Cikël poetik nga Niki Bajrami
Të të harroj para agut
Jemi të pashpresë nën dritën e agimit
Pasi e nesërmja nuk ekziston për ne
*
Ka vetëm një ëndërr të prekshme
Nga shkëputja ndaj realitetit tonë
*
Mishërojmë kujtime që duhej të ishin varrosur
Nuk mund t’iu lë gjithë fajin
*
Ne vazhdojme të gjejmë mënyra që t’i afrohemi njëri-tjetrit
Ndarja me ty nuk kishte qenë kurrë më e gjatë
*
Nuk mendoja që do të të shihja përsëri – më mungonte frymëmarrja jote
Sepse kur të kisha pranë isha gjëja më e gjallë që ecën në këtë Tokë.
*
Ky takim të shndërrohet në një
Rikrijm të dobët të asaj çka ishim
+
Dua të jetë moment i harresës absolute
Kjo natë të jetë nata e shpëtimit tim.
Kockë dhe shpirt
Ajo është e atillë
natyrë e shkujdesur mbushur me jetë me dhimbje
Ndoshta kjo shpjegon lëkurën e saj të zbehtë
*
Si mendimtar i thellë vërtitem të të gjej vendin tënd në dhomë ku bën më shumë kuptim,
nuk të duroj dot të jesh afër frymorëve të tjerë, por as afër meje
energjia jote rrezaton dhe prek pusin e magjisë së shuajtur përbrenda.
*
Zë vend aty ku koha është e mjaftueshme
që mendimi të paraprijë buzëqeshjen
dhe buzëqeshja shikimin drejtuar meje
*
Shikim që më kanoset
Asgjë me e bukur se e njohura kur të zbut shpirtin,
gjithçka mund të jetë e jona.
*
Nga kaosi yt del klavikula që dëshiron të zbutet nga e një e prekur xhentile
Nuk ka asgjë gjeometrike në udhëkryqin e shpatullës, qafës dhe asaj kocke
Asaj kocke që mëshiron një moment krijimi në puhizën e ndryshimit të kohës.
*
Ajo ka qoshe të mprehta,
Sy të shkruar,
Një pigment të kristaltë
*
Gjersa zemrën mban thellë nën Arktik.
Prore shqisat e mia janë të zëna
kur hapësirën zë ti.
Perpetum
Ishim si zjarri dhe era
Përherë ekzistent
Përherë një histori e papërfunduar
*
Gjenerata do të kalojnë
Emrat tanë mbesin të fosilizuar
Pëherë një histori që duhet harruar
*
Peisazh i gdhendur
Epilog i shpejtuar
Përherë na kaplon një nostalgji e ndaluar