Albspirit

Media/News/Publishing

Ismet Hajrullahu: Pyjet nuk mund të flasin vetë, por ne mund të bëhemi zëri i tyre!

Duke keqtrajuar pasuritë tona pyjore, i marrim frymën së ardhmes sonë, brezave që do të vijnë!

Çdo sharrë që fiket, lë pas një copëz të zhdukur nga zemra e natyrës…

Dhe ajo që po ndodh në vazhdimësi, para hundës sonë, nuk është vetëm shkatërrimi i pyjeve, por është shkatërrimi i vetë jetës sonë.

Unë jetoj në një zone malore, kur dikur pyjet mbulonin gjithçka, e që sot, nuk është më njëjta pamje…

Sot, gjithçka që shoh, janë pyje të prera pa kriter e pa asnjë planifikim, se si mund të zëvendësohen ato?…

Zhurma e sharrave, pothuajse ka zëvendësuar cicërimat e zogjve dhe pamja e pyjeve çdo vit pëson një ndryshim drastik.

Nuk janë vetëm pyjet që po i humbasim, ne me vetedije jemi pjesëmarrës në shkatërrimin e natyrës dhe vetë jetës sonë…

Një dru i prerë sot është një borxh ndaj të ardhmes, që nuk do ta shlyejmë dot.

Shikoj çdo ditë ata që vijnë me sharrat e tyre, duke shkatërruar pyjet e duke i prerë pa kriter.

Shikoj autoritetet që qëndrojnë pasivë, të heshtur, ndërsa tokës i merret fryma e fundit.

Shikoj shitësit e drunjëve, që nuk mendojnë për pasojat afatgjata, duke bërë tregti, e të pa ndërgjegjshëm, për dëmin që po shkaktojnë.

Ligjet që mbrojnë pyjet nuk mund të mbeten vetëm fjalë, ato duhet të zbatohen me rreptësi dhe në vazhdimësi.

Autoritetet duhet të ndërmarrin hapa konkretë për të ndaluar prerjet ilegale dhe për të kthyer në jetë tokat e shkatërruara.

Për ne, që e përjetojmë këtë shkatërrim çdo ditë, përben një realitet te hidhur, që nuk mund të injorohet më!

Ata që i presin drunjtë, shpesh nuk e kuptojnë se çdo dru i prerë është një pjesë e natyrës, që nuk mund të zëvendësohet lehtësisht. Ata shohin vetëm fitimin e momentit, pa reflektuar mbi pasojat e tyre. Ajri që thithim bëhet më i ndotur. Toka, pa rrënjët e drunjve, rrëshqet dhe thahet. Burimet e ujit zhduken dhe ekosistemi ynë i fillon të shkatërrohet…

Por më e dhimbshmja është heshtja e atyre që duhet të mbrojnë këtë pasuri të çmuar… Kur ligjet mbeten të pashkelura dhe autoritetet shohin nga larg, katastrofa vetëm sa përkeqësohet.

Ata që janë të thirrur për të mbrojtur pyjet, duhet të marrin masa konkrete dhe të ndalojnë prerjet pa kriter. Çdo dru që pritet duhet të zëvendësohet me një dru të ri. Nuk mund të vazhdojmë të shkatërrojmë atë që na mban gjallë.

Mendoj, se ne si shoqëri duhet të ndërgjegjësohemi dhe të ngrehim zërin kundër shkatërrimit të pyjeve dhe natyrës në përgjithësi.

Secili prej nesh ka një rol të rëndësishëm për të luajtur. Çdo njeri mund të bëjë diçka për të mbrojtur pyjet. Mbjellja e drunjëve të rinj është një hap i rëndësishëm. Edukimi i brezave te rinj për rëndësinë e pyjeve dhe organizimi i aktiviteteve të ndryshme, janë hapa që secili prej nesh mund t’i ndërmarrë. Pyjet nuk mund të flasin vetë, por ne mund të bëhemi zëri i tyre. Çdo dru i mbjellë është një shpresë për të nesërmen, çdo veprim për mbrojtjen e tyre është një hap drejt shpëtimit të natyrës.

Unë jetoj këtu, dhe e shoh çdo ditë se si po shkatërrohet ajo që është më e çmuara për ne- natyra! Pyjet po vdesin. Çdo dru i shpëtuar sot është një frymë për botën e nesërme.

Është momenti që të reflektojmë dhe te themi: “Jo më”!

Nëse nuk mbrojmë pyjet sot, nesër nuk do të kemi më asgjë për të mbrojtur!

Please follow and like us: