Albspirit

Media/News/Publishing

SHBA shpall sanksione të reja ndaj Iranit përpara bisedimeve të ardhshme bërthamore

 Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën sot sanksione ndaj subjekteve – që akuzohen për përfshirje në tregtinë e paligjshme të naftës dhe petrokimikateve iraniane – përpara raundit të ri të negociatave SHBA-Iran të shtunën – ndërsa Uashingtoni kërkon të rrisë presionin mbi Teheranin, sipas “Reuters”.

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) tha në një deklaratë se po vendoste sanksione ndaj shtatë subjekteve me qendër në Emiratet e Bashkuara Arabe, Turqi dhe Iran – të cilat akuzohen për tregtimin e paligjshëm të naftës dhe produkteve petrokimike iraniane. Dy anije u vunë gjithashtu në shënjestër.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha në një deklaratë të veçantë se masa kishte në shënjestër katër shitës dhe një blerës të petrokimikateve iraniane me vlerë qindra miliona dollarë.

Kjo është masa e fundit kundër Teheranit – që kur Trump riktheu fushatën e tij të “presionit maksimal” ndaj Iranit – që përfshin përpjekjet për zero eksporte të naftës dhe për të ndihmuar në parandalimin e zhvillimit të armëve bërthamore nga Teherani.

“Presidenti është i përkushtuar për të çuar eksportet e paligjshme të naftës dhe petrokimikateve të Iranit – përfshirë eksportet në Kinë – në zero në kuadër të fushatës së tij të presionit maksimal”, tha Rubio./atsh

https://ata.gov.al/2025/04/30/uashington-shba-shpall-sanksione-te-reja-ndaj-iranit-perpara-bisedimeve-te-ardhshme-berthamore

Please follow and like us: