Dr. Iris Halili: Vatra – 113 vite në shërbim të gjuhës shqipe!
Dr. Iris Halili*/
Gjuha shqipe është pasuria më e madhe që trashëgojmë si komb. Trojet na i ndanë, njerëzit u shpërndanë si zogjtë e korbit, por gjuha mbeti e pavdekshme dhe do të mbetet e tillë për sa kohë çdo shqiptar i mirë vendos t’i thotë bukës – bukë dhe ujit – ujë kudo ta ketë ndërtuar jetën…
Amaneti nuk tretet, misioni vazhdon!
Te Kisha e Shën Gjergjit apo sikur njihet nga të gjithë Kisha e Imzot Fan Nolit, u zhvilluan të gjitha mbledhjet përgatitore për formimin e Federatës Vatra si dhe po tek kjo kishë në 28 Prill të vitit 2012 u krye takimi vendimtar dhe u shpall krijimi i këtij institucioni madhështor që i rezistoi të gjitha kohëvë. Kështu Bostoni shënoi degën e parë të Federatës Vatra. Por ju keni fatin të keni edhe numrin më të madh të trashgimtarëve të ish anëtarëve të Federatës Vatra që nga koha e themelimit. Dhe kështu ju jeni padyshim dëshmia më e vërtetë e gjurmëve në të cilat ka ecuar Federata jonë në këto 113 vite, gjurmë këto që trashëgohen dhe nuk shuhen kurrë. Atdhetarët e shquar në mërgim e krijuan Vatrën me mision të lartë, për të ruajtur gjuhën dhe traditat e shqiptarëve në Amerikë!
Pas 113 vjetësh, ne mund t’u themi krenarë këtyre atdhetarëve se amaneti është mbajtur, se Vatra është ende institucioni më jetëgjatë shqiptar, se gazeta Dielli si botim i saj vazhdon të mbetet gazeta më e vjetër shqiptare dhe ajo vazhdon të botohet çdo muaj dhe publikohet çdo ditë online dhe kjo falë ndihmës së çdo vatrani.
Unë zgjodha të flas për kontributin që duhet të ketë Vatra në ruajtje të gjuhës shqipe pasi mendoj se amaneti i ruajtjes së gjuhës duhet të na lërë pa gjumë. Një ndër arësyet që Vatra na bën krenarë është se tek ajo gjejmë sintezën e historisë së shqiptarëve që për shekuj e ruajtën dhe trashëguan gjuhën e tyre, dhe kështu ia lanë trashëgim brezave. Vatra, përmes gazetës së saj ‘Dielli’, apo edhe përmes themeluesve dhe drejtuesve të saj, u është drejtuar shqiptarëve në shqip duke e ngritur kështu nivelin e gjuhës shqipe në standartet më të larta. Asnjë shqiptar në emigracion, por edhe jo vetëm, nuk i ka ofruar letërsisë, polemikës, politikës dhe publicistikës shqiptare më shumë lartësim të gjuhës shqipe sesa kolosët e Vatrës, Noli dhe Konica. Por ata ishin më shumë se kaq; ata ishin sociologët, politologët, publicistët, kritikët letrarë, muzikologët, përkthyesit, historianët më të shquar në emigracion dhe jo vetëm.
Dhe ata e bënë këtë vetëm duke u folur dhe shkruar bashkëkombasve në shqip. Gjithashtu Federata Vatra e drejtuar prej tyre, shumë herë ndihmoi edhe financiarisht shkollat shqiptare kur mësonte se ato ishin mbyllur në Shqipëri apo kudo ku jetonin shqiptarë. Anafalbetizmi i lëndonte korifejtë. Për ta, sikur për të gjithë rilindasit, shkolla shqipe ishte rruga e vetme drejt lirisë dhe sigurisë kombëtare. I përmend këto për të theksuar se ne Vatranët kemi një traditë të fortë nga paraardhësit kur vjen puna tek ruajtja dhe përsosja e gjuhës shqipe. Por ne po jetojmë në kohë të tjera dhe po përballemi me probleme të tjera.
Sot ka më shumë shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve autoktonë sesa brenda tyre. Sot më shumë se ¾ e shqiptarëve që jetojnë jashtë trojeve nuk u mësojnë fëmijëve shqip. Gjuha shqipe po rrezikon të humbas me shpejtësi marramendëse. Brezi i dytë i emigrantëve nuk merr përsipër t’u mësojë fëmijëve gjuhën shqipe, ndërsa vihet re se edhe edhe brezi i parë i tyre nuk ka qenë shumë i fokusuar në të. Nëse ka një detyrë shtëpie të brendshme dhe emergjente që Federata Vatra duhet të fokusohet unë mendoj se ajo është krijimi i strategjive për ruajtjen e gjuhës shqipe. Nëse emigrantët shqiptarë nuk ia trashëgojnë gjuhën brezave të ardhshëm, kjo do të ishte një humbje e madh për shqiptarizmën, pasi gjuha, më shumë se çdo gjë tjetër, na identifikon si komb dhe si shqiptarë. Ajo na bashkon si atdhetarë.
Edhe kur kufijtë na i rrëmbyen gjuha sërisht na mbajti bashkë. Më kujtohet Imzot Fan Noli kur theksonte se ka më shumë shqiptarë që flasin shqip në Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoni, sesa flasin brenda trungut mëmë. Nëse duam të bashkohemi, këtë do ta arrijmë mbi të gjitha falë gjuhës tonë të përbashkët, që na mbledh rreth një flamuri, atij të Skënderbeut. Unë mendoj se puna e mirë tashmë ka filluar. Vetë Federata Vatra, brenda këtij viti, falë punës në disa degë dhe vullnetit të mirë të disa antarëve të saj, ka hapur 4 shkolla shqipe. Ky rrugëtim nisi me krijim e Klubit “Flas Shqip” në Miami, në muajin Maj të vitit 2024, ku prej një viti në këtë klub zhvillohet mësimi i gjuhës shqipe krejt falas dhe kështu arritëm të kemi mbi 70 nxënës nga familje me prejardhje nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mal i Zi. Kjo nismë u pasua në Tetor 2024 me rihapjen pas gati një dekade të shkollës së Tampës nga dega e Vatrës Tampa, ndërkohë në Dhjetor 2024 u hap shkolla “Gjergj Fishta” nga dega e Long Island dhe së fundmi, në Mars u hap shkolla e Vatra Hartfordit.
Në momentet që flasim, Federata Vatra, falë punës së katër degëve, mund të krenohet me hapjen tashmë të katër shkollave shqipe në SHBA, por kjo duhet të jetë si një fushatë që nuk duhet të ndalet. Ka ardhur momenti delikat ku Vatra duhet të ketë në mision parësor hapjen e sa më shumë shkollave të gjuhës shqipe gjithandej ku ka degë të regjistruara, duke e kthyer shkollën shqipe FALAS si detyrë shtëpie për çdo degë të saj.
Sot janë afro 250 fëmijë që mësojnë shqip falë këtyre degëve të Vatrës. Vitin tjetër, kur të festojmë 114-vjetorin duhet të synojmë të kemi 1500 fëmijë dhe pas dy vjetësh të kemi 5000 fëmijë. Motoja jonë për të ardhmen duhet të jetë: “Asnjë fëmijë shqiptar të mos mbetet pa njohur të paktën 1000 fjalë të gjuhës së nënës”. Ndërkohë Federata Vatra duhet të vazhdojë të mbështesë (sikur ka bërë deri tani me fisnikërinë që trashëgon) çdo shkollë shqipe të hapur në emigracion dhe të mbetet përmes gazetës “Dielli”, zëri dhe imazhi i tyre kryesor në publik.
Sikurse kam propozuar edhe disa vite më parë, kriteri kryesor që një student të marë bursë nga Vatra është njohja e gjuhës shqipe rrjedhshëm. Në këtë mënyrë ne do i motivojmë fëmijët tanë të mësojnë shqipen edhe kur shumë prej tyre mendojnë se ajo nuk do u duhet në jetën amerikane. Ndërkohë duhet punuar me bizneset shqiptare në SHBA për të siguruar fonde edhe më të mëdha pikërisht për të finacuar këto bursa. Biznesi shqiptar duhet të ndërgjegjësohet për këtë problem kombëtar dhe ndërgjegjësimi i tyre mbetet detyrë e çdo vatrani të mirë. Do të ishte e udhës që Federata Vatra sërisht me ndihmën e anëtarësisë duhet të bëjë një punë më konkrete për angazhimin e ish -mësueseve shqiptar në emigracion duke i riaktivizuar ato në shkollat e saj nëpër degë.
Si përfundim do të shtoja se puna që kemi për të bërë në komunitetet tona kudo ku jetojmë sigurisht nuk do të përqëndrohet vetëm tek mësimi i gjuhës shqipe tek fëmijët tanë, pasi ruajtja e vlerave dhe kulturës kombëtare është edhe më shumë se kaq, por përsëri mendoj se jemi në një pikë të historisë sonë kombëtare dhe të emigracionit ekstrem ku nëse kemi pese objektiva për të kryer amanetin e korifejve të Vatrës, dhe do të mund të kryenim vetëm një, unë sërish do të thoja: “T’u mësojmë gjuhën shqipe fëmijve” pasi ajo do i lidh më shumë me njëri tjetrin, do i lidh më shumë me Atdheun e prindërve të tyre si dhe me kulturën shqiptare, do i vendos ata në një rreth apo komunitet ku do të forcojnë miqësitë fëminore që nuk prishen kurrë duke forcuar kështu lobin shqiptar në emigracion, por mbi të gjitha vetëm kështu shqipja nuk do reduktohet vetëm brënda kufijve autoktonë.
Të parët tanë, ndonëse nën thundrën e turkut, grekut apo serbit, nuk e mohuan gjuhën, nuk e zëvëndësuan atë, përkundrazi na e lanë si thesarin më të çmuar të trashëgimisë sonë. Gjuha na dallon. Ajo na nderon. Kur çdo cilësi e jona apo edhe pjesë të historisë sonë mund të debatohen, gjuha jonë shqipe nuk has fare debat. Ajo ka qënë, është dhe do të mbetet e JONA! Kaq mjafton që ta ruajmë me fanatizmin më të madh kudo jetojmë!
Gëzuar 113-vjetorin e Vatrës, Institucionit më të vjetër të shqiptarëve kudo janë! Vatra ndër vite lëndohet, thërmohet, zvogëlohet, por sërisht forcohet, bashkohet, zhvillohet, pasi ajo ka bekimin e korifejve të kombit, ka vulën e krijuar prej tyre dhe si e tillë ajo nuk do të vdesë kurrë, pasi edhe amaneti nuk vdes për sa kohë ka njerëz të mirë që i thonë vetes me plot gojën: JAM SHQIPTAR!
*Fjala e mbajtur në Boston me rastin e 113 -vjetorit të themelimit të Federatës Pan Shqiptare Vatra.