Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz Radovani: Poemthi i At Gjergj Fishtës për Skënderbeun!

“IN HOC SIGNO VINCES”

“Me KETE SHENJ KE ME FITUE”

Në fillim të shek. XV Turqit sulmojnë Evropën dhe shkretnojnë fise e mbretni.

Fatosi i Krujës përballë rrezikut, qi i kërcnohej Shqypnisë, i drejtohet Hyjit edhe e lutë qi mos të premtonte, qi Shqypnija të bije ndër kthetra të Turqve. Lutja e tij prek të Amshuemin, i cilli i dërgon së nalti Flamurin Kuq e Zi, emblemë bashkimi e vetsundimi. Me atë flamur në dorë, Skanderbegu, i mberthyem në armë, qet kushtrimin. Shqyptarët rrâjnë (nisen) menjiherë, kështu nisë lufta e tmershme dhe Turqvet u thehet sulmi.

Në dorëshkrim, qi ban Poeti, e ka datën 20/11/1919, nën titull, ndër kllapa, lexojmë: Fragment i njij poemthi të pabotuem. Nuk dijmë kurrgja për këtë mendim të parë të tij rreth hartimit të këtij poemthi. Kanga, si kemi theksue edhe ma nalt, merr nji ton liriko-epik, tue u nda në shenj për fuqi shprehjesh, paraqitjesh të gjalla e fëtyrash ndjekore.

At Viktor Volaj O.F.M. 1941.

Tue zbardhun mosha dhetepesët e jona

Atje prej shtojesh s’ Anadollit t’ plleshëm

Hanza përgjakshëm nisë mbi Evropë t’ kukzohet.

Ishte zot-madhi i Turqvet, qi në krye

5.      Të ma s’ rrebtes ushtri së jetës s’ atëhershme

Ujnat e njelmta dilte t’ Helespontit,

Edhe betohej n’ mni të vet mizore,

Se shpirti trupit s’ do t’i dahej para

Se hanzen t’ ngrifte mbi Sh’ Sofi t’ Bizantit

10.   E n’ Sh’Pjetër t’ Romës tagji t’i vête kalit.

E pse ai burrë dokrrash e pallavrash s’ ishte,

Përpara tij ran frone e ran therore;

U rroposën mbretni e u shkimen fise,

E as bar ma s’ bijti andej ka ’i shkeli kamba.

15.    Greku, Bullgari humbën, humbi Serbi,

 Humbi, po, Serbi, madhështija e t’ cillit,

 Qatje te e vona botën mbarë në zi

 Do t’a pshtiellte. – T’ felgruemun drojet, shuejten

 Zanin mbretent e Evropës. Zâmaret eshten,

20.   Eshti edhe kanga e nji mjeri e shëmtueme,

 I  ra mbarë dheut.

 Kur, qé, mbi kep të Kruejës

 Titanike po del nji hije burri,

 Vetllat ngërthye, si dy hulli rrufeje,

Me do sy zjarmi e ‘i mjekërr t’ thijtë, e cilla

Shllungë gjatë nofllash i derdhej, si ajo njegulla

Rreth njaj curri s’ thepisun. M’ krye trishtueshëm

Flakë i shkëlqan tarogza brynatake,

Qi, tmershëm ka ‘i vezllon nën rreze t’ diellit,

Kometë zharitse dan ndër sy t’ anmikut.

30.  Ai asht fatosi i ndiemun Gjergj Kastrjota,

I Madhi Gjergj Kastrjota Skanderbegu,

Qi, pre’ atij kepi, si nji shqype mali

Kundron kah forca e barbaris lindore

Shkon tue rrëmbye mbretni e fise e popuj,

35.   E gjithshka t’ mbarë përftue kisht’ mendja e nierit;

Si rribë Verit, qi rêt i fshin prej qiellit

E e lên tokën me u tha. Edhe tue pamun

Se anmiku i rrebtë i gjytetnis njerzore

Po nisë për s’ afermi Shqypnis t’ kërcnohej

40.   E se prej nierit s’ kisht’ pse ndimë me pritun,

Çon syt kah qiella, e zemra gjak tu’ i shkue,

“O Zot! – gërthet, – O Zot i Madhi i Ushtrivet!

E po a njimend se ma s’ do t’ ket Shqypnija

Nji vend ku me t’ u lutë?… E se grat t’ona

45.   Djepat n’ Azi mbas sodit do t’ perkundin?…

E se Shqyptari tokën do t’ punojë

Veç për me kndêllun n’ mish gocat qerkeze,

Qi nji Tirani t’ i shërbejn ma kandshëm?

Oh! Pse ia mbrrim ksajë dite, e s’ ka shpërthye

50.   Toka q’ me kohë, me na përpi për s’ gjalli!

Ti, o Zot i Madh i Ushtrivet, Ti prej qiellet

Zemër e forcë m’ dërgo, qi ktij Tartari

Barbar un t’ ia diftoj, se Shqyptarija

S’ merret pa gjak, e se per Fé e Atdhé

55.    Din t’ desë Shqyptari”. Përmbi flatra

Të bardha t’ Fés kjo lutë u çue kah qiella

E i shkoi n’ vesh Perëndis e e preku n’ zemer.

I Amshuemi, atëhera, prej visarit t’ qiellvet

Xjerrë nji pëlhurë të njyme “kuq e zi”,

60.   Qi Engjuit vetë n’ Parriz endun e kishin:

E mbasi e puthë i Lumi e ven në ball,

Nji Kerubini t’ lehtë i urdhnon tu’  thanun,

“Na, e këtë Flamur Skanderbegut çoja

Atje poshtë n’ Krue,  e thuej prej ane s’eme,

65.    Se dersa t’ rrije tok fisi i Shqyptarit

          Nën hije t’ ktij emblemi t’em t’ bekuem,

          Zot m’ vedi e i lirë gjithmonë ai ka me kenun”.

          Kshtu tha i Amshuemi; e ai Kerubini i qiellvet

          Palosun m’ parsme Flamrin e Shqypnis,

70.    Hapë flatrat e prarueme, e poshtë Empirit

          Zhgjetë npër nji rreze drite dirgjet n’ Krue.

          Ku Skanderbegut n’ dorë dhantin e Zotit –

          Flamurin e Shqypnis – ia nep e kshillin

          E t’ Lumit ia difton: Se si Shqyptari

75.    Zot m’ vedi e i lirë gjithmonë do t’ mund qindrojë.  

          Si ai nieri, qi trishtue njaj andrre s’ keqe,

          Kur gjumi i del, me vedi xen e gzohet,

          Se n’ hije e jo njimendtë iu tfaq rreziku:

          Kshtu Skanderbegu nisë me u gzue me vedi,

80.   Si Lajmi i qiellvet n’ dorë ia dha Flamurin

          E i tha se për nën hije t’ tij Shqypnija

          E lirë e zojë m’ vetvedi p’rherë do t’ jitte.

          Edhe armatiset Burri i dheut krejt m’ hekur,

          Njeshë pallën n’ ijet – pallën t’ rrebtë mizore,

85.   E m’ patershanë, me pafta arenzit t’ mathne,

          Njet Flamurin kuq e zi, qi vetë i Amshuemi

          E kishte puthë, edhe mbi shpinë të kalit,

          Qi, fry turijt, njuhatte erë të gjakut,

          Hidhet porsi duhi e rrebtë. Prej millit

90.   E zjerrë pallën mizore, e drejtë kah qiella

          Heshtën e ngrehë. Nji fllad i lehtë, i ambël –

          Flladi i Dashtnis – po e zhdrivillon Flamurin.

          – Flamurin e Atdheut t’ em – qi tue gufue

          Mallnueshëm nëpër ajr të lirë t’ Shqypnis,

95     Nisë me u valvitë si fleta e Kerubinit,

         Si njai skundilli i petkut t’ Perendis,

         Që, mirë qëndisë me hana, hyj e diella,

          Prej krahvet t’ amëshuem e t’ gjithpushtetshëm

          I mvaret poshtë nëpër hapsi t’ Empirit,

100. Kah, pshtetë m’ stuhi e m’ flatra t’ rribës s’ murranit

          Sheston boshtin e moknës s’ rrokullis.

          E ashtu n’ atë dukë të rrebtë e t’ perfrigueshme

          Me ‘i za, si tue ulrue, prej kepit t’ Kruejës

          Po u thrret Shqyptarvet t’ vet e u thotë: “Ktu burra!

105. Ktu eni, o bijt e Malevet! Shqypnija

          Gjindet n’ rrezik!” N’ atë bulurimë ushtuene

          Malet e fushat e Shqypnis kreshnike,

          edhe nji çetë e vogël homeridash,

          – Burrash si motit veç qi bate nana –

110.  Për rreth tij mblidhen, e nën hije t’ Flamurit

         Nji bé të madhe bajn e lidhin besën,

         Se i pllâmë toket t’ Atdheut s’ ia lshojn Tartarit,

         Po s’ e lán’ para me gjak t’ tij t’ përdhosun.

         T’ forcuem me atë bé, t’ forcuem me shejtni tagresh

115.   E shpresë m’ Zotin tue mbajtë e m’ krah të vetin,

          Me Flamur kuq e zi zhdredhun perpara,

          Poshtë errmorevet t’ malevet t’ thepisuna

          Si rreshme boret prej ndo ‘i kulmi t’ rryeshem,

          Rrâjn fulikare permbi rradhë t’ Turqvet,

120.  Të cillt, prej s’ largut tue ua pamun hovin,

          Thonë se kulshedra me dragoj po u turret.

          Edhe mnershem nisë lufta titanike.

          Kah t’ idhta shpata, kah gjakbâset heshta

          Çeken nder shkndija me vringllimë t’ trishtueshme,

         E bumbullojn henike edhe gopedra,

125   E vrrasin keqas të varruemt per dhé.

         Kaq nji zhurmë, nji rropame e ‘i vigmë e kobshme

         Çohet per ajr të terratuemun pluhnit,

         Qi rreth e rrotull t’ tanë dridhet Balkani.

130. Shkon gjaku rrkajë. T’ tanë fusha e gjanë e Dibrës

          Me kurma t’ zeshkët barbarësh asht mblue. Hidhet,

          Hingllon, trumhaset kali i Skanderbegut,

          Kah thundra e mbathne kthellë i humbë në dhé

          Të rijtun m’ gjak t’ barbarit. M’ dhambë brén buzen,

136.  Atëherë zot-madhi i Turqvet pendohet

          Qi i ra kurr n’ mend t’ mësyjë Shqypnin mizore.

          E sheh, po, vetë gjakbâsi, se rob s’ bahet

          Ai dhé, ku Flamri kuq e zi valvitet.

          1919.

Shënim FR:

Asht botue pa asnjë ndryshim prej origjinalit tek “Lirika” 1941. Asht vlersue ndër kryeveprat  e Autorit At Fishta.

Melbourne 7  Maji 2025.

Please follow and like us: