Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi: DËSHMORËT E RINJ TË FSHATIT VAJZË NË LABËRI

Maji i dëshmorëve nisi me një aktivitet sinjifikativ në Vajzë të Labërisë në bashkinë e Selenicës. Kompleksi memoristik i ri i Dëshmorëve të fshatit Vajzë në ditën e dëshmorëve në përkujtim të gjakut të dëshmorëve të priti shumë vizitorë nga Tirana dhe nga shumë vende të tjera në 5 majin e këtij viti. Dita-memorie e kujtesës për dëshmorët e Vajzës tregoi se dëshmorët nuk harrohen kurrë, pasi ata janë trupëzuar me historinë me flamurin dhe gjakun e derdhur për liri, ata janë frymëzimi atdhetar, emblemë e krenarisë dhe heroizmit. Në Vajzë kishte ardhur orkestra frymore e Forcave të Armatosura, ministër i Mbrojtjes Pirro Vengu, Zv/Ministri i MM ai edhe anëtar i komisionit Enkelejd Joti përgjegjës nga zëvendësministrat për çështjet e dëshmorëve, Kryetari i Bashkisë Selenicë Nertil Ëngjëllush Bellaj, Prefekti i Qarkut Vlorë Plator Nesturi, ish-prefekti Flamur Mamaj, deputeti Vullnet Sinaj, Kryetari i SHKA “Vajzë” Irfan Birbilaj, Kryetar i SHAK “Labëria” dega e Tiranës, Kryetar i SHKA “Fushëbardha” Nexhip Onjea, kryetar i SHKA “Dukaj” Gazmend Allkaj, Kryetare e OKDA dega Selenicë Shefo Xhaferaj, kryeplaku i fshatit Vajzë Çlirim Fredi Hitaj, sekretari i Përgjithshëm i SHKA “Vajzë” Lefter Tahip Hitaj, kryetari për Dëshmorët dhe pasardhësit e Veteranëve të fshatit Vajzë Rait Refat Kasaj, Nënkryetar i ShKA “Vajzë” Mitat Shahin Bellaj, Fatmir Kaba, etj. Dhe të gjithë për shpërndarjen e certifikatave të dëshmorëve të rinj.

Fshati Vajzë kishte para pesë majit, 27 meteorë lirie që mbanin titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut”. Për tre vite u përgatitjen dokumentet e 12 dëshmorë të rinj, ndërkohë që është fakt se ne nuk bëmë asnjë lloj zbulimi, por grumbulluam faktet, dokumentacionin që ishte në historikun dhe ish-muzeun e fshatit dhe të Vlorës, që gjendej në librin e birit të shquar të fshatit Vajzë, Gjeneral Maliq Sadushi (ish-zv/MM i parë), i cili në librin e tij “Fshati ynë i mirë”, (2002), një libër-testament brezash që thotë: “Një numër jo i vogël patriotësh vajziotë janë ekzekutuar me pushkatim. Padrejtësisht këta patriotë nuk janë shpallur dëshmorë të Luftës Nacionalçlirimtare. Kjo padrejtësi duhet korigjuar”. Këtë e dëshmojnë dhe 17 anëtarët e komisionit që hartuan të parin historik të Vajzës dhe që realizuan një dëshmi autentike. Në Departamentin e Dëshmorëve pranë MM-së nëpërmjet Prefektit të qarkut Vlorë u dërguan 12 dosje për 12 të rënë të fshatit Vajzë me një volum rreth 1200 faqe, që plotësonin kriteret e Ligjit nr. 109/2018, datë 20.12.2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, neni 5 “Kriteret për shpalljen ose njohjen e statusit “Dëshmor i atdheut”. Ajo që nuk u mundësua në 80 vjetorin e çlirimit të Atdheut, u mundësua në 80 vjetorin e fitores mbi fashizmin. Shpallja e dëshmorëve të rinj është sot një amanet i përmbushur, që flet për luftën, qëndresën, pathyeshmërinë, lumenjtë e gjakut që fshati Vajzë derdhi në themelet e lirisë, Dëshmorët i nderon gjithë bota pasi ata janë vetë historia e kombeve. Dëshmorët janë luftë, gjak dhe histori. Ky lapidar në Vajzë dëshmon historinë, pasi  dëshmorët u flasin të gjallëve për të shkuarën, historinë, gjakun e derdhur. Në varrezat e fqinjve tanë në Itali është shkruar ky epitaf: “O ju të gjallë, që vizitoni këto varreza: nëse nga ju nuk zgjatet e nuk rritet lavdia e atdheut, ne kot paskemi vdekur”. Historia e kombit përjetosohet pikërisht në lumenj gjaku për lirinë. Çurçilli i vlerësonte betejat si: “gurët kilometrik më të rëndësishëm të historisë”. Krisma e betejave shqiptare, gjaku i derdhur lumë për lirinë e vendit, edhe gjaku i bijëve e bijave të fshatit Vajzë shkruan lirinë shqiptare, pasi krisma e luftës antifashiste u njoh edhe nga tre fuqitë e mëdha të koalicionit antifashist botëror. Zëri i dëshmorëve të Vajzës dhe gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar është një zë i shenjtëruar, një zë që shkroi nder krenari dhe lavdi në librin e artë të shqiptarizmës. Është detyrim mbarëkombëtar për ditën e 5 Majit, ditën e madhe të njerëzve të pavdekshëm, antifashistët  e lavdishëm të shekullit të XX-të të nderohen bindshëm dhe me koshiencë të plotë, pasi sikurse gjithë shqiptarët, fshati Vajzë ishte fshati që e mbështeti luftën partizane me shpirt, ndau kafshatën e gojës me luftëtarët e lirisë. Bashkëpunëtorët e fshashizmit, nuk kanë munguar dhe nuk do të mungojnë edhe në Shqipërinjë tonë të dashur. Ata mohojnë gjakun e dëshmorëve, minimizojnë deri në shuarje LANÇ-in, kalkulojnë  shifra e denigrojnë luftën antifashiste, edhe pse sovrani popull ka një shprehje të larë në dritën e diellit: “Kush nuk respekton të rënët, nuk mund të dojë as të gjallët”. Respekti dhe nderimi i të gjallëve për veprën e dëshmorëve është evident, sepse nën drejtimin e SHKA “Vajzë” e posaçërisht të kryetarit Irfan Birbilaj, kryesisë dhe Kryeplakut e pleqësisë janë gjendur ditë e natë që procedurat dokumentare për hartimin e dosjeve të bëheshin sipas ligjit. Sot është rasti të falënderojmë komisionin për statusin e dëshmorit të Atdheut e posaçerisht Ministrin e Mbrojtjes që ju përgjigj kërkesës sonë duke zbatuar ligjin në mënyrë të përpiktë dhe duke shpallur me titullin e lartë Dëshmor të Atdheut 12 bijë e bija të fshatit Vajzë dhe që t’ju mundësohej vendosja e emrit në këtë lapidar lavdie gjithë atyre që gjakun e derdhën për Atdhe për Shqipërinë e lirë para 81 vitesh dhe më konkretisht:

Këze Shahin Sulçaj (1898 – 25.12.1943), ishte nëna e dy dëshmorëve: Mete Mystehak Sulçaj dhe Delo Mystehak Sulçaj, njihej si nënë partizanësh; Fashistët e dogjën tre herë fshatin dhe Këzja ishte e para grua nga fshati Vajzë që u ekzekutua nga nazistët gjermanë dhe bashkëpuntorët e tyre.

Pesare Xhezo Kërroçaj (1906 – 30.1.1944) pjesë e grave antifashiste të fshatit Vajzë dhe ndihmonte me ç’kish mundësi Luftën Nacionalçlirimtare. Kapet në befasi dhe ekzekutohet me breshëri plumbash përpara shtëpisë së saj në Vajzë më 30 janar 1944.

Ferik Zagoll Bilbilaj (1930–1943) korrieri i çetës së fshatit, pionieri trim që ra nga plumbat e mitrolozit fashist gjerman dhe u pre nga predha e mortajës, pranë Amonicës te pylli i Kuliut më 30 Nnëtor 1943.

Dalan Mehmet Kamberaj (1893-1943) u arrestua nga forcat italiane në kodrat e Ashamirit, në perëndim të fshatit, u shoqërua për në komandën fashiste italiane, duke u mbajtur i lidhur këmbë e duar, u arratis afër Tegesë, dhe tendoi largimin drejt formacioneve partizane fashistët hapën zjarr dhe e ekzekutuan me breshëri automatiku më 16 prill 1943.

Beqir Hasko Osmanaj (1898 –1944) ndihmonte lëvizjen me gjithçka kishte. Kasollja e tij në fund të fshatit në Brahaj, ishte e hapur për partizanët që qarkullonin dendur në Vajzë. Beqir Osmani u kap fashistët e bashkëpunëtorët në përroin e madh në veri-perëndim të fshatit, iu dorëzua komandës gjermane, ku u torturua për disa orë e më tej e ekzekutuan përpara kasolles së tij, në 28 janar 1944, në afërsi të shtëpive të Sulçajve në Nastasaj.

Abdyl Hasko Osmanaj (1910–1944) rënë në moshën 34 vjeçare në Operacionin e Dimrit pasi ai u kap në Buduvenda të Vajzës. Gjermanët e torturuan gati një ditë të tërë, duke i kërkuar të tregonte se ku ishin fshehur strehuesit e parizanëve dhe aktivistët e lëvizjes së fshatit dhe meqënëse nuk tregoi u ekzekutua me pushkatim nga gjermanët. Avdyl Osmani ishte i vëllai i Beqir Osmanit.

Shaho Barjam Selimaj (1890 –1944) rënë në moshën 54 vjeçare. Shahua po kthehej në fshatin e tij të djegur e të plaçkitur nga fashistët dhe po kalonyte rrugës nga Marovicat për në fshat diktohet nga patrulla gjermane që shkonte me motoçikleta gjatë rrugës automobilistike nga Ploça përgjatë fshatit Vajzë. Gjermanët tentuan të kapnin Shaho Selimaj, por ai u përpoq të largohej dhe për t’ju shmangur ndjekësve; gjermanët hapën zjarr pa paralajmërim duke e lënë të vrarë në rrugën automobilistike afër ullinjve të Vajzës më 28 janar 1944.

Delo Mystehak Sulçaj (1929 – 1943) rënë në moshën 14 vjeçare tek po zbriste nga mali i Beunit, fashistët dhe bashkëpunëtorët e njihnin Delo Sulçaj si pjesë e familjes të lidhur fuqishëm me luftën partizane e kapin në befasi tek mullinjtë e Vajzës, tek po zbriti në rrugë dhe kur po kalonte drejt përroit u kap dhe e ekzekutuan me pushkatim në afërsