Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Rama: Fondacioni “Hasan Tahsini për Çamërinë” nuk është vetëm i Çamërisë

Në datën 7 maj pata kënaqësinë të rikthehesha në gjirin e Fondacionit “Hasan Tahsini për Çamërinë”, ky fondacion i hapur dhe me një optikë të qartë qytetare që i ka bërë të vetat standartet europiane të një shoqërie civile të mirëkuptimit, të vlerave të fqinjësisë së mirë dhe që e vërteta historike ti shërbejë një të ardhmeje të përbashkët në kuadrin e Bashkimit Europian. Me këtë rast prezantova librin tim të fundit “Ode për tempujt që nuk u harruan” botuar bukur nga ALBAS, në vazhdën e filmit me të njëjtin titull të realizuar me një forcë të veçantë pak muaj më parë. Kisha kënaqësinë të gjendesha mes shkrimtarësh e artistësh, kritikë të letërsisë dhe historianë, por ajo që më bëri përshtypje ishte sepse ky fondacion nuk është më vetëm i çamëve por gjithnjë e më shumë po përfshin në gjirin e vet personalitete nga të gjitha viset e Shqipërisë për të cilët “çështja çame” nuk është një çështje e mbyllur, e harruar dhe që i përket pluhurit të historisë por një çeshtje që historia shqiptare, greke e europiane duhet të thonë fjalën e tyre për tragjedinë e kësaj pjese të popullsisë shqiptare të shpërngulur përmes armëve dhe që sot jetojnë në Shqipëri dhe në diasporën shqiptare. Shumë liderë të Europës demokratike, të së Drejtës dhe të Fjalës së Lirë, si vizionarë të vërtetë i kanë pranuar krimet që janë bërë në histori dhe kanë kërkuar falje publike siç bëri presidenti francez Chirac për hebrenjtë në kohën e kolaboracionistit Peten apo presidenti Macron kohët e fundit me Algjerinë. Para pak kohësh Macron kërkoi krijimin e një komisioni të përbashkët historianësh mes Francës dhe Madagaskarit për të qartësuar atë çka ndodhur në masakrën franceze ndaj mbretërisë së Madagaskarit gjatë shekullit XX. Vetëm kështu plagët e historisë mbyllen, shtetet, të kapur dorë për dore, ashtu siç ndodhi gati gjysëm shekulli më parë kur Miteran dhe kancelari Kohl bashkuan duart në Berlin, të ecin në udhën e tyre të progresit dhe të një historie të re. Të mohosh dhe të anashkalosh historinë në mënyrë kokëforte është miopi politike dhe frenim i ardhmërisë së përbashkët. Historia e Revolucionit Grek dhe kontributi i çamëve në luftën antifashiste janë bazë e fuqishme e një të ardhme të re.

Please follow and like us: