Albspirit

Media/News/Publishing

Senad Guraziu: Celebrimi Centenial – 100-vjetori i Fizikës Kuantike


– Ars Poetica, Prill 2025

Nga APS (American Physical Society) thuhet se vitin 2025 UNESCO e ka caktuar Vit Ndërkombëtar të Shkencës dhe të Teknologjisë Kuantike – diç si njohje kjo e përparimeve dhe e ndikimit revolucionar që shkenca dhe teknologjia kuantike e kanë patur gjatë një shekulli, dhe premtojnë të kenë në të ardhmen. Dikur dhe vetë i madhi Ajnshtajn ishte i pllakosur me skepsën e vet ndaj shkencës kuantike, mirëpo dihet që sot kjo fushë e interesit dhe e aktivitetit të njeriut gjeneron jo më pak por 1/3 e ekonomisë amerikane / evropiane. Falë investimeve të pafund gjithandej globit kryhen panumër eksperimente të avancuara në nivele sub-atomike, shkenca moderne ushqehet me miliarda e miliarda, investohen shumash marramendëse.

Gjithçka e “kuantikave” thuase pati nisur “pavetëdijshëm” nga Planku (Max Planck) në v. 1901. Ai e prezantoi konstanten e tij (sa për hir të emrit, ishte çështje emërtimi), e cila konstantë i lidh kuantat energjitike me frekuencën. Atëbotë, ai nuk i atribuoi asnjë rëndësi fizike këtij kuantizimi, duke e konsideruar thjesht si një truk matematikor për ta shpjeguar rrezatimin e trupave të errët. Vetëm disa vite pas Plankut, në v. 1905, Ajnshtajni e vërtetoi se drita është një “rrjedhë” grimcash (rrjedhë thërmijore), babaxhani tregoi se “truku” matematikor i Plankut i vitit 1901 për t’supozuar se drita vjen si “pako energjie”, ose si grimca (sot të njohura si fotone, ashtu i quajmë “pakot” energjitike të Plankut) e shpjegon në mënyrë elegante efektin fotoelektrik, ku drita i “shqelmon” elektronet nga sipërfaqet metalike.

Ca vite më tutje, në v. 1913 do ta kishim “Atomin e Bohrit”, për fizikën kuantike modeli atomik i shkencëtarit Niels Bohr, si një “sistem i vogël diellor me orbita” diskrete për elektronet, ishte njëri ndër sukseset kyç të vetë fillimeve të vështira (siç e dimë fillimet gjithmonë të vështira janë). Një dekadë më tutje pas Bohrit, në v. 1922 zbulohet se atomet kanë vërtitje (rrotullim) të kuantizuar – Walther Gerlach dhe Otto Stern treguan eksperimentalisht se rrotullimi i një atomi është i kuantizuar dhe ekziston në dy gjendje diskrete.

Menjëherë pas “kuptimit” se vërtitja atomike është e kuantizuar, në v. 1925 do vinte Wolfgang Pauli me “Parimin i përjashtimit”, parimi i Paulit shpjegoi se si modeli i atomik i Bohrit mund t’lidhej me strukturën e tabelës periodike, dhe më vonë do zgjerohej për të gjitha fermionet. Po atë vit Werner Heisenberg, me prurjet gjithashtu të Max Born dhe Pascual Jordan, do e kompletonin “Formulimin e matricës së Teorisë Kuantike”.

Po atë vit, 1925, Louis de Broglie, në tezën e tij të doktoraturës, teorizoi se akëcila grimcë lëvizëse padyshim do e ketë një valë të “asociuar”. Teoria e tij e çimentoi konceptin e dualitetit valor-thërmijor në mekanikën kuantike. Të njëjtin vit, zbulohet dhe rrotullimi i elektronit, George Uhlenbeck dhe Samuel Goudsmit teorizuan se elektronet zotërojnë një momentum të brendshëm këndor, i njohur tani si “vërtitje” (rrotullim).
Një vit më pas, 1926 do e kishim prezantimin e ekuacionit të Shrodingerit, shkencëtari Erwin Schrödinger e solli ekuacionin valor, që është ekuacion qendror për mekanikën kuantike moderne. Shumë shpejt u vërtetua se formulimi i Schrödinger ishte ekuivalent me formulimin e mekanikës së matricës së Heisenberg.

Dhe kështu, ia fillojmë me “pionierët” Max Planck, Einstein, Niels Bohr, Walther Gerlach, Otto Stern, Wolfgang Pauli, Max Born, Pascual Jordan, Uhlenbeck, Samuel Goudsmit, Werner Heisenberg, Erwin Schrödinger dhe të tjerë shkencëtarë varg e varg… dhe gjërat pastaj erdhën e u konsoliduan për t’u kthyer në diç si gurëthemele të palëkundshme të mekanikës kuantike.

Anise, një dekadë më pastaj, në v. 1935 do vinte dhe përballja me çuditshmërinë kuantike, vetë Ajnshtajni sikur s’mund t’i “shmangej” çudisë kuantike, do e kishim të ashtuquajturin “Paradoks EPR”. I cili paradoks EPR është një eksperiment ideatik i propozuar nga fizikanët Albert Einstein, Boris Podolsky dhe Nathan Rosen (dmth. paradoks i treshes skeptike Einstein-Podolsky-Rosen, EPR). Eksperimenti i tyre argumentonte se përshkrimi i realitetit fizik nga mekanika kuantike është jo i plotë, se nuk e ka plotësinë reale. Tre shkencëtarët e prezantuan konceptin e “kokolepsjes” kuantike (entanglement) dhe diskutuan rreth implikimeve të konceptit (unë si joshkencëtar në shqip çudishmërinë kuantike e quaj diç si “kokolepsje” kuantike, ndonjëherë “ndërlidhje”, ndonjëherë “binjakëzim” kuantik : ) – termi “entanglement” qe krijuar po atë vit 1935, nga Schrödinger).

Treshja e shkencëtarëve të sipërpërmendur, thjesht si eksperiment ideatik që i përfshinte dy grimca të largëta të “kokolepsura”, me mendimet e tyre përfunduan se matja e pozicionit ose e momentumit të njërës grimcë mund ta zbulojë vlerën e pozicionit/momentumit të tjetrës. Fakti që grimca e dytë në dukje posedon vlera të paracaktuara (si për pozicionin ashtu dhe për momentumin) do binte ndesh me Parimin e Pasigurisë kuantike, gjë që i shtyri ata të konkludonin se mekanika kuantike s’mund të jetë një përshkrim i plotë i realitetit fizik. Ata sugjeruan se mund të ndërtohej një teori e plotë, e ngjashme me atë klasike, ndoshta duke përfshirë variabla të “të fshehura”, ose të “paarritshme”, të “padukshme” etj.

Sidoqoftë, po atë vit, 1935 do vinte Niels Bohr duke argumentuar të kundërtën, duke besuar për plotësinë (se mekanika kuantike është përshkrim i plotë i realitetit fizik). Bohr iu përgjigj publikimit rreth EPR përmes një artikulli me të njëjtin titull dhe me përgjigjen kundërshtuese. Ai kundërshtoi se paradoksi EPR bazohej në një argument të gabuar: meqenëse fizikisht s’mund të kryhet matje e njëkohshme e pozicionit dhe e momentumit – dy ndryshore këto (variabla) plotësuese – nuk ka asnjë mënyrë për të verifikuar eksperimentalisht se ato bashkëekzistojnë si veti të përcaktuara (të ndonjë grimce). Të dy dokumentet do ishin pjesë e një debati të gjatë rreth natyrës së mekanikës kuantike, që përfundimisht u zgjidh (në favor të Niels Bohr) nga teorema e John Stewart Bell, dhe me vërtetimet eksperimentale të teoremës.

Thuhet ashtu, edhe pse “debati” pothuaj s’ka përfunduar as sot e kësaj dite – ka përfunduar për disa aspekte, por jo për gjithçka. Si mund të quhet “debat i mbaruar” kur psh. sot, në bashkëkohësinë tonë, e kemi teorinë e quajtur “Gravitet Kuantik”, që është një term i përgjithshëm për teoritë që përpiqen ta “unifikojnë” gravitetin me forcat e tjera themelore të fizikës. Natyrisht, asfare e lehtë… graviteti tepër i “veçantë”, tepër fantomik a misterioz. Tani për tani shkencëtarët vetëm teorizojnë se grimca hipotetike “gravitoni” do ishte ndërmjetësi ideal për forcën gravitacionale.

Na duhet një “ndërmjetës” (sepse ashtu jemi “mësuar” me sukseset tjera), bie fjala, Modeli Standard i mekanikës kuantike na thotë që 3 forca themelore të fizikës ndërmjetësohen nga bozonet. Psh. për forcën elektromagnetike si ndërmjetësues i kemi fotonet – elektromagnetizmi i përdor fotonet për t’i shtyrë a tërhequr grimcat (që zotërojnë ngarkesë). Tutje, thuhet se bozonet W dhe Z ndërmjetësojnë për forcën e dobët bërthamore. Tutje thuhet se gluonet (psh. kuarket) ndërmjetësojnë për forcën e fuqishme bërthamore.

Këto fort bukur, por “gozhda” ku na ka ngecur sharra e tashme shkencore është pra Forca Gravitacionale, graviteti, gravitoni… supozojmë (shpresojmë) që gravitoni t’jetë ai “ndërmjetësi” që na duhet.
Dhe në përgjithësinë bazike, fizika na mëson se ekzistojnë 4 ndërveprime themelore (që janë baza e të gjitha bashkëveprimeve të njohura në natyrë). E këto janë 1 – forca gravitacionale, 2 – forca elektromagnetike, 3 – forca e fuqishme bërthamore, dhe 4 – e dobëta bërthamore. Anise ka teori spekulative që kanë propozuar madje + një forcë të 5-të (për t’i shpjeguar vëzhgimet e ndryshme të çuditshme, anormale, që nuk përshtaten me teoritë ekzistuese).

Dmth. me Modelin Standard (me teorinë shkencore më të avancuar ekzistente, si ngjeshje, rezultat i 4 shekujve shkencë) për 3 ndërveprime themelore të natyrës e kemi sadopak idenë, vetëm 1-ra na ka ngelur ende fantomike – Forca Gravitacionale. Jo vetëm se “gravitoni” është një grimcë virtuale, por gjithçka e teorisë të ashtuquajtur “Gravitet Kuantik” (që e përmendëm më lart) është thjesht një “koncept teorik”. Madje ka dhe teorizime që klasifikohen si “teori të gravitetit kuantik” por që s’kanë patjetër nevojë për “gravitonin”.

Kjo qasje na sugjeron se jo medoemos gravitoni do duhej ta luante “rolin kryesor” (rreth gravitetit, si ndërmjetës). Dhe pra, edhe pse gravitonin si grimcë hipotetike ende s’e kemi zbuluar, ja që të gjitha teorizimet sikur i “mbështjellim” rreth gravitonit. Mirëpo duke patur dhe “teori të gravitetit kuantik” që s’kanë patjetër nevojë për “gravitonin” – në të kaluarën rreth kësaj teme pata bërë shaka diku duke shkruar “…kjo do ishte pakashumë ngjashëm sikur të thoshim ‘natyrisht që Donald Trump është Superman, mirëpo jo medoemos duhet t’jetë Super. Apo më mirë t’mos e përmendim… pasi logjikisht do na e ngatërronte vetë lëmshin logjik’ : )

Teorikisht, teoricienët s’e mohojnë që ndoshta, jo vetem Gravitet, po ka madje dhe Supergravitet, e kanë shpikur një teori enkas për të. Paçka se ka ngelur dhe shumçka për t’u qartësuar rreth origjinës së kohë-hapësirës (ajnshtajniane). Gjithsesi, studiuesit e Gravitetit Kuantik (dmth. si teori e përgjithshme) thonë se graviteti është një bashkëveprim kuantik. Të thuash diç kështu është aq e madhe, është pohim GALA-GJIGANT, pohim jashtezakonisht i guximshëm, Dhe rishtas, anise të sigurtë s’janë rreth këtij pohimi, as që e kanë sqaruar “sigurinë” e tyre – por ja që kështu pohojnë.

S’ka asgjë të keqe të pohohet as të teorizohet. Por shkencëtarët e dinë që, madje dhe vetëm teorikisht, “Graviteti Kuantik” ballafaqohet me probleme serioze. Kjo sepse gravitacioni tani për tani shpjegohet përmes teorisë së Relativitetit të Përgjithshëm (të Ajnshtajnit, e cekëm që ka ngelur shumçka për t’u qartësuar rreth origjinës së kohë-hapësirës ajnshtajniane), e cilia teori për universin makroskopik thotë diç krejt tjetërfare, na “flet” për gjëra që në shkallën mikroskopike nuk përputhen me ato të mekanikes kuantike.

Dihet po ashtu që teoria e “Gravitetit Kuantik” ballafaqohet me problemin kryesor në vetvete – me faktin që testimet eksperimentale janë të pamundura. Teoritë në këtë drejtim kërkojnë nivele energjitike të paarritshme, ose të pakapërthyeshme me eksperimentet laboratorike. Si të testohet bie fjala “String-teoria”, ose “Superstring-teoria”, ose “M-teoria” (sa për t’i përmendur disa sosh që klasifikohen si “teori të gravitetit kuantik”)? Apo ndryshorja jashtëzakonisht komplekse, e ashtuquajtur “Tuistor-teori” (përdoret nga disa fizikanë të cilëve, për ta përshkruar kohë-hapësirën, iu pëlqen të teorizojnë “matematikisht”)?

Tani për tani s’e ka kush idenë si të testohen të tilla teori! Edhe vetë autori i editorialit të APS, Dagmar Bruß (mund ta lexoni më poshtë), në shkrimin e vet të shkurtër rreth 100-Vjetorit të Fizikës Kuantike e kishte shtruar pyetjen “A mund të kuantizohet graviteti dhe si munden eksperimentet të gjurmojnë shenja të gravitetit kuantik?”.

Sepse Graviteti Kuantik aq misterioz, aq i pakuptueshëm, aq i pakapshëm, aq i padukshëm… aq sa disa shkencëtarë madje dyshojnë nëse ekziston apo dhe fare. Ka sa të duash shkencëtarë skeptikë, të cilët e vëjnë në pikëpyetje ekzistencën e “gravitetit kuantik”. Psh. ka me dekada që fizikani Freeman Dyson pohon se ndoshta universi vetëm shtiret si univers “dualist”, ku fusha gravitacionale (e Relativitetit të Përgjithshëm) është thjesht një fushë klasike pa “veti kuantike”, anise e gjithë materia brenda kësaj vazhdimësie kohore-hapësinore kuantizohet në grimca që u binden rregullave të probabilitetit.

Sipas Daniel Harlow (Instituti i Teknologjisë së Masaçusets) – “…nuk ka dhe aq kuptim të përpiqesh ta kesh një teori në të cilën graviteti është klasik, ndërsa pjesa tjetër e fizikës na qenka kuantike. Argumentet teorike kundër modeleve të përziera kuantike-klasike janë të forta (anise jo përfundimtare). Nga ana tjetër, teoricienët kanë gabuar dhe më parë, kështu që nëse mund të testohet (nëse graviteti është një ‘forcë kuantike’) atëherë, pse jo? Nëse kjo do ua mbyllte gojën njerëzve (të cilët e vëjnë në dyshim kuantizmin e gravitetit) atëherë pse jo?”. Shih pra, vesesh debatik-e mjaft interesante, disa shkencëtarë-teoricienë thonë se ndoshta ka madje dhe Supergravitet kuantik, të tjerët dyshojnë se graviteti jo patjetër duhet t’jetë “kuantik”, ndoshta as që ka lidhje me kuantikat : )

