Anës së përtejme (të gjuhës) – Disa poezi më të “moçme”
ANËS SË PËRTEJME (TË GJUHËS)
Senad Guraziu, 2012
(në driza janë gjarpijt e zez / e rrijnë buzë në buzë / e rrijnë buzë në buzë, / e jeta e tyne asht e bardhë… – Martin Camaj)
Për hir të frymës që gjithë jetën
jua fala, sot ju germa të zeza
do doja… t’ishit të bardha.
***
T’na qëllonin me penat drejt
e në sy, akt më fisnik do ishte,
madje dhe diç si ngushëllim,
p.sh. Homerin s’e vrisnin
germat… në verbërinë e tij.
Anës përtej, “buzë në buzë,
në driza” serpentë djerrinash,
zvarranikë ligatinash, zezona
fsheh mjeranë që as idenë si
merrni frymë ju… nuk e kanë.
Por ja që dinë ta shkrepin, secili
e ka një gisht të marrëzisë – me
plumbash gome vrasin poezi,
vrasin zogj e miqësi, çdo gjë që
vret gomëzeza… e hipokrizisë.
Germat e tyre vrasin shqip, me
paramendim, gjithçka që merr
frymë, me gjuhëzezën e ligë,
gjuhës më të ëmbël, gjuhës së
perëndisë… ia vrasin pafajësinë.
HOMER NË HUMNERË
Senad Guraziu
Meteori s’ishte meteor,
ishte Feniks, do t’kridhej
në flakë, mbase ai cikli
i tij, nuk u tret, jo mo jo,
vetëm u zhduk nga sytë
për ca kohë, implodoi
në oqeanin e bebzave,
diku larg, n’Vlladivostok.
Sytë e Homerëve s’panë
gjë, si u nis cunami, si
shteroi oqeani, meteori
e shkrumboi tokën,
florën, faunën, por
e gjithë bota e dinë,
krateri aty është,
si gropëzezë e thellë,
vetëm Homeri ynë
kryeneç, do bjer n’humnerë,
ka vendosur të niset pa
shkopin, pa qenin, pa
udhërrëfyesin e vet.
Vallë kush i fryn prushit
t’parë poetik, si nis zjarri
i krizalidës, kur acar
zemrash me vite, dhe
vetë statuja mërdhin,
akull e ftohtë, do t’ndizen
vallë ata pishtarë të Naimit,
në errësirën e kraharorit
të bronztë.
Të shtrenjtat Muza
pse heshtni, pse s’shoh
zogj n’fluturim, pse
nuk vijnë, pse as ciu as
pipëtimë, as xixë, shkrepje
stralli, tym as eshkë,
çakmak matufësh
dekadentë, pse nga
Delfi asnjë shenjë!
Ti meteori ynë i zjarrtë,
njësoj si Apolloni
që vetë Muzat i frymëzon,
na i fal ca xixa, ca x-ja,
ca q-ja për qirinjtë,
pak dritë e frymëzim,
për festivalin tonë
Rreth Q-së së Madhe,
brenda Q-së gjigante,
vërtiten q-jat e i-jat e mizave,
x-jat e xixave, kalamendur,
gjoja si flutura pa krahë,
thuase trans dervishësh,
dehur me pastërtinë
e dritës, me pafajësinë e zjarrit,
me vetë Q-në e madhe
të Qiriut të Madh.
HANXHIU NË HALLE
Senad Guraziu, 2001
në hanin tonë njëmijë udhëtarë
kaluan natën, bajgat nëpër saç
pranvera sython me bar të keq
shenjë e ligë, keni për t’parë
qengji-qengjit do i thotë “plaç”
ustallarët do shtiren kryeneçë
tash është dimër, borë e bardhë
bar të thatë, barishte, jo spinaq
lejlekët vijnë nesër për përpeq
ballë i oxhakut, plak përmbi plak
tre rreshta urtësi, tre renda fli
oxhaku s’e ngroh një dordolec
me gisht përzien qullin, qullu pak
me tre rreshta bën një fli-mrekulli
me tri tulla e tri krande një kotec
njëmijë opinga, asnjë e majtë
njëmijë opinga, asnjë e djathtë
hanxhiu s’ka brumë për kulaç
minjtë po qeshin nën samar oiii
usta hanxhi ore zotni dallavesh
kot e ke, lejlekëve s’ua hedh dot.