Albspirit

Media/News/Publishing

Sot pashë një realitet ndryshe — një realitet që zbeh shpirtin nga dhimbja e trishtimi

Manjola Sejdinaj

Fshatrat janë me një këmbë në varr, qytetet po vdesin dalëngadalë – Realiteti Shqiptar 2025.

Në mes të një qyteti shqiptar, në vitin 2025, shumica e njerëzve që takova –pensionistë ose pranë moshës së pensionit – nuk kishin dhëmbë. Jo sepse nuk donin, por sepse nuk mundnin.

Të lodhur nga vite pune në kushte të vështira, me pensione që nuk mjaftojnë as për ilaçe, e lëre më për shëndet oral, ata kishin pranuar të jetonin pa buzëqeshje, pa ushqim të plotë, pa dinjitet.

Ishte një nga pamjet më të rënda që kam parë – jo për shkak të pamjes së jashtme, por për shkak të dhimbjes që ajo simbolizonte. Ishte portreti i një Shqipërie të harruar.

Një Shqipëri që nuk ka dhëmbë për të kafshuar realitetin, e as zë për të bërtitur.

Ndërkohë, fshatrat janë me një këmbë në varr – të braktisur, të zbrazur, pa të rinj. Toka mbetet pa punëtorë, arat pa duar, shtëpitë pa jetë.

Qytetet nga ana tjetër po vdesin dalëngadalë – mbushen me beton, por boshatisen nga njerëzit, nga shpirti i tyre i dikurshëm. Janë qytete pa jetë, ku të rinjtë mezi presin të ikin dhe të moshuarit jetojnë me mbijetesë.

Ky është realiteti shqiptar i vitit 2025. Një vend ku shumë nuk qeshin më, jo se nuk duan, por sepse nuk munden.

Një vend që po zbrazet fizikisht dhe po shteron moralisht.

Dhe pyetja është: PSE?

Pse është kaq e shtrenjtë të jetosh me dinjitet në Shqipëri?

Pse duhet të jetojmë pa shërbime, pa ndihmë, pa shtet?

Pse ata që na qeverisin nuk e shohin këtë realitet që ne e përjetojmë çdo ditë?

Nëse e ndjen këtë dhimbje si unë, atëherë është koha të mos heshtim më. Koha të flasim, të kërkojmë, të veprojmë.

Sepse Shqipëria s’mund të mbetet pa njerëz dhe pa zë.

Sepse askush nuk e meriton të jetojë me dhimbje dhe në heshtje.

Nëse nuk veprojmë sot – Shqipëria e 2030-s do mbetet bosh. Një vend i zbrazur, ku do gjenden vetëm administratat dhe varrezat!…

Please follow and like us: