Albspirit

Media/News/Publishing

Senad Guraziu: Ca poezi të poetit Shaip Beqiri

Ca poezi të poetit Shaip Beqiri [ lind. 1954, Besianë, Kosovë]

(…”poetët e ujisin trëndafilin me gjithë gjembat e tij” – pati thënë, nëse s’gabohem, Mario Vargas Llosa, apo nëse t’kem harruar se kush, atëherë dikush tjetër nga hispanikët e mëdhenj të letërsisë, dhe po ashtu poetët nganjëherë më shumë i parapëlqejnë trëndafilat e egër të Besianës sesa trëndafilat e butë të Francës ( këtë e pata thënë unë, jo Vargas Llosa : )

…për poezinë e z. Beqiri, në qasjen kritike Ramadan Musliu pati konkluduar si vijon:
|…| vetëm 4 libra me poezi: “Fontana e etjeve” (1976), “Flatrat e gjymta” (1983), “Eklipsi i gjakut” (2000) dhe “Muranat e muzgut” (2015). Këto 4 vëllime poetike janë dëshmi se autori nuk është i preokupuar me kuantitetin (me sasine e poezisë)… [ por dmth. është i preokupuar me KUALITETIN poetik – shën im, s. guraziu ]
|…| Poezia e Shaip Beqirit imponon modelin e poezisë estetizante në kuptimin më pozitiv të fjalës. Identiteti i kësaj poezie mbështetet në tematikën sinkretike, sepse autori brenda një poezie arrin të shtresëzojë dhe të stivojë elemente heterogjene poetike, që nga miti, legjenda, historia, përvoja orale e kujtesës popullore e deri te përvojat e modernitetit, duke ndërkallur brenda temes së tij poetike edhe elemente të poezisë parnasiste, simboliste, por dhe ekspresioniste. Nga parnasizmi Beqiri sjell tingullin e pastër, nga simbolizmi kuptimin e thellë të fjalës dhe ndërtimin e bërthamave semantike përmes figurave, nga ekspresionizmi kromatikën gri. /…/ Si e tillë kjo poezi është tepër elitare, vetëm per ata që nga poezia kanë kërkesë të qartë: të ndiejnë shijen e sublimes estetike.
| autor i tekstit: Ramadan Musliu – shkëputur nga dorëshkrimi “Hinoret e Njëjta”, 2016 – Konica  |

***
…duke komentuar rreth poezisë “Në Rrjetëza Fundëndrrash”, disa vite më herët, në v. 2019 pata shkruar si fijon (s. guraziu – ars poetica, tetor 2019 – pak fjalë)

…për mua poeti Shaip Beqiri rri këmbëkryq në “panteonin” e poetëve më të mëdhenj që ka patur letërsia shqipe ndonjëherë – gjithsesi saherë ndeshem me lirikat e tij (ose dhe në përgjithësi, me lirikat e gjeneratave më të vjetra) sesi më shkon buza në gaz gjatë leximit, se ç’ka diç simpatike qasja e tyre ndaj erosit poetik (thuase ndonjë qasje pakëz e “ndrojtur”, anise nuk është, apo thuase mëton t’jetë e “maskuar” nën veladonin e Romanticizmit), zymbylat siduket nuk çelin vetiu por duhet “zbërthyer”, dhe kur çelin zymbylat, dihet… ajri bymehet pastaj nga aromë zymbylash, mirëpo në “laboratorin” e poetikës poeti ia del t’i përziejë aromatikat më mirë sesa parfumistët e Dior, lexuesin do ta magjepsin lloj-lloj fragrancash e nuancash, intensiteti aromatik dhe olfaksioni thjesht do ta “trullosin” imagjinatën e lexuesit, psh. tek poezia “në rrjetëza…” poeti i zbërthen zymbylat, madje me të dyja duart, mirëpo pastaj hedh në erë trëndafilash të egër prej puthjesh : ) jo trëndafilash të “butë” por të egër, poeti ka dëshirë t’jenë të egër, jo “rosa centifolia” (një trëndafil ky shumë aromatik i zhvilluar nga holandezët, është ndoshta vetë “mbreti trëndafilesk”, çmenden parfumistët e gjithë botës pas tij), jo… sepse ndryshe është t’jesh putharaç i egër, i pazbutur, sado aromatike të jetë “centifolia” (njëqindpetalja holandeze, e kultivuar në Francë me mikroklimën e me kujdesin francez), ja që poetit me shumë i pëlqejnë trëndafilat e egër të Besianës… aq e thjeshtë është : )

NË RRJETËZA FUNDËNDRRASH

Sa fort ju kam dashur
Gra që gërvishtët me thonj
Faqen e lëmuar të jetës sime

Ndonjëra
Ndoshta edhe mua më ka dashur
Me shumë zjarr e ankth
Dhe me fshehtësi përshkuar

Ndonjërës i kam zbërthyer
Zymbylët e paprekur kurrë
Në kraharorin e ënjtur
Dhe me të dyja duart
Kam hedhur në erë
Trëdafilë të egër puthjesh

Në sytë tuaj fërgëllues
Kam soditur tek vërtiten kuturu
Galaktika ëndjesh pa mbarim
Dhe ndonjë curril i hollë gjaku
Në hon psherëtimash të këputura

Ujvara të panumërta rrëkëllyese
Që fashitin gjëmimin
Drejt zemrës së etur të tokës

Thellë ndër rrjeta rrënjash
Tash më pret gruaja gazmore
Me më ngujuar përgjithmonë
Në qelitë e veta të mërisë

NARCISI PARA PASQYRËS SË THYER

A më shihni sa i bukur jam
Mes hijeve të mesditës suaj

Po çmendem në këtë bardhësi

Pa asnjë pikë të zezë
Pa asnjë yll të verbër

Si të mbyllem në atë guaskë tingujsh
Që shembi malin deri te gjunjtë e mi

Për kremten time të mbramë
Dhuromani qetësinë e humbur
Ose unazën e mbetur në një algë

Kush e ka fshehur këtë pasqyrë
Në syrin e mjegulluar të ditës

As furtuna s’ia ndërron fytyrën

A e shihni
Hija humb në hije
E lumi rrjedh kah vjeshta e trëndafiltë
Këtu rritet ançari deri në qiell

Nata është vetëm imja
Pasqyrë e thyer në ballin e nimfës

Sa i bukur jam plaga ime e bardhë

(Gllamnik, 1970)

BALASTI

Në shtëpinë time
Bëj jetën e lumtur
Të një qeni me zgjebe

Ujin e zi e bart
Nga kati i trembëdhjetë

Në të shtatin
Të bardhin e shpur
Nga i treti në të nëntin

I lëpij të gjithë eshtrat e mëhallës
Dhe mëlcoj plagën e madhe
Të voglat i numëroj ndonjëherë
Duke i shumëzuar me yjtë

Ditën e njimtoj nën strehë të huaj
Dhe kur të bjerë muzgu
Ndizen të gjitha xixëllonjat
E lirisë sime të përanshme
Brenda murit që s’kalohet

Në jetën time të thyeshme
Përnatë kapërcej pragun e ëndrrës
Dhe dal në tjetër planet

(Prishtinë, 18 fror 1991)

SERBE

Zogj pa pupla na la qyqja
Në çerdhen tonë të huaj

Jona është krejt toka
E mali dhe fusha edhe lumi
Bokërimat rrafshinat hungërimat

Poende edhe deti që buçet
Nën çurg klithmash në bunacë

Çdo gjë që duket e zhduket

Humbella shpella zgafella
Tonat ikonat kumbonat zezonat

Ne bëjmë tatuazh në bebëza
Me kryqin e kalbur përdhe
Hanxhar që ngulet tok me ne

Lexojmë ne hartën me kamë
Në majë huri vëmë arnën tonë

(Bern, 28 qershor 2006).

Please follow and like us: