Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Argëzon Sulejmani

Makinë e memorjes

Kur zemra e tij
S’jepte më shumë se një shirit të drejtë
Në diagramin e ritmit të jetës
Ajo e puliti për herë të mbrame
Ngrohtësinë parzmore të diellit të vet
Shqepi vetëm unazën dhe celularin nga
Anatomia që i kishte lënë të gjitha
U gjymtos dhe mori e hyri
Në atë qark floriri tanësisht
Po me atë gjymtyrë mori e fshiu gjithçka
Nga telefoni i tij
Veç vetes
Në atë makinë tashmë do ishin veç ata dy
Si në përrallat me dashuri e pa botë:
Do niste vërtitjen nëpër
Bisedat e tyre mbi dritën e vetme
Që do i tokëzonte nga tash e tutje
Ajo zhagitje i përngjante
Ngjitjes me litar drejt qiellit
Do niste jetën mbrapsht
Mbrapsht deri ditën që
Bisedat do soseshin dhe
Për hak të tyre do duhej shkuar
Me ngut te ai trup i ftohtë në gjumë
Sikur mëngjeseve të vona kur
Matanë receptorit vinte një zë i rreptë zyrtar
Që kërkonte arsyetimin e mospranisë
Së tij
Përmendu, zgjohu, çakordohu:
“Më janë sosur të gjitha përgjigjet e kësaj bote”!

Hija

Qenka rritur fiku
I mbjellë para ca motesh
Dhe këtë nuk e paskam
Vënë re
As kur me gjethen e tij
Mund të mbulohesha adamçe
As kur shtati i tij
Më kishte tejkaluar plepçe
As në rastin kur më kishte
Joshur mëkatisht me zemrën e kuqe
Veç sot e kuptova sa
Qenka rritur fiku
Sot kur hija e tij
Ishte bërë ishull buzë diellnajës
Bënte vapë gushti dhe
Kjo oazë mejtimesh
Ma bëri të ditur sërishmi se
Vonesat gjithnjë
Të lënë në hije.

Si në legjendat arnaute

Kam ngjy thonjtë në vjollce, nanë
Dua fort me i pri beharit
Të ngutet fill pas meje, nanë
Mu në vlugun e acarit.

Nuk janë thonj çulli, loke
Lumi i kuq nuk stepet kurrë
Janë gishtërinj nuseje, loke
Duar që babën e bajnë gurë.

Gurë mbi kokën time, bac
Një kështjellë me atribute
Bëhesh log i çikës, bac
Si në legjendat arnaute

Në ta nxiva xhanin, nëno
Dhe për mua hanën lute
Qiejsh e gjejë gjininë, nëno
Si në legjendat arnaute.

Please follow and like us: