Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Me Hajredin Kovaçin në Draginë të Malit të Zi

Jam me Hajredin Kovaçin në fshatin Draginë. 26 prill 2025.

Jam për herë të dytë në këtë fshat.

Në Draginë, fshat shqiptar i Anamalit, në Mal të Zi, fshat disa kilometra larg kufirit me Shqipërinë, është një muze etnografik që nuk e gjen në Shqipëri.

Hajredin Kovaçi është poet, autor librash dhe krijuesi i këtij muzeu etnografik. Ai banon këtu në Draginë.

Ky që shihni është pusi i shtëpisë së tij.

Më tej është një mjedis natyror me ndenjëse nën një çati, strehë e mbështetur vetëm në dy anë në murin e muzeut. E hapur në natyrë. Më tej janë pemët e kopshtit. Toka është e butë, pjellore e mbuluar nga bari, nga pemët e mbushura me fruta. Është një kënd mjaft poetik, frymëzues. Këtu mbahen biseda me shkrimtarë nga Shqipëria, Kosova nga Mali i Zi.

Në këtë çast, jemi në orën 21 të mbrëmjes. Sapo kemi mbaruar një takim me shkrimtarin Sali Bashota, profesor i Prishtinës. Folëm për letërsinë, recituam poezi.

Jemi në javën e letërsisë shqipe në Ulqin.

Kam qenë këtu në Gradinë dhe vitin që shkoi, në ditët e Kalimerës poetike që mban qyteti i Ulqinit. Isha me prof. Ali Aliun dhe me gazetarin dhe botuesin e “Onufrit”, Bujar Hudhri.

Qyteti i Ulqinit ka një grusht intelektualësh e poetësh të organizuar nën emrin Art-Club. Në këtë javë të Letërsisë Shqipe kemi bërë aktivitete të ngjeshura në Librarinë, në Bibliotekën e qytetit, në shkollën e mesme, në shkollën Katërkoll (Vladimir), takim me temë letërsia shqipe në tekstet shkollore… kemi qenë në Krajë në viset ku mendohet se ka jetuar autori i parë shqiptar Gjon Buzuku. Me Ibrahim Berishën, Binak Kelmendin, Çerçiz Loloçin… recituam, mbajtëm biseda mbi temat që përmenda më lart.

Më pëlqen ky qytet, Ulqini. Ata dinë ta mbajnë librarinë, bibliotekën… dinë t’i duan shkrimtarët. Kam mbajtur këtu kumtesa për Vath Koreshin, Basri Çapriqin, Ismail Kadarenë… etj.

Dragina mund të jetë larg nga qyteti Ulqin sa të shkosh gjer në Vorë. Por grushti i intelektualëve ulqinakë të ndjek deri këtu. Në orën 19 të mbrëmjes.  Vijnë me makinat e tyre. Dhe me zonjat.  Janë mësues, librarë, mjekë, poetë, ndjekës të librit. Ishim me Ibrahim Berishën, Sabinën, Haxhi Shabanin, Aliun, Argëzon Sulejmanin, Medihanë, Ardita Ramën.. etj.

Në këtë çast të fiksuar në fotografi nga miku e prozator i Çerçiz Loloçi, me Hajredinin po kthejmë një gotë raki.  Këndojmë: “Tuj shetit te grykë e pusit/ këputa një trandofile…”.

Më tej është Ismet Kallaba, shpirti organizues i gjithë këtyre aktiviteteve të shoqatës Art-Club Ulqin.

Në Tiranë nuk e ke kënaqësinë të jesh me miq shkrimtarë në një mjedis me pemë e lule mbi krye.

Te grykë e pusit…

Please follow and like us: