë Ruse (FSB), industria ushtarake, ata që u pasuruan gjatë luftës në Ukrainë dhe gjigantë të tjerë të biznesit, sipas hulumtimit. /Telegrafi/

https://telegrafi.com/ruset-e-fuqishem-te-lidhur-fsb-ne-dhe-perfitues-te-luftes-ne-ukraine-marrin-nenshtetesine-serbe-shmangin-sanksionet-e-kufizimet-e-udhetimit

Please follow and like us: