Ismet Hajrullahu: Kosova po digjet, politikanët po krihen…
Kosova, si asnjëherë në historinë e saj më të re, gjatë këtij çerek shekulli, gjendet në një situatë të rëndë dhe të rrezikshme… Dhe pikërisht, ata që duhet ta mbrojnë këtë vend, ata që janë zgjedhur për ta udhëhequr, po e lënë atë të pambrojtur. Qytetarët saj, ata që kanë përjetuar luftën, ata që kanë ndërtuar këtë shtet me duart e tyre, sot ndihen më të braktisur se kurrë…
Serbia, si gjithmonë, përpiqet të krijoj aleanca të fuqishme, e momentalisht, po negocion për të riçimentosur aleancën me Rusinë, duke u pozicionuar si një rrezik i hapur për paqen në Ballkan dhe jo vetëm… Aleksandër Vuçiç, i cili ka shkuar në Moskë, për të marrë mbështetje për ambiciet e tij hegjemeoniste, për ata që e kuptojnë lojen e sllavëve, e dinë shumë mirë që ky nuk është një takim miqësor, por një strategji e menduar mirë për të sfiduar Kosovën e brishtë, për të provokuar tensione, por pse jo, edhe për të testuar durimin e aleatëve ndërkombëtarë dhe për të krijuar terrenin për një realitet të ri politik në rajon…
Ku jemi ne? Çfarë po bën Prishtina zyrtare? Asgjë! Kuvendi është pothuajse i bllokuar. Partitë politike janë të zhytura në konflikt për pushtet, ndërsa qytetarët po shohin një telenovelë të një klase politike të paralizuar, të paaftë për të reaguar dhe për të gjetur zgjidhje…
Opozita nuk po tregohet e përgjegjshme, e konsoliduar në ide dhe strategji për të dalë nga kjo situatë, e cila po ndikon në dobësimin e Kosovës edhe në arenën ndërkombëtare… Vetëvendosja, e cila ka shumicën parlamentare, e që dikur thoshte se do ta bënte Kosovën më të fortë, sot është e kapur në një ngërç që po i kushton vendit shumë shumë më tepër, se sa thjesht përzgjedhja e nje individi për kryetar kuvendi, apo qeverie…
Po qytetarët? Kush po mendon për popullin? A i shihni njerëzit që flasin me frikë? A i dëgjoni bisedat e tyre në rrugë? Qytetarët e Kosovës nuk po flasin më për zhvillim, për ekonomi, për një të ardhme më të ndritur, por në bisedat e tyre ndjehet pasiguri, kërcënime, rreziqe dhe të rinj që prespektiven e tyre nuk e shohin më në Kosovë. Ata e ndjejnë se Kosova e tyre është më e dobët sot dhe nuk e kuptojnë pse politikanët po lejojnë që kjo të ndodhë. Historia nuk fal ata që janë të dobët.
Kosova nuk mund të jetë një vend që pret fatin e saj… Nëse nuk veprojmë tani, nesër mund të jetë tepër vonë…. Serbia po lëviz, Rusia po i jep mbështetje dhe Ballkani po lëkundet…
Kosova duhet të ketë një qeveri sa më shpejt, duhet të ketë udhëheqje, duhet të ketë njerëz që e mbrojnë dhe punojnë për të! Nëse politikanët nuk e kuptojnë këtë, atëherë qytetarët duhet të kërkojnë përgjegjësi. Sepse ky nuk është thjesht një moment politik, është një moment që mund të vendosë fatin e këtij vendi për dekadat e ardhshme.
Koha për lojëra ka mbaruar. Koha për të mbrojtur Kosovën ka nisur.