Një libër për batalionin “Antonio Gramshi” dhe Lufta Antifashiste në Shqipëri
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
Gjatë vitit të 80 vjetorit të Çlirimit të Atdheut, Instituti i Studimit të Historisë Ushtarake në bashkëpunim me intelektualë, organizata e dëshmorëve, veteranë dhe pasardhës të LANÇ, organizuan në Bulqizë më 10.10.2024 një Konferencë Përkujtimore me temë “Erdhēn si pushtues në Shqipëri dhe u riatdhesuan si antifashistë në Itali – një shembull unikal në Europë gjatë Luftēs së Dytë Botërore”, si dhe më 25.10.2024 në Tiranë një Sesionin Shkencor me temë “Batalioni partizan italian “Antonio Gramshi”, në Luftën heroike Antifashiste Nacionalçlirimtare në Shqipëri dhe kontributi i popullit shqiptar në vëllazërimin me ish ushtarët pushtues”.
Libri i publikuar përmban disa nga materialet e përgatitura dhe të mbajtuar në këto evente përkujtimi të këtij formacioni luftarak dhe të veçantë gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të organizuar dhe të drejtuar nga ushtarë italianë në Luftën e Dytë Botërore.
Sesioni shkencor na rikthen në vëmendje luftën e popullit shqiptar kundër fashizmit në Luftën e Dytë Botërore. Antifashizmi shqiptar ishte pjesë e antifashizmit botëror. Populli shqiptar me një vetëdije të kthjellët dhe patriotike u bë pjesëtar i një Aleance Botërore të Antifashizmit, ngjarje që ndodhin rrallë në historinë e njeërzimit. Përkujtimi i batalionit partizan “Antonio Gramshi” na kthjellon mendimin e na shton vigjilencën, për të prandaluar dhe kundërshtuar rrezikun e ardhjes në pushtet të neofashistëve. Sot misioni ynë është me sa të mundemi, të mos tolerojmë, të mos pajtohemi me ideologji, qendrime dhe praktika agresive e regresive, fashiste e neofashiste. Kapitullimi i Italisë fashiste dëshmoi se ishin fashizmi ai që i vuri në rresht djemtë italianë për të na shkatërruar dhe të na linin pa atdhe. Fashizmi ra dhe djemtë italianë mbetën në mes të katër rrugëve.
Në thirrjen e Shtabit të Përgjithshëm drejtuar popullit shqiptar me rastin e kapitullimit të Italisë fashiste, thuhej se “…mobilizimi duhet të bëhet nën flamurin e alenacës sonë me BS, me SHBA, me Anglinë”… “demaskoni e goditni pa mëshirë, bashkë me ushtarët Italian”. Ndërsa në “apel ushtrisë italiane” Shtabi i Përgjithshëm u bënte apael ushtarkëve italianë se duhej “të luftoni së bashku me ne kundër trupave gjermane”.
Ende dhe sot pas 81 vitesh dëgjohet dhe është aktuale thirrja e ushtarit Maroi Cristina në Regj. 1 Xhenier, ku shkruante se “ju flet nga malet e Shqipërisë një zemër e vërtetë italiane … sabotoni fashizmin, bashkëpunoni me partizanët që luftojnë për lirinë e çdo populli”.
Sesionin e përshëdeti Akademik Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave i cili theksoi në fjalën përshëndetëse bashkëpunimin e vijueshëm me veteranë për shpalosjen e vlerave të LANÇ nga tribuna e Akademisë, për vendin dhe rolin e kësaj lufte të madhe në historinë e Shqipërisë.
Akademik Pëllumb Xhufi në materialin “Italia tjetër: batalioni partizan “Antonio Gramshi” në LANÇ të popullit shqiptar”, theksoi vlerat që përcolli bp “Antonio Gramshi”. Ishte lufta partizane shqiptare e cila bëri që të kthente një pjesë të ushtrisë italiane nga fashistë në antifashistë. Kjo ishte një pjesë e Italisë tjetër që u bashkua me popullin shqiptar kundër së keqes që ishte fashizmi. Nga komandanti i BrIS, Mehmet Shehu, partizanët e batalionit u orientuan të vepronim të pavarur, por duke iu përmbajtur gjithmonë urdhrave të Komandës së Përgjithshme shqiptare (Shtabit të Përgjithshëm), duke treguar displinë të rreptë partizane, si dhe komandantët duhet të shërbenin si shembull. Për t’u orientuar me terrenin dhe për të mësuar taktikën partizane, çdo kompani u shoqërua nga partizanë shqiptarë. Luftimet e para i zhvilloi kundër ballistëve dhe xhandarmërisë shqiptare, për shkak se, njësitë balliste e të xhandarmërisë nuk kishin aftësi të mëdha luftarake dhe thyheshin shpejt.
Detyrat kryesore ishin veprime tipike të luftës guerile, si afrimi pranë kazermave apo postë rojave, asgjësimi i rojave, kapja rob e personelit ushtarak, marrja e materialit ushtarak dhe bërja e propagandës për t’i bindur ushtarët ose ballistët që t’u bashkoheshin njësive partizane.
Prof. Ksenofon Krisafi trajtoi “Antonio Gramshi, arbëreshi i madh, që i dha emrin batalionit të luftëtarëve italianë të Ushtrisë NÇSH”. Në Shqipëri ushtarë italian hynë gjithsejt 1.505 luftëtarë në përbërje të njësive të Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare. Një pjesë, e këtyre sipas dëshirës së vet, u organizua në batalionin “Antonio Gramshi”. Antoni Gramshi ishte një antifashist dhe personalitet i shquar italian, me prejardhje arbëreshe. Në 10 tetor 1943 u krijua ky batalion dhe në nëntor 1944 u krijua Brigada “Antonio Gramshi” dhe në çlirim të Shqipërisë arriti në divizion. Kjo pjesë e ndërgjegjshme e ushtarëve italianë erdhën në Shqipëri si pushtues, por u bënë luftëtarë të lirisë, duke dhënë kontribut në luftë. Luftëtarë italianë krijuan dhe batalionin “Matteoti”, si dhe një pjesë e madhe ishin të shpërndarë në disa brigada sulmuese dhe në spitalet partizane. Nga bp “Antonio Gramshi” ranë dëshmorë 15 luftëtarë me komandantin Tercilo Kardinali, ndërsa për çlirimin e Shqipërisë nga nazistët ranë dëshmorë 114 luftëtarë italianë.
Prof. Marenglen Kasmi trajtoi kumtesën “Antifashizmi dhe trajtimi i tij në historiografinë e sotme”. Ai theksoi se antifashizmi është një temë aktuale dhe sot. Antifashizmi shqiptar i ka fillesat në Luftën e Spanjës, ku morën pjesë vullnetarë shqiparë, personalitete të shquara si Skënder Laurasi, Mehmet Shehu, Mane Nishova, Petro Marko, Teni Konomi, heronjtë e Spanjës, Gjyzepina Shkupi etj., ishte një parathënie e përgjakshme e Luftës së Dytë Botërore, në vitet 1936-1938, një aspekt i armatosur ndërkombëtar i antifashizmit, ku shqiptarët reaguan trimërisht dhe sakrifikuan. Poema “Adelante Camaerades” e shkruar nga antifashisti Mehmet Shehu e shpreh qartë këtë gjë. Me antifashizmin e tyre shqiptarët u treguan një popull i qyetëruar dhe vetëdije të spikatur.
Historian Sali Onuzi “Pjesëmarrja dhe kontributi i ushtarakëve të tjerë antifashistë italianë në radhët e Ushtrisë NÇSH”. Kapitullimi i Italisë, i shpallur me 8 shtator 1943, shtroi problemin e qëndrimit ndaj ushtrisë së saj në Shqipëri. Komanda e Armatës së IX dhe komandantët e divizioneve të saj (përjashtuar Divizionin “Fierence”), u dorëzuan pothuajse të gjithë te forcat gjermane, që zunë bregdetin, rrethuan garnizonet italiane, ç’armatosën shumicën e efektivave të divizioneve vranë ato që kundërshtuan, të tjerët i nisën për në kampet e përqëndrimit. Vetëm pak më shumë se 15 mijë prej tyre nuk u dorëzuan te gjermanët dhe qëndruan në krah të popullit shqiptar. Prej tyre 1.619 veta u futën dhe luftuan në repartet e Brigadat e UNÇSH, si reparte e nënreparte të saj, të komanduar nga ushtarakë italianë, të zgjedhur prej tyre. Pothuajse në çdo brigadë sulmuese kishte një numër të ndryshëm partizanësh italianë. Më 10 tetor 1943 u krijua i pari batalioni “Antonio Gramshi”, si batalion i BrIS. Më 24 nëntor 1944 u krijua edhe një batalion tjetër me partizanë italianë në BrVS. Të tjerët ishin organizuar në bateri ose kompani, ose në grupe të vogla shërbimesh e forcash mbështetëse.
Në kumtesë bazuar në dokumentet e arkivave shtetërore shqiptare për herë të parë jepen të dhëna më të plota rreth numrit të tyre në tërësi, por edhe sipas brigadave ose llojit të armëve e shërbimeve. Këto të dhënat janë nxjerrë nga lista e ushtarakëve italianë e hartuar nga Arkivi i Forcave të Armatosura të Shqipërisë në maj 1945 dhe nga libri i autorit Italian, Massimo Coltrinari. Në artikull është trajtuar shkurt për çdo njësi dhe veprimtaria luftarake dhe disa arritje më të shquara të reparteve e nënreparteve të partizanëve italiane.
Kumtesa analizon edhe vlerësimet që u janë bërë e u bëhen këtyre partizanëve gjatë dhe pas luftës, si përcjellja dinjitoze e tyre për riatdhesim, shpallja dëshmorë, dekorimet, pritjet në Shqipëri nga organet shtetërore dhe organizatat shoqërore të LANÇ. Artikulli shtron edhe disa probleme në këto drejtime.
Dr. Teki Kurti trajtoi “Partizanët italianë në formacionet e Ushtrisë NÇSH, sipas dokumentave të Arkivit Qendror të Forcave të Armatosura”. Ndërsa z. Niko Nosi theksoi rëndësinë e përkujtimit të bp “Antonio Gramshi” në vite.
Libri më gjerësisht përmban: Pjesëmarrja dhe kontributi i ushtarakëve antifashistë italianë në formacionet e UNÇSH (9.9. 1943-maj 1945), nga kolonel historian Sali Onuzi; Partizanë antifashistë italian që ranë dëshmorë në Shqipëri nga prof. asoc. dr. Bernard Zotaj; Homazh për luftëtarin Rajko Giusseppe, rënë në Skrapar, dëshmori italian i Çepanit nga kolonel Ilmi Qazimi; Popujt nuk duan luftë, duan paqen, miqësinë vëllazërinë, bashkëpunim e solidaritet, nga prof. dr. Ksenofon Kristafi; Batalioni “Gramshi”, ushtarët Italianë në Luftën Antinaziste – Antfashiste në Shqipëri nga Maurizio Nocera; kapelja e ushtarit të bp “Antonio Gramshi” Leo Malagoli në pavionin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të muzeut Historik Kombëtar.
Libri përmban dhe materiale plotësuese si: batalioni “Antonio Gramshi”, luftimi i batalionit “Antonio Gramshi” në Berat, historik i shkurtër i batalionit italian “Antonio Gramshi” (BrIS), përmbledhje e librit “Si u bëra partizan” nga Batista Kavaloto dhe dëshmorë italianë të rënë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Libri mbyllet me disa foto të bp “Antonio Gramshi”.