Albspirit

Media/News/Publishing

Ela Zdrava: Dikur dhe sot

Dikur,

me fis të largët, me shokë dhe fqinj,

me bukë me vete laheshim tek lumi,

ngjisnim male e shkëmbinj.

Sot,

me sallam e çokokrem,

ku kanë të hanë dhe minjtë,

rinia mbyllur xhirove në internet,

s’arrin të njoh’ as kushërinjtë.

*

Dikur,

duart e gjyshes s’lodheshin,

me sofrën plot nipër e mbesa,

gjithë gëzim bënin byrek e bakllava.

Sot,

duart e gjyshes mpihen

lidhur në gjoksin bosh

pa perqafime, pa shpresa,

me sytë nga dera

hidhur hanë një lugë trahana.

*

Dikur,

vishnin rrobat e sakrificës,

punonin me duart e çara në kallo,

e s’ua degjoje zënë.

Sot,

as ilaçet s’arrijnë të blejnë dot,

u japin pension sa për të thënë.

*

Dikur

për një teshtimë me vrap një komposto

e zemrën plot të uronim shëndet.

Sot,

edhe i operuar pët vdekje,

i bëjmë qokat në internet.

*

Dikur,

fotografonim shpirtin,

që na buzëqeshte në buze e në sy.

Sot,

fotografojmë hiçin,

pjatat me karkaleca e kërmij.

*

Dikur,

uleshim rreth oxhakut

duke i lëshuar vend njëri-tjetrit,

Sot,

po rrokullisemi brenda vetes,

e po kapemi cergave të interesit.

*

Dikur

mblidheshim për të kënduar

me kitarë apo iso

me familjarë e shoqëri.

Sot,

s’e njohim fare muzikën,

as për të lexuar,

si robot këndon i shkreti njeri.

*

Dikur,

gjyshërit punonin pa pushim

me tre breza gumëzhinin shtëpitë,

Sot,

gjyshërit vuajnë shumë,

asnjë ilaç s’i shëron

se dhimbjen kanë në shpirt.

*

Dikur

shpirti tejmbushej ditëve në fëmijëri,

nga shkolla plot gaz ktheheshim në shtëpi,

ajo zhurmë e lumtur me vella e motra,

kuzhina erëmirë me bukën thekur te soba.

Sot

të këputet shpirti,

kur kthehemi në shtëpi,

të lodhur hapim derën

e s’na pret njeri.

*

Dikur,

rrëmbenim lumturinë

në liri të robëruar.

Sot,

po vrasim lumturinë

ne liri te shfrenuar.

*

Dikur

ishim shumë të pasur,

dhomat e shpirtit mbushur

me dritë plot.

Sot,

varfëri e madhe kudo përhapur,

njerëzia pse po zhduket o Zot?

Marrë nga vëllimi poetik “Jeta është e jotja”.

Please follow and like us: