Albspirit

Media/News/Publishing

Marash Mirashi: KUJTESA ELIPSOIDE E MËNDAFSHIT

Kam qenë shumë i vogël, ndoshta në moshën kur një fëmijë sapo nis e mban mend vegime ngjarjesh të jetës së tij. Koha e ëndërrimeve të para… Një fëmijëri e pikturuar në rrugën e kishës, pranë shtëpisë sime. Duhet të ketë qenë viti 1969. Ndoshta, 1970.

Si nëpër mjegull kujtoj sesi një ditë, im atë më mori me vete për të shkuar atje. Duhej të përshkonim një rrugë të pluhurt; gjithë, gjithë 200 metër; të kalonim një urë të vogël druri me parmakë, ku pak më tutje bënte hije një lar i bukur, me shtat të lartë dhe kurorë të gjelbër. Kisha të ofronte një pamje magjepsëse, nga ato që nuk të shqiten kurrë nga kujtesa. Arkitektura e një kishe sigurisht që nuk mund të mos lërë gjurmë edhe në formimin e mëpasëm të një fëmije që ka lindur pranë saj…

Ngrehina prej guri qëndronte ende në këmbë, bashkë me kompanielin dhe qelën, ku më parë banonin prifti dhe shërbestarët e tjerë të zotit. Them “më parë”, pasi besimi ishte ndaluar me ligj. Shërbëtorët e përvuajtur qenë larguar dhunshëm. Këmbana nuk binte më. Kisha e shekullit te shtatëmbëdhjetë, po jetonte trishtueshëm vetminë e saj. Sigurisht që këto janë gjëra të cilat i kam mësuar dhe kuptuar shumë më vonë.

Sidoqoftë, unë pashë babain tim i cili po ecte me hapa të menduar në rrugën që të çonte tek kisha e Shenjtit Nikollë, kisha e njohur e Kakarriqit, në anë të rrugës që të dërgonte në Lezhë e Shkodër, ku kishte çuar meshë disa herë Dom Ndre Mjeda e ku kishte ndaluar edhe Atë Zef Valentini.

Im atë ecte ngadalë. Më mori përdore dhe pasi kapërcyem rrugën, kaluam murin rrethues, një avlli një metër e lartë. Babai bëri kryq. Unë e ndoqa me sy dhe pikturova kryqin tim. Ai hapi derën e madhe prej druri, me një hark mermeri sipër saj. Hymë brenda. Nuk kishte kryqe, ikona dhe as qirinj, por ndihej era karakteristike e një kishe në gjysmëdritë. Babai po shihte lart. Një pjesë ishte kube dhe pjesa tjetër tavan. Një palë shkallë druri qëndronin mbështetur në kapanxhë. Im atë më mori përdore dhe iu drejtua atyre.

– Kujdes më thoshte, kujdes ku vë këmbën, – dhe më tërhiqte lart, duke i kaluar shkallët një e nga një.

Pata ndjesinë se në krye të këtyre shkallëve do të takoja zotin. Babai uli kokën dhe nisi te ecë nëpër tavan, ashtu gjysmë i përkulur duke qëndruar mbi trarët që binin erë rrëshirë. Tavani ishte prej kallamishtash të suvatuara. Im atë ndezi një elektrik dore. Nën dritën e zbehtë u pikturuan menjëherë disa qindra topa të vegjël elipsoidë, sa një bulëz gishti, me një të bardhë të paimagjinueshme. Poshtë tyre, skelete pafund gjethesh mani.

– Prej këtyre bëhet mëndafsh, – dëgjova të thoshte im atë.

Kisha e famshme e të Shenjtit Nikollë menjēherë pas mbylljes, ishte kthyer në një vend ku kultivohej krimbi i çuditshëm. Pak kohë më vonë ajo u hodh në erë.

Prej motesh, sa herë që kaloj andej, ndiej sikur një dorë magjike më fshin lotët, me një shami të butë si mëndafsh. Unë e di që kjo është dora e zotit tim, Atit tim.

Please follow and like us: