HISTORIA E FOTOGRAFISË SË ÇERÇIZ LOLOÇIT, SHKREPUR NGA QERIM VRIONI
Nga libri-album i studiuesit të fotografisë Qerim Vrioni “Miq në 50 foto” (2021), ku imazhet janë shoqëruar me përshkrimet e çasteve të fotografimit dhe jetëshkrimit të personazheve të përzgjedhura nga bota e artit dhe kulturës, kemi zgjedhur për ju, prezentimin që z. Vrioni ia ka bërë publicistit, Çerçiz Loloçi.
Ju ftojmë ta lexoni historinë e fotografisë:
Qerim Vrioni: Çerçiz Loloçi-publicist dhe tregimtar i njohur
Çerçiz Loloçin (Gjirokastër, 1960), e kam njohur në Tiranë, pas vitit 2000, kur ai punonte te gazeta “Telegraf” si kryeredaktori i saj. Mbaj mend se ishte miku ynë i përbashkët poeti i ndjerë Izet Shehu, ai që na takoi së pari në një bar-kafe, mandej, botimi i artikujve të mi për fotografinë në këtë gazetë e shtoi miqësinë.
Për disa kohë (para fillimviteve ’90), Çerçizi ishte edhe redaktor përgjegjës i revistës shkencore dygjuhëshe (shqip-frengjisht) “Monumentet”, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, një organ me vlera dokumentare dhe historike. Ai është autor edhe i dhjetra skicave, tregimeve, novelave, monografive, dosjeve letrare, një skenari filmi dhe i një romani. Shënojmë ndër to përmbledhjen me tregime “Tregime“, përmbledhjen tjetër “Adoleshentët” (1986) nga Botimet Naim Frashëri, komedinë “Mikomania” (1988), përmbledhjen “Hiret e prostitutave” (2003) nga Botimet Enter, romanin “Planet virgjërie” (1997), dosjen për krimet e Sllobodan Milosheviqit, monografinë “Zalldardha” (2000), etj. Çerçizi ka redaktuar disa libra, ndër ta “Një dosje për Kadarenë“, “Vilsoni dhe Genci”, “Albanistan” si dhe është bashkëskenarist në dokumentarin “Kreshniku i Dibrës”.
Sidoqoftë, dalja e parë e tij në shtyp mbahet tregimi “Një tufëz me lule” (1981), i cili u botua së pari në organin javor kulturor “Drita” të Tiranës mandej edhe në gazetën politike, shoqërore dhe kulturore, “Rilindja” të Prishtinës.
Ai mbahet ndër publicistët e parë në Shqipëri në periudhën e pas rënies së diktaturës komuniste, kohë kur u dallua për mprehtësinë e penës dhe për larminë e temave të trajtuara në shkrimet e tij. Më vonë u takova shpesh me Çeçon (siç i thërrasin miqtë e afërt), disa herë edhe në prani të poetit Sadik Bejko. Natyrisht vendpjekjet për të biseduar dhe duke pirë kafe ishin baret e shumtë të Tiranës. Ashtu ndodhi edhe atë ditë, kur nën strehën e çadrës u strehuam të tre bashkë me Bejkon.
Gjatë bisedës diçka nuk i pëlqeu; e kishte të vështirë ta besonte… pak çaste s’foli fare veçse nguli shikimin…
Ndërkohë e fotografova, ishte data 6 shtator 2006.
ObserverKult