Gjithsesi, 1 shekull zhvillimor i Fizikës Kuantike na bën të ndjehemi krenarë për arritjet e deritashme. Dorën në zemër, s’është s’e kemi arritur pak, e kemi një Everest me shkencash, anise ka ngelur dhe shumçka për ta “kuptuar” – sepse ndoshta kurrë s’mbarojnë misteret e universit. S’e mohon kush se janë bërë përparime gjigante, psh. Modeli Standard i fizikes moderne na e mundëson që 400 vjet zhvillim shkencor t’i “paketojmë” në 1 formulë të vetme, e prapë sikur ndjehemi në “fillim të fillimit” të udhës sonë zhvillimore. Padyshim duhet njësoj sikur dhe deri tani, hap pas hapi, gjithçka në kohën e vet, në shekullin e vet, gjithçka me hapat tanë të “vegjël”, me hapat e vegjël të Olldrinit por që janë hapa të mëdhenj të njerëzimit.

Se mos vetëm “Graviteti Kuantik” na mundon, ashtu-kështu universi i paskajshëm. Bie fjala flasim për “materien e errët”, pa ditur hiçasgjë rreth kësaj hipotetike të “errët” (thjesht sepse s’dimë me çfarë ta “mbushim” pjesën 80% të universit, pjesën që nuk e shohim por supozojmë se duhet t’jetë e mbushur me diç : ) Andaj e kemi quajtur “materie e errët”, “energji e errët”, thuase 80% e universit errësirë ndërsa 20% na qenka dritësirë. Ëndrrat e njeriut të pashtershme, urojmë ta kapërthejmë gjithë universin, por dhe nëse s’ia dalim ta bëjmë universin ekzakt 100% dritë, tekefundit me ëndrrat, “me imagjinatën mbështillet i gjithë universi”, vetë imagjinata u paraprin të gjitha shkencave – thoshte ai Ajnshtajni i madh : )

Për ta festuar këtë qindvjetor, editorët e APS i paskan mbledhur në një vend artikujt-botimet kyç, prurjet shkencore gjatë një shekulli, prurje që i “krijuan” themelet për fushën kuantike dhe që ishin pastaj zhvillim tutje i Fizikës Kuantike. Artikujt janë prezantuar në formën e një “kohëlinje shekullore”, koleksioni i APS “Quantum Foundation Collection” hapet me një editorial nga Dagmar Bruß (Universiteti Heinrich Heine, Düsseldorf), të cilin po jua sjell më poshtë – autori Bruß ofron një hyrje rreth kësaj historie emocionuese.

Gjithashtu, mund t’kihet qasje në të gjitha materialet e koleksionit “Quantum Foundation Collection” duke ndjekur linkun [ https://promo.aps.org/quantum-foundation-collection ]. Vërtet një dhuratë e bukur nga Shoqëria Amerikane e Fizikës, më e bukura nga më të bukurat, them se gjatë gjithë jetës sa jam marrë (nga pozita e një joshkencëtari : ) duke i përcjellur shkencat dhe avancimet, kurrë s’na është dhuruar diç kështu si të thuash “kompakte” dhe e çmuar. Ndoshta, dhe padyshim, duhet t’i jemi mirnjohës vetë “celebrimit shekullor”, ra 100-vjetori i Fizikës kuantike dhe ja, nga ekspertët e APS na dhurohet një copë e tortes së ëmbël : )

(senad guraziu – ars poetica, prill 2025)

***

Celebrimi i Shekullit të Parë të Fizikës Kuantike, dhe Përgatitja për Shekullin e ardhshëm
nga Dagmar Bruß (16 Prill 2025) – APS (American Physical Society)

Në këtë Vit Ndërkombëtar të Shkencës dhe Teknologjisë Kuantike, e festojmë njëqindvjetorin e fizikës kuantike. Përvjetori shënon zhvillimet teorike – duke përfshirë formulimet e Heisenberg dhe të Schrödinger të mekanikës kuantike – që u shpalosën me shpejtësi që nga v. 1925, dhe duke u mbështetur në kontributet më të hershme të rëndësishme që i krijuan konceptet thelbësore kuantike.

Njëqind vjet i përfshijnë rreth tre breza njerëzor. Ngjashëm, unë e shoh shekullin e fundit të fizikës kuantike si përparim gjatë tre brezave të njëpasnjëshëm, por të ndërthurur mes vete.

Brezi i parë kuantik ishte një epokë e mistereve dhe e të kuptuarit të tyre. Punimet novatore të kësaj periudhe e prezantuan një përshkrim formal kuanto-mekanik të realitetit fizik. Në të njëjtën kohë, kjo epokë i shpalosi studiuesit që përpiqeshin t’i përballonin fenomenet kundër-intuitive – duke përfshirë ndërlidhjen (binjakëzimin) kuantik dhe jolokalitetin e lidhur me të – fenomene të “çuditshme” që rezultonin nga formalizmi kuantik.

Gjenerata e dytë kuantike ishte ajo e konsolidimit të njohurive dhe e aplikimeve. Kjo epokë e solli “revolucionin e parë kuantik” – një seri përparimesh teknologjike që i kanë bërë efektet kuantike pjesë të jetës sonë të përditshme. Aparatët laser-ike, imazhet me rezonancë magnetike dhe qarqet e integruara, të gjitha këto janë shembuj të teknologjive kuantike. Teoria kuantike filloi gjithashtu me riformimin e fushave të tilla si kimia, shkenca e materialeve, astrofizika dhe kozmologjia. Kjo periudhë erdhi me një pranim gradual të efekteve të veçanta, efekte që shfaqen nën regjimin kuantik.

Tipari karakteristik i gjeneratës së tretë kuantike është lidhja me shkencën e informacionit. Pasi u “pajtuan” me çuditshmërinë kuantike, shkencëtarët e kuptuan se bota kuantike ka fuqi të madhe, qenësore për përpunimin e informacionit kuantik. Duke i shfrytëzuar ligjet kuantike të natyrës, ata shpikën mënyra për t’kryer llogaritje kompjuterike, e avancuan komunikimin, simulimin dhe ndjeshmërinë makinale me efikasitet dhe siguri të pakrahasueshme. Përpjekjet për t’i zbatuar këto teknologji divizionale qëndrojnë në thelbin e kërkimeve bashkëkohore.

Gjatë gjeneratës së parë kuantike, zhvillimi i teorisë shkoi paralelisht me diskutimin e dyshimeve, paradokseve dhe interpretimeve të mundshme të mekanikës kuantike.

Gjatë gjeneratës së dytë kuantike, kontributet pioniere përfshinin njohuri mbi efektet topologjike, si dhe konceptimin e eksperimenteve për t’i vërtetuar vetitë e debatuara kuantike-mekanike, si psh. jolokaliteti, kontekstualiteti dhe dualiteti i valores-thërmijores. Këto ide u testuan me sukses ndër eksperimente të ndryshme, kur teknologjia e përshtatshme qe bërë e disponueshme.

Gjenerata e tretë kuantike u hap nga prurjet studimore ose botimet që i ndërtuan themelet e shkencës kuantike të informacionit. “Teorema e mosklonimit” tregoi mundësinë e arritjes së sigurisë së pathyeshme në komunikimin kuantik. Punime të tjera të rëndësishme vunë në dukje mundësinë e ndërtimit të një kompjuteri kuantik universal, dhe të arritjes së një avantazhi kompjuterik kuantik në aplikimet praktike. Paralelisht me shkencën kuantike të informacionit, kërkimi themelor filloi të ndiqte drejtime të reja dhe alternative.

Ndërsa hyjmë në një shekull të ri të shkencës kuantike, ne e pyesim veten sa “shkallmuese” do t’jenë teknologjitë kuantike të informacionit dhe në cilat afate kohore do t’ndjehet ndikimi i tyre i plotë. Por kërkimi kuantik i ardhshëm do duhet të trajtojë shumë më tepër sesa vetëm zhvillimin teknologjik. Pas 100 vjet të mekanikës kuantike, disa çështje themelore mbeten pjesërisht ose plotësisht të pazgjidhura. A mund ta kuptojmë kufirin mes botës kuantike dhe asaj klasike? Si mund të rrjedhin ligjet e termodinamikës klasike nga mekanika kuantike? A mund të kuantizohet graviteti dhe si munden eksperimentet të gjurmojnë shenja të gravitetit kuantik? Padyshim do t’lindin dhe shumë pyetje të tjera, që ne sot s’mund as t’i imagjinojmë.

Sigurisht, kërkimi mbi aspektet themelore të fizikës kuantike do t’jetë po aq i nevojshëm në të ardhmen, njësoj siç ishte dhe në shekullin e parë të zhvillimit. Dhe siç ka treguar gjerësisht historia, të ashtuquajturat “kërcime kuantike” në teknologji, në përgjithësi janë fryt i përparimeve themelore.

– – – dhe, shkurtimisht, diç si kohëlinje – – –

[ Kohëlinjë e zhvillimit të Fizikës Kuantike ]

1901 – Konstanta e Plankut
1905 – Drita është një “rrjedhë” grimcash (rrjedhë thërmijore)
1913 – Atomi i Bohrit
1922 – Atomet kanë vërtitje (rrotullim) të kuantizuar
1923 – Drita s’është thjesht fenomen i kulluar valor
1925 – Parimi i përjashtimit, i Paulit
1925 – Formulimi i matricës së teorisë kuantike
1925 – Sjellja valore e materies
1925 – Zbulohet rrotullimi i elektronit
1926 – Prezantimi i ekuacionit të Shrodingerit
1927 – Elektronet sillen si valë
1927 – Kuptimi i funksionit valor
1928 – Teoria kuantike e elektroneve nënkupton ekzistencën e antimateries
1929 – Përgjithësimi i Parimit të Pasigurisë
1929 – Përshkrimi kuantik i trupave të ngurtë
1935 – Paradoksi EPR – Përballja me çuditshmërinë kuantike
1935 – Bohri argumenton për plotësinë
1935 – Macja e Shrodingerit shfaqet për herë të parë
1948 – Shuma (përmbledhja) e të gjitha shtigjeve
1951 – Farat e Teorisë Kuantike të Fushës
1952 – Interpretim i Mekanikës Kuantike pa hamendësime
1957 – Interpretimi i shumë-botësisë i Mekanikës Kuantike
1959 – Rëndësia e potencialeve elektromagnetike
1964 – Bell e kthen një debat filozofik në teste eksperimentale
1967 – Kontekstualiteti në teoritë e ndryshoreve (variablave) të fshehura
1972 – Venerohet Ndërlidhja Kuantike (Binjakëzimi kuantik)
1978 – Ide jointuitive rreth shkakësisë
1982 – Gjendjet kuantike s’mund të klonohen
1982 – Teste më të fuqishme të pabarazive të Bell
1984 – Një fazë për evolucionin kuantik
1984 – Kriptografia e bazuar në mekanikën kuantike
1985 – Një kompjuter kuantik universal
1990 – Teste më të fuqishme rreth jolokalitetit kuantik
1991 – Ndërhyrjet (interferencat) kuantike dhe padallueshmëria
1993 – Paradoksi i Hardy – një tjetër goditje kundër variablave të fshehura
1994 – A mund t’jetë jolokaliteti kuantik një aksiomë?

Please follow and like us: