Një odaliskë moderne e sopranos Gjyzepina Kosturit
Luan Rama
—
Fotografinë e kësaj pikture e kisha parë para dy vjetësh në shtëpinë e Volfi Kosturit, në Udine të Italisë dhe ishte vërtet një surprizë për nga eleganca, kompozimi, ngjyrat, tonacionet e së kuqes, linjat e atij trupi të shtrirë me një vështrim të paqtë, disi të ëmbël dhe me një vështrim ëndërrues: ishte soprano jonë e famshme Gjyzepina Kosturi. Nuk ishte një pikturë “veriste” siç e cilësonin piktorin që e kishte realizuar, Mario Ridola, i cili kishte ardhur në fillimin e viteve ’30 në Tiranë. Padyshim pikturë ne një lloji tjetër. Ai kishte devijuar nga fryma e pikturës së tij, nga peizazhet dhe figurat ekzotike të pikturuara në jugun e Italisë apo në brigjet e Afrikës. Kjo tablo, ndoshta e vetme, ishte diçka tjetër. Përse vallë? Në krijimtarinë e tyre artistët ruajnë gjithnjë enigma…
Volf Kosturi më dhuroi para pak kohësh botimin e Bruno Castagna, nipit të piktorit, i cili kishte botuar vjet në homazh të gjyshit të tij, të titulluar “Mario Ridola – La maggia della pittura verista”. Interesante është kapitulli “Luci d’Oriente” ku janë vendosur tablotë e realizuara me temë nga Napoli, Libia, Albania dhe Catanzaro, ku është dhe një tekst i kritikut tonë të njohur Ferid Hudhri me titull: “Kthimi i piktorit Mario Ridola”. Në vitin 1931, në Tiranë ishte krijuar “Shoqëria Miq’t e Artit” nga Andrea Kushi, Odhise Paskali, Qenan Masarea etj, të cilët hapën dhe ekspozitën e parë të pikturës në “Kafe-Kursal” me disa piktorë që ekspozuan veprat e tyre: Kolë Idromeno, Vangjush Mio, Odhise Paskali e madje dhe piktore femra. Ridola, do të drejtonte në këtë kohë “Shkollën e vizatimit” në Tiranë me nxënësit e parë si Fadil Pullumi, Gani Strazimiri, Ibrahim Kodra, Zef Bumçi, Stefan Mara, Sadik Kaceli, një nga piktorët e rinj që spikati menjëherë. Nga Ridola, në këtë libër janë botuar tablotë mbi “Pazarin e vjetër”, “Pazari i stofrave”, “Pazari i frutave”, figura e bukur e një vajze tiranase që të kujton nga larg influencën e Delacroix me tablotë e tij në Tunis. Por le të kthehemi tek tabloja kushtuar sopranos Gjyzepina Kosturi. Ajo është e shtrirë në një divan me një cohë të bardhë, me kokën mbështetur në dorën e saj dhe vështrimin e saj të drejtpërdrejtë. Linjat, kompozimi e veçanërisht ngjyrati japin një sensualitet spikatës, figurë kjo që mbart në vetvete një lloj paqeje, meditimi, humaniteti, një vështrim ëndërrues, ndoshta për të ardhmen e saj. Soprano sapo ishte ngjitur në skenat e koncerteve dhe recitaleve të para të saj pas kthimit nga Italia, ku në Bari kishte ndjekur konservatorin për muzikë (soprano) “Santa Luçia. Recitalet e saj ishin në Tiranë dhe në Shkodër, në qytetin e saj të lindjes.
Duke shkruar për çiftin e etnografëve francezë René dhe Jacqueline Benezech të dashuruar pas Shqipërisë dhe pasurisë së saj etnografike, kisha zbuluar diçka tepër thelbësore nga historia e sopranos Gjyzepina Kosturi dhe burrit të saj Rexhai Kosturi, një poliglot me kulturë europiane dhe drejtor i turizmit në Tiranë. Në kujtimet e tyre, çfti francez i kujtonte ata me një simpati të veçantë, duke lënë të kuptohej se ishin njerëzit e emancipuar dhe të kulturuar të një Shqipërie të re dhe europiane. Dhe pikërisht të njëjtën marrëdhënie ky çift shqiptarësh kishte krijuar dhe me personalitete të tjera, italiane, franceze etj, që zbarkonin në Shqipëri. Cifti Kosturi e donte muzikën, pikturën, artet. Vetë Gjyzepina, duke parë fotografitë e saj të kohës në Shkodrër, Bari, Romë, ndihet pasioni i saj i madh për artin e fotografisë. Dhe kuptohet që shoqëria e tyre me Ridolan ka qenë mjaft e afërt. Ja pse dhe Gjyzepina e pëlqeu idenë e një tabloje për të: ishte një tablo për miken shqiptare.
Vështrojmë tablonë, ku telajo është përmbytur nga e kuqja e derdhur mbi të dhe vetë personazhi të duket se endet në botën e së kuqes, në një tonalitet të ngrohtë ku e kuqja është dhe mbi buzët e saj të pulpta, në një asociacion të bukur me flokët dhe sytë e saj të zezë. Është gruaja e re e Rexhaiut të dashuruar, i cili vetë ai i ngjante një aktori amerikan, një lloj “Gary Cooper”. Vite më pas Ridola u largua nga Shqipëria me kujtimin e bukur për miqtë e tij shqiptarë që mjerisht nuk do ti takonte më. Tabloja mbeti në Tiranë, në familjen Kosturi ku fëmijët e Gjyzepinës u rritën me imazhin e bukur, përmbytur nga e kuqja e nënës së tyre artiste.
Duke vështruar librin e piktorit italian që u largua me kujtimet e piktorëve të rinj shqiptarë, nxënës të shkollës që ai drejtoi, të cilët krijuan një risi më vete në pikturën shqiptare. Ridola ka midis tablove të tij dhe disa portrete mjaft interesante dhe midis tyre një portret mjaft interesant, një “Zio” pikturuar në një frymë “rembrandiane”, ku rigjen vazhdimin e kësaj fryme në portretet e hershme të Sadik Kacelit (“Xhaja me kësulën e Dibrës”), të Zef Kolombi, Nexhmedin Zajmi, Bukurosh Sejdini etj. Tabloja e Gjyzepinës e ka kapërcyer Atlantikun dhe shpresojmë që në një ekspozitë të afërt të piktorëve të huaj të gjysmës së parë të shekullit XX në Shqipëri, të rivijë dhe të na shpalosë nga afër hiret e një pikture të mrekullueshme moderne dhe tepër origjinale.