Fritz Radovani: Kush mendoi për Shqipni?!

PAPA GJON PALI II TAKON NANEN TEREZA N’SHKODER
FESTË E MADHE!
Janë rreshtue katunde e qytete, asht rreshtue Kruja, Kurbini, Mati, Sapa, Zadrima, Troshani e Lezha e misionarëve Fishta e Mjeda, Fushat e Nënshkodrës, Trushi, qendra e Argjipeshkvit të Shkodrës, Shirqi e deri në Velipojë, me të gjitha ngjyrat ku janë ma të bukrat e kostumit kombëtar, me fëtyrat e qeshuna e të zbukurueme nën rizën Zadrimore dhe të Bregut të Bunës, lidhë dora-dorës me malësorët e Mbishkodrës e deri tek xhubletat e ruejtuna ndër shekuj për këte ditë, të shoqnueme nga çakçirët e burrave të Kelmêndit, Hotit, Grudës, Rrafshit të Dukagjinit e shka merr syni prej Majës së Hekrave e në Fushë të Kosovës, tue fluturue nga Prishtina, Shkupi, Brukseli, Mynihu, Zvicrra, Detroidi, Washingtoni, New Yorku e ku ka Shqiptarë, sot janë të gjithë së bashku lidhë një bese nën një Flamur, në Kryeqytetin e vjetër të Ilirisë…. Janë në zemrën e tyne të dishrueme përsa dekada sot gjerdan rreth qafës së Rozafës, që kryet ka ngritë naltë e në kreni të gjakut derdhun me trimni nga Martirët e Kombit të Saj, me sy të përlotun gëzimi e përmallimi vështron nga gërmadhat e thëmelëve të vjetra të mbytuna nga rrjellat shekullore të Drinazës, përzi me shkumben e përgjakun të Kirit që sjellë prej Dukagjinasve lajmin që kushtrim ndër male sot kanë lëshue, tue plasë me duhinë e tyne murët e vjetra të kalasë Drishtit plak e, tue rrokollisë shkambijë prej majës së Cukalit e Maranajt, këtu mblidhuni bre Burra, kushtrim!
Në qiellin pranveror që shndritë ma fort se kurrë asht shpalosë Veli i Papërlymë i Nanës së gjithë Botës, asht Nanë Tereza, prej Lindjes së largët që me duerte e Saja të bashkueme e të vizatuna sot lutët për né:
“O Zot, hiqi mallkimin tand Shqipnisë!”
Tallaz përzi asht Liqeni i Shkodrës, Buna, Kiri, Drinaza, që në gjiun e vet shtërngojnë për parzëm Eshtnat e tretuna nga barbarët ndër rrjellat e tyne të kullueme, mbushë me brilante të ruejtuna ndër fletët e krahëve të hapun të Shqipës Dykrenare që me madhështinë e Sajë, Ajo sot rrokë për gjoks një Burrë:
Asht Papa Gjon Pali II…
Edhe ngjyra e bukur drandofille që sot ka stolisë pamjën Burrnore të Tij, tregon freskinë e fisnikinë e Shpirtit të thithun nga ngjeshja e buzëve për Tokën Arbënore, të thame si Nana për të Birin e vet tue pritë këte ditë që në vitin 1464.
Dy duert e bekueme të mbështetuna për Té e tërheqin me forcë për mos me e lëshue ma këte Trim…. Jo, jo, kurrma s’përsëritët historia…
U realizue andrra e shekujve të shkuem!
Plot gati mbas 530 vjetësh në Shqipni asht Papa Gjon Pali II.
Një Kunorë Lavdije të Martirëve të Kombit që ranë për Fé e Atdhe, ka krah’ e qafë dhe në dorë mban Palmën e Paqës.
Ecë, mbi gurët e gërmadhave të Tokës së braktisun… Vetem tue i Bekue!
Tue Bekue Atë Popull që nuk e ka pa njëditë të mirë deri sot!
Melbourne, 18 Prill 2025.