Ilirian Dahri: ODE PËR ÇAMËRINË MARTIRE
Autori Luan Rama, është një figurë poliedrike e kulturës shqiptare dhe asaj europiane dhe ky është një fakt i njohur nga të gjithë, si brenda dhe jashtë vendit, për një krijues i cili ka shkruar dhe botuar mbi 60 libra. Por, edhe sikur diplomati, publicisti, shkrimtari Luan Rama mos të kishte shkruar asnjë tjetër vepër letrare, jam i bindur se do t’i mjaftonte pikërisht kjo Ode, e cila sipas mendimit tim, do të jetë një gur miliar i letërsisë moderne shqipe. Një këngë solemne, që pasi e lexon dhe e rilexon të përçon një ndjenjë dashurie, një ndjenjë nderimi sublim për popullsinë çame të masakruar «nga hanxhari i “megalo-ideas”» siç shkruan vetë autori në librin e tij «Ode për tempujt që nuk u harruan», të masakruar pra, në dheun e tyre shekullor në Thesproti.
Dhe që në vargjet e para, autori kthehet pas në histori, kur shkruan:
«se kishin një fe tjetër,
se ishin çamë dhe jo grekë,
se ishin fqinjë të vjetër të heronjve të Iliadës dhe Odiseut».
Autori shkon pikërisht në ato vende ku e kishin pikënisjen apo gjenezën e tyre odet, këto vjersha lirike apo këngë solemne që filluan të shkruheshin dhe të lëvroheshin nga autorët klasikë si Safo me Oden e saj të Xhelozisë e njohur edhe si Ode e Sublimes dhe miku i saj, poeti Alkeu, miqësi që kishte nisur edhe nga fakti sepse që të dy shkruanin poezi dhe ode. Në ato kohë, një ode shoqërohej edhe nga muzika, dhe këto këngë solemne u përhapën shpejt edhe në poezinë latine, mjafton të kujtojmë autorë të rëndësishëm si Katullo dhe Horaci, në odet e të cilit, ndihet shumë jehona e veprës së Alkeut. Përgjithësisht, për të shkruar një ode duhet që vetë kënga të ketë një pikëlidhje me moralin, me problemet shoqërore apo me dashurinë, ndërsa krijuesi ynë elitar, Luan Rama e çon Oden e tij në kufijtë e një kënge të mirëfilltë vajtimi, bazuar fort në modelet klasike.
Autori Luan Rama nuk ngurron të futet në një terren të kultivuar nga kolosët e letërsisë botërore. Kujtoj odet e mrekullueshme që kanë shkruar shkrimtarë të mëdhenj të letërsisë botërore, nga Karduçi, Paskoli dhe Gabriele D’Anuncio, nga Dryden tek Shelley, për të vijuar me Lamartine, Hygo dhe natyrisht Oden e famshme të Lirisë, të Pushkinit, apo Oden «Vrasja e Poetit» të shkruar nga Lermontovi, enkas për vdekjen e idhullit të tij, Pushkinit.
Poliedriku Luan Rama, i ka dhënë veprës së tij për Çamërinë martire një muzikalitet të natyrshëm ku haset dhe rima, dhe këtu po citoj autorin:
«Ne na mbyllën në “ikofrotia”,
pesëdhjetë ditë të mbyllura,
shtatëdhjetë gra e fëmilë vdiqën nga uria».
Autori i jep odes së tij njëlloj rime të brendshme pa u ndalur medoemos tek rima.
Dhe sipas mendimit tim ka shumë të drejtë, sepse nëse rima ka vlerën e saj të patjetërsueshme në krijime specifike letrare, autori ynë i ka vendosur themelitë e Odes së tij, tek fjala dhe forca e saj. Janë fjalët e zgjedhura me shumë kujdes prej autorit, që nxisin lexuesin, ngjallin imazhe dhe shtojnë kësisoj harmoninë mes vargjeve duke pasuruar ndërkaq mendimin e poetit. Vetë teksti ka një rrjedhshmëri të tijën. Një rrjedhshmëri aq të natyrshme, saqë edhe po të veçonim disa vargje nga strofa, apo t’i merrnim ashtu rastësisht, ato mbartin në vetvete një fuqi madhështore: «pluhurin e tragjedisë», «të masakruarit», «të handakosurit», «të varurit».
Mjeshtërisht, autori ynë i shquar me fuqinë e fjalës i afrohet simbolit universal, për ta bërë atë më personal dhe unik, duke e afruar gjeografikisht në:
«Paramithinë me barkun e çarë që klithte e vajtonte», «Kufomat e 56 filaqotëve i hodhën nga ura e Naçit», «në Akeronin e zi s’do të rënkonin më». «Aromë dheu, livande dhe borziloku», «qershive dhe të ullinjve që duheshin vjelë», «zambakët dhe karafilët e kuq u nxinë, mbi kufomën e një fëmije dhe plaku të vrarë», «midis flladit që vjen nga deti në Margëlliç e Gumenicë», «Shegët e pjekura që më së fundi do të hapen nga malli».
Janë fjalë dhe vargje që edhe kështu të veçuara nga teksti e kanë shumë të lartë koefiçentin e vëllazërimit, sepse vetëm nga një varg mund të shkruash gjer edhe një histori të tërë:
«Dielli u fsheh dhe u zbeh,
nuk deshi të shihte më, të kuqen e gjakut
dhe sytë e verbuar»,
«Borzilokët dhe manxurana shpejt u thanë».
«Klamë, klamë dhe zëri na u ngjir»
«Dhe pelikanët ikën kur panë zjarret mbi Çamëri».
«dhe shpirtin çam që gjithnjë frymon…»
Autori Luan Rama si një arkeolog i vërtetë i fjalës, luan me të, dhe nuk e sheh vetëm si një instrument për të përcjellë një mesazh apo një ide tek lexuesi, por e sheh si një katalizator të përçimit të ndjenjave, të emocioneve, për të na shoqëruar në një histori të dhimbshme dhe rrëqethëse. Na shoqëron pra, në një udhëtim ku mbizotëron lemeria dhe terrori, në mënyrë që edhe një lexues që s‘e njeh atë plojë dhe ato barbari që u kryen në «Luginën e Vdekjes» siç e quan autori Luan Rama, të ketë mundësi që t‘i përjetojë përmes imagjinatës.
Personalisht, librin e Luan Ramës e kam lexuar në tri dimensione: në atë të poetit, të prozatorit dhe të përkthyesit. Kur një vepër më pëlqen vërtet e përkthej me shumë dëshirë, jo për ta botuar gjëkundi, por për veten time. E kam bërë me poezitë e Mitrush Kutelit meqënese familja e tij i ka rrënjët në Çamëri, (siç dihet, babai i Kutelit ka lindur në Arta të Çamërisë), kam përkthyer gjithashtu poezi të Agron Tufa, pastaj poezitë e profesorit tim Fatbardh Rustemi, tregimin e jashtëzakonshëm: «Truri i ngrirë», të prozatorit më të shquar të letërsisë moderne shqipe, siç deklaronte i ndjeri Moikom Zeqo, për shkrimtarin Enver Kushi, për të cilin ndihem vërtet fatlum që e kam patur redaktor të dy romaneve që kam botuar: «Lirija» dhe «Bebi». Kam përkthyer më tej, prozën e Hekuran Halili, të Pajtim Çaushi dhe poezitë e Profesor Zyhdi Dervishi, duke marrë edhe një çmim special në Firenze si përkthyesi më i mirë nga gjuha shqipe në atë italiane. Për 80-vjetorin e tragjedisë çame janë organizuar shumë aktivitete kulturore qoftë nga deputët e nderuar, z. Shpetim Idrizi dhe znj. Mesila Doda, qoftë nga Kryetari i palodhur i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, i nderuari z. Alket Veliu. Pikërisht në një prej aktiviteteve të shumta të organizuara nga i pasionuari dhe i palodhuri, z. Alket Veliu, më ka ardhur së brendshmi ideja për të përkthyer nga vepra e të madhit shkrimtar çam, Qamil Buxheli, dhe pse jo, edhe këtë Ode të magjishme të patriotit tonë poliedrik, z. Luan Rama, të cilit i uroj shumë suksese.
Ju falenderoj të gjithëve.
Rroftë Kombi shqiptar!
Ndër shekuj rroftë Çamëria!