“Themeluesi – Lidershipi i Ismail Qemalit”, versioni në anglisht i pasuruar me fakte të reja historike
Studiuesi Evarist Beqiri solli në anglisht, librin e tij “Themeluesi – Lidershipi i Ismail Qemalit”.
Ky version, për lexuesin ndërkombëtar, vjen pas 4 ribotimeve të përditësuara në shqip. Ismail Qemal Vlora vjen në një dimension të ri në librin “The Founder-Ismail Qemal Vlora on Leadership”. Ky botim nuk është thjesht një përkthim, por një rishkrim i plotë, i pasuruar me fakte të reja historike. Përveç titujve të krerëve kryesorë, e gjithë përmbajtja e librit është rishkruar.
Vepra ka një dimension aktual. Ajo e lidh trashëgiminë e Ismail Qemalit me debatet e sotme për lidershipin dhe identitetin kombëtar.
Për lexuesit ndërkombëtarë, ky botim në anglisht është një dritare drejt historisë shqiptare, duke nxjerrë në pah rolin e Ismail Qemal Vlorës, si një figurë jo vetëm rajonale, por edhe me ndikim në skenën evropiane të fillim shekullit XX. Për shqiptarët, libri është një mundësi për t’u rikthyer tek rrënjët e tyre dhe për të nxjerrë mësime nga vizioni i tij për bashkim e përparim.
Autori e përshkruan Ismail Qemalin si një lider vizionar, i cili kishte aftësinë që ta parashikonte ndryshimin dhe ta përballonte me sukses atë.
“Qysh kur shërbeu si guvernator i provincave të Perandorisë Osmane, ai u përpoq gjithmonë të pajtonte interesat dhe sjelljet e grupeve të ndryshme etnike. Zotësia e tij si negociator dhe diplomat i zoti do të shfaqej në zbutjen e kundërshtive fetare që turbullonin Jerusalemin, si dhe në paqtimin e druzëve dhe etnive të tjera të keqtrajtuara në Siri dhe Liban, ku ai shërbeu si guvernator i përgjithshëm. Ismail Qemali i mbështeti hebrenjtë dhe armenët, atëherë kur Evropa iu kishte kthyer shpinën”, shkruan Evarist Beqiri.
Autori shkon përtej narrativave tradicionale historike dhe ofron një portret autentik dhe bashkëkohor të Ismail Qemal Vlorës si lider: një njeri me kurajë morale, qartësi strategjike, dhe një aftësi të jashtëzakonshme për të ndërtuar konsensus, në kohë të turbullta për kombin shqiptar./atsh