Shqipëria dhe mungesa e politikave kulturore në hapësirat shqiptare përtej kufirit
SHQIPËRIA ZYRTARE NUK INVESTON ASNJË EURO PËR RUAJTJEN DHE ZHVILLIMIN E KULTURËS DHE TRASHËGIMISË SHQIPTARE NË HAPËSIRAT E TJERA SHQIPTARE TË BALLKANIT
Nga Dr. Mujë Buçpapaj
Drejtor i Institutit të Studimeve dhe Projekteve Nacionale, Tiranë.
Në një kohë kur buxheti i shtetit shqiptar kap shifrën e mbi 8 miliardë eurove në vit, një fakt tronditës përballet me heshtjen institucionale dhe apatinë publike: Shqipëria zyrtare nuk investon asnjë euro për ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës dhe trashëgimisë shqiptare në hapësirat e tjera shqiptare të Ballkanit. Kjo heshtje, përtej përmasës simbolike, është tregues i një mungese të thellë vizioni shtetëror, diplomatik dhe kombëtar.
Gjeopolitikisht, Shqipëria është ndër të paktat shtete në botë që kufizohet në të gjitha anët me vetveten – me shqiptarë etnikë. Në veri dhe lindje me Kosovën dhe Luginën e Preshevës, në veri-perëndim me Malin e Zi, në lindje me Maqedoninë e Veriut dhe në jug me komunitete të hershme shqiptare në Greqi. Pa përmendur diasporën e hershme arbëreshe në Itali dhe komunitetin shqiptar në Turqi. Dhe megjithatë, për këto pjesë të pandara të mozaikut tonë kulturor, Shqipëria zyrtare nuk ofron asnjë mbështetje institucionale, asnjë strategji afatgjatë, asnjë fondacion shtetëror që të mbrojë, përfaqësojë e promovojë këtë trashëgimi kombëtare.
E kundërta ndodh me organizatat dhe fondacionet e huaja. Gjatë viteve të fundit, në Shqipëri janë bërë investime të konsiderueshme nga fondacione kulturore ndërkombëtare që ruajnë kalatë, kishat, xhamitë, gjuhën, muzikën dhe folklorin shqiptar, që kontribuojnë në zbulimet arkeologjike. Kjo ndihmë është e çmuar dhe e mirëpritur. Por nuk mund të mos shtrohet pyetja: pse shteti shqiptar vetë nuk e merr këtë rol përsipër përtej kufijve të tij zyrtarë, ku kultura shqiptare është shpesh në rrezik zhdukjeje?
Në Maqedoninë e Veriut, shqiptarët përbëjnë afërsisht 50% të popullsisë në disa rajone dhe janë ndër bartësit më të fuqishëm të trashëgimisë kulturore të vendit. Në Malin e Zi, ata përbëjnë komunitetin më të organizuar pas atij malazez. Në Luginën e Preshevës, kultura shqiptare reziston mes diskriminimit të përditshëm. Në Greqi, shqiptarët e Çamërisë dhe komunitetet arvanitase janë viktima të fshirjes së kujtesës kulturore. Në të gjitha këto hapësira, mungon një prani e shtetit shqiptar si faktor i mbrojtjes dhe promovimit të kësaj trashëgimie.
Mungesa e një fondacioni shtetëror shqiptar që të merret me çështjet kulturore në rajon dhe në diasporë është simptomë e një vizioni të cunguar kombëtar. Një shtet që nuk kujdeset për kulturën jashtë kufirit është një shtet që mohon gjysmën e identitetit të vet. Nuk mjafton më të shënojmë përvjetorë e të organizojmë konferenca për diasporën. Duhet një qasje strategjike, politike dhe institucionale – me fonde konkrete, programe afatgjata, bashkëpunim me institucionet vendore dhe shoqërinë civile në rajon. Por edhe në këto zgjedhje kombëtare asnjë parti nuk ka asnjë program për këtë qëllim.
Në kohën kur popuj të tjerë investojnë me miliona në promovimin e kulturës së tyre në botë, Shqipëria duhet të ndjekë të njëjtën rrugë, por me përqendrim të veçantë tek shqiptarët jashtë kufirit. Kultura është akt politik, është akt identiteti dhe është armë e butë e fuqisë së një kombi. Nëse Shqipëria dëshiron të ketë një vizion kulturor dhe kombëtar, atëherë kjo heshtje duhet të marrë fund.
Koha për të vepruar është tani.