Trump synon Kanadanë si shtetin e 51-të të “çmuar” në ditën e zgjedhjeve
Kanadezët po votojnë sot në zgjedhjet e parakohshme – ku liberalët në pushtet të kryeministrit Mark Carney përballen me konservatorët e opozitës, të udhëhequr nga Pierre Poilievre.
Presidenti i SHBA-së Donald Trump përsëriti sot thirrjet e tij që Kanadaja të bëhet “Shteti i 51-të i çmuar i Shteteve të Bashkuara”, një propozim i refuzuar nga politikanët kryesorë kanadezë dhe votuesit.
Tarifat e Trump kundër Kanadasë, pjesë e politikës së tij të gjerë tarifore, shkaktuan zemërim te ligjvënësit dhe banorët – duke u parë si një akt bulizimi kundër një fqinji më të vogël dhe më të dobët – që ka qëndruar prej kohësh me SHBA-në.
Carney, një ish-bankier – ka kryesuar në sondazhe – i nxitur nga qëndrimi tregtar luftarak i Trump dhe kërcënimet për aneksim.
Carney e ka pozicionuar veten si një figurë stabilizuese dhe mbështetëse e diversifikimit të lidhjeve tregtare me Evropën dhe Azinë – për të reduktuar varësinë nga SHBA-ja.
Ndërkohë, Poilievre ka bërë fushatë mbi një platformë për uljen e taksave dhe shpenzimeve qeveritare.
Pas gati një dekade në pushtet, Liberalët dukeshin të lodhur dhe Konservatorët e Poilievre hynë në garë me një fitore te sigurt. Por, Trump i ndryshoi të gjitha këto.
Qasja populiste e Poilievre dhe retorika në stilin Trump duket se kanë shqetësuar disa votues mes tensioneve të larta me Uashingtonin.
Trump, me sa duket i pavetëdijshëm për vlerësimet e tij, kryesisht të pafavorshme nga veriu – tha se me Kanadanë si shteti i 51-të, “nuk do të kishte asnjë vijë kufitare artificiale krahasuar me shumë vite më parë”.
“Shikoni sa e bukur do të ishte kjo masë tokësore. Qasje e lirë PA KUFI”, shkroi Trump në platformën e tij “Truth Social”.
Trump, duke iu referuar vetes, u bëri thirrje votuesve kanadezë të zgjidhin njeriun që kishte forcën dhe mençurinë për të përgjysmuar taksat, për të rritur fuqinë ushtarake, falas, në nivelin më të lartë në “Botë” dhe për të ulur tarifat.
“Amerika nuk mund ta subvencionojë më Kanadanë me “Qindra Miliarda Dollarë” në vit që kemi shpenzuar në të kaluarën. Nuk ka kuptim nëse Kanadaja nuk është një Shtet”, tha Trump.
Rreth 29 milionë kanadezë kanë të drejtë të zgjedhin të 343 anëtarët e Dhomës së Komuneve në Otavë – ndërsa sondazhet përfundimtare të opinionit kanë favorizuar Liberalët e qendrës së majtë të Carney, megjithëse Konservatorët e Poilievre e kishin ngushtuar hendekun.
“Më shumë se 7 milionë kanadezë kanë hedhur tashmë votat e tyre – një rekord historik”, sipas zyrtarëve të zgjedhjeve.
Rezultatet e para priten të dalin menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit sot në mbrëmje./atsh