Fatmir Minguli: Palimpsesti grotesk në një roman bashkëkohor
Mendime mbi romanin “Kam pasur një vëlla, ndonjëherë” të Rifat Ismailit, botim i Fast Print, Tiranë, 2022.
“Ëndrrat e dlira kalërojnë në një ritëm të pandërprerë, të ëmbëlsuara nga ndjenja e dashurisë e për të gjitha gjërat që vlejnë”, Dante Razino.
Sapo mbaron romanin “Kam pasur një vëlla, ndonjëherë” në mendje të lëvrijnë me dhjetra mendime sa cfilitëse po dhe aq të këndshme. Histori e dy binjakëve shqiptarë, të emigruar në dhe të huaj ku kapitull pas kapitulli ti hyn në një botë surreale por që autori Rifat Ismaili me të drejtë e sjell si reale. Eshtë plotësisht e vërtetë. Një vërtetësi që kuptohet lehtë, por që shoqërohet me pikëpyetje të shumta në mënyrën se si ka mundur shkrimtari të futet në dendësinë dhe errësirën e atyre ujrave ku shumë autorë dhe njerëz të thjeshtë, janë mbytur!
Në se do të perifrazoja pjesë nga teoria e Frojdit, teori që është në themelet e këtij romani, do thoja se ky shkrimtar ka një intuitë nga e cila merr ide, ngjarje perceptime etj, por ai është njëkohësisht dhe introspektiv.
Binjaku i mirë, i rregullt në jetë është ndryshe, shumë ndryshe nga binjaku tjetër, ai i intuitës i cili kalon proçese psikologjike të botës së brendshme ku shqyrton mendimet, sensacionet, kapërcimet ekstremale, gjykimet e tij mbi jetën dhe skenat e jetës përfshirë vdekjen.
Janë dy binajkë si personazhe kryesorë por magjia narrative e Rifat Ismailit është e çuditshme. Për atë janë dy njerëz në një, janë dy vizatime multiplikativë që hynë e dalin në staturat projektuese të njeri tjetrit. Vetë Rifat Ismaili e prek këtë ide në librin e tij “Kam pasur nje vëlla ndonjëherë”, ku vetë titulli i romanit e ndriçon zbehtë këtë ide. Ai në fund të librit shkruan.
“Kemi dy binjakë, apo ndoshta, dy gjysmat e të njëjtit njeri? E mira dhe e keqja brenda nesh, realja dhe irracionalja, shpirti konservator dhe shpirti i lirë e rebel, dualiteti shpirtëror? Apo ndoshta, ajo pjesa e lirë dhe universale e shpirtit tonë, nuk përputhet siç duhet me këtë botë njerëzish të ngushtë dhe mjeranë, dhe shpëtimi i vetëm është vdekja”?
Më bën përshtypje guximi i Rifat Ismailit për të kapur tema të veçanta, ndryshe nga shumë autorë shqiptarë brenda e jashtë Shqipërisë. Ai diku në fund të librit përmend disa emra shkrimtarësh që kanë shkruar për seksin në mënyrë të hapur dhe midis tyre përmend dhe austriakun Arthur Schnitzler, autorin e romanit “Traumenovell” që në versionin anglisht është me titullin “Dream story” apo në përkthimin italian me titullin “Nightmare”.
Nga shkrimtarët shqiptarë është Hiqmet B. Hasko që i është afruar llojit të narrativës së Rifatit në këtë roman të çuditshëm. Ndërsa unë do shtoja se Rifati ka bërë “Endërr brenda ëndrrës” apo “binjak brenda binjakut” dhe do t’i shkonin për bukuri komentet që studjuesi Bujar Meholli ka shkruar në gazetën “Fjala” për romanin e Arthur Schnitzler.
Romani “Kam pasur nje vëlla ndonjëherë”, noton në mes erotizmit të pa fre, rrëfimeve mes binjakëve dhe transformimeve psikologjike për seksin dhe vdekjen, për makrabitetin që shoqërohet me gjak, për skenat dhe veprimet që binajku i keq bën në netët e varrezave. Në fund të fundit, paralelet dhe drejtëzat që nuk takohen me njera-tjetrën të ngjarjeve nga kapitulli në kapitull janë kontraverse në esencë, por të gjitha këto transformime psikologjike janë thjeshtë vërtetime për të vërtetën e thjeshtë që lëkundet mes dëshirave njerëzore dhe frikës universale të njeriut.
Në romanin “Kam pasur nje vëlla ndonjëherë”, autori mëton të jetë racional, ai nëpërmjet akrobacisë që bën me kapitujt, na jep një gjendje emocionale, që na shtyn të mësojmë nga faqja në faqe përfundimin, por që përfundim nuk ka. Binjaku i keq është larguar në “drejtim të paditur” ndoshta në një botë që nuk e njohim…
Duke mos dashur të hyj në aspektet e ndryshme të kapitujve aq shumë autorialë desha të theksoj se gjuha artistike e Rifat Ismailit është një buqetë plot me ngjyra të figurave artistike që kalojnë edhe në fraza të tëra duke ndërtuar metafora dhe parabola që shkojnë drejt maksimave.
Ai është në kërkim të analizave intelektuale mbi kuptimin e jetës, prandaj është në kërkim, në gjueti të fjalëve dhe bisedave me binjakun. Ai e ka mësuar këtë fenomen dhe njëkohësisht ka ndriçuar dritën e vet, dritën që ndriçon veten e tij se vetëm kështu, jo vetëm me binjakun do jetë simbiozë por trupi dhe mendja e tij spontanisht bëhen bashkë.
Romani “Kam pasur vëlla ndonjëherë” është ngjarje në narrativën shqiptare, një kompleks mbi diskutimin mes jetës dhe vdekjes që patjetër kalon të gjithë ato peripeci të jetës plot kapërcime të binjakut të keq. Eshtë një narracion plot palimpseste, për nga dëndësia e ngjarjeve që shoqërohen me analiza të thella psikologjike.
Durrës, prill 2025.