Ruben Avxhiu: Dr. Maria dhe pacienti Aleksandar
Nuk e di se sa i ka kushtuar Presidentit Vuçiq kjo vizitë në Florida, ku gjatë fundjavës kishte paralajmëruar se do të takohej privatisht me Presidentin Donald Trump.
Do të bënte një marrëveshje historike, do të ofronte gjëra me shumë interes për Amerikën.
Ndërmjetësi ishte Rudy Giuliani, i cili tani është lobist dhe vërtitet nëpër botë për të peshkuar të interesuarit për akses te Presidenti Trump.
Papritur Vuçiq ka deklaruar se është ndjerë keq dhe është kthyer i sëmurë në Serbi. Askush nuk e beson këtë. Vetë serbët më shumë se kushdo tjetër janë duke e tallur presidentin e tyre në rrjetet sociale.
Në qendër të humorit është intervista e vetme që ka dhënë në Florida, me gazetaren që ka një podkast dhe që e quan veten Dr. Maria. Folën gjëregjatë Presidenti i një shteti me Dr. Marian e habiti me zgjuarsinë e tij. Ajo i bëri “tag” në rrjetin X edhe Sekretarit amerikan të Tregëtisë.
Maria, në fakt, nuk është gazetare. Intervista është dëgjuar pothuajse eksluzivisht vetëm nga Serbia. Maria nuk as doktoreshë, megjithëse përdor “Dr.” përpara emrit të saj. Ajo është infermiere. Qëlloi që u kujdes për 81-vjeçarin Rudy Giulianin kur ishte sëmurë dhe tani janë bërë “miq”. Rudy i ka paguar borxhet që kishte për kredit karta. E ndihmoi që të niste një podkast dhe i ka thënë se do t’i sjellë edhe figura të njohura që t’i intervistojë.
Vuçiqi i shkretë kujtoi se e kishin sjellë në SHBA që takonte Trumpin në fakt e kishin sjellë për të takuar “Doktoreshë Marian”. Nuk ka faj që u sëmur dhe ka folur me vete gjithë rrugës për në Beograd.