Albspirit

Media/News/Publishing

Botimet Ada: E SHTUNA POETIKE – IZET SHEHU

Izet Shehu lindi në Lushnjë më 15 dhjetor 1942. Mbaroi gjimnazin në Lushnjë më 1960, ndërsa studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Histori-Filologji, dega gjuhë letërsi shqipe. Më 1995 ka kryer Kolegjin e Mbrojtjes së Shqipërisë. Ka punuar si mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Lushnjë dhe Elbasan. Krijimtarinë letrare e nisi qysh në bankat e shkollës. Botoi dendur gjatë viteve gjashtëdhjetë, por, për shkak të biografisë politike, pasi iu pezullua vëllimi poetik “Gjaku im”, do t’i hiqej përfundimisht e drejta e botimit deri në vitin 1990. Është një prej inicuesve dhe themeluesve të Partisë Demokratike dhe në vitin 1991-1996 u zgjodh deputet i kësaj partie në Kuvendin e Shqipërisë. Është dekoruar si mësues me urdhrin “Naim Frashëri të klasit I” dhe me medaljen “Pishtar i demokracisë”. Pas viteve ’90-të boton artikuj, polemika, ese, prozë e poezi në disa nga organet më të rëndësishme kombëtare. U nda nga jeta më 25 nëntor 2012 në Tiranë.

Vjen sot në rubrikën “E SHTUNA POETKE” nën kujdesin e Shtëpisë Botuese ADA.

SHKËLQIM

Shkujdesur njerëzit harlisen me detin,

Ndërsa dielli vetëmburret me madhështinë e vet,

Mbasdite gushti, horizont i ndezur,

Ora diellore ritmikisht troket.

Piktor nëse s’je apo poet,

Rastësisht kalimtar i këtij çasti solemn,

Ngopu me ajër e sodit i qetë

Shkëlqimin marramendës që para teje rend!

Bëj kujdes ti mbi breg, ti mbi det më kujdes,

Mos u ligështo nga orgjitë dhe barbaritë e peshkaqenëve,

Ndërsa njerëzit në breg e në detin diellorë

Përtypin me hamendje filologjinë e të rënëve.

Sepse, pasi të hesht ky rremet shkëlqimtar,

Sepse, pasi të ngrijë magji e penës dhe penelit,

Të lutem mos e humb drejtpeshimin, o udhëtar,

Midis ëndrrës së gërdallosur nën verbimin e diellit.

RRËSHQANORI

Ditët thërrmove duke thurur dithirambe

Për shpirt skëterrën që shterpëzoi çdo gjë.

Tani, për turp, kërkon medalje.

Pse shkrove për të.

Ndaj, pa të keq, troket derë më derë:

“Jepjani një dekoratë mëkatarit të mjerë!”

Kështu çan gërmazin, miza duke vrarë,

Nga tavolina në tavolinë,

Nga trotuari në trotuar,

Në qytezën e drobitur ku sajove dithirambe,

Në qytezën e mashtruar ku askush më s’ta var.

A e keni parë si qurravitet një rrëshqanor i këtillë,

Që guaskën e poshtërsisë jargos si kërmill?

Ditët përtyp duke thurur dithirambe

Për monstrën që e neverit edhe ferri.

Mjeran, çfarë kërkon në orët e tua të mbrame,

Që troket si lypsar për një medalje nderi?

ZGAVËR E VJETËR

Zgavër e vjetër

Plot jetë e vdekje,

Mbi eshtrat e tua

S’gjete kurrë prehje.

Me myshk mbuluar,

Gjallë dhe e vdekur

Gërdallë në këmbë

Buzë honit mbetur.

Zjarr mbi rrënoja

Shuan edhe ndez

Të erdhi prapë koha

Diçka të rrëfesh.

Zgavër e vjetër

Plot jetë dhe vdekje

Bluan edhe vuan

Në jetë të jetëve.

PABESIA

Më rrëqeth pabesia,

Hija e saj e shuplakur,

Më le shenjë në trup e shpirt,

Më mbërthen me kurth të ashpër.

Më rrëqeth pabesia,

Vuaj e heq hijet e saj.

Brenda meje mpikset dhimbja,

Brenda meje dhimbjet mbaj.

Syrin ngrij në qiell të shpresës,

Kafkën kalb në dheun e zi.

Më mundon krism’ e kujtesës

Nëpër rrënjë në thellësi.

KAPËRCIM MBI YJE

I vogël fare, kërthi sa më s’ka

ullishtes rropatesh duke kapërcyer mbi yje

një bulkth këndonte, krraurinte një korb

një çati e vjetër kërkëllinte në thyerje.

Pse erdha kaq shpejt, pse kaq shpejt erdha.

Në agim i përgjumur, në muzg u zverdha.

Më herët të kisha lindur, ose më pas

I trembur në dimër, në verë plot tallaz.

Se kështu, ah kështu, mes ajrit të kuq

Në pjerrtësinë me gurë si kali gërmuq.

I vogël fare, i brishtë sa më s’ka

Me qafën në zgjedhë duke pëllitur si ka.

Mes mashtrimit, sa keq, duke ruajtur qielloren

Kapërceva hijet, dredhitë e skoret

Dikush, diku, pilat apo horr.

Vret e grabit e sërish mbahet shenjtor.

Troket pa të keq, lyp nder e lavdi.

Dhe pse vë në treg lëkurën e tij.

ÇMENDINË E RRUMBULLT

Në ëndërr a zgjëndërr, kjo s’ka rëndësi

Më kërkonin të njohurit e mirë dhe të liq

Lexoja mesazhet e bëja llogari:

Pse ndodh kjo me mua, pse ndodh s’e di.

Larg mund të jesh, apo fare afër

Natyrën duke përpirë a duke prekur një flatër.

Më kërkonin të njohurit e më kërkojnë sërish

Në çmendinën time nën qiellin e trishtë.

I çmendur në je, apo të quajmë të tillë

Me penë në dorë, apo me një kokë gjithë shkëlqim

Në ëndërr a zhgjëndërr, kjo s’ka rëndësi

Në sajesën time i mbështjellë rri.

Me lehtësi më shkruan apo me mund

Kafazin e vetizolimit nuk arrij ta shkund

Ai që po ikën dhe ai që po vjen

Në çmendinë të rrumbullt drejtësi nuk gjen.

KËRKOJ

Natën eci si Homeri,

Ditën bëj si Diogjeni,

Për të marrë mos më merrni

Nëpër rrugë kur më gjeni.

Më i verbër se i verbëri

Nëpër shtegun sterrë të zi,

Sfidë nuk i bëj diellit,

Tek kërkoj me qiri.

Natën eci si Homeri,

Ditën bëj si Diogjeni,

Mbledhur me lëkurë terri

Për të marrë mos më merrni.

GJYSMË I PËRHUMBUR

Qielli qëmton yjet,

Pylli rrallon drurët,

Era thyen fyejt

I përplas mbi gurët.

Gjysmë i përhumbur

Endesh dhe ofshan.

Në ajër bëhesh flutur,

Në pyll bëhesh panjë.

Qielli rrëzon yjet,

Pylli përkul drurët,

Era flatërthyer

Turfullon mbi shkurret.

Rri po s’të rrihet,

Veten tund e shkund,

Hapësirë e mpirë

Zgavër e pafund…

Please follow and like us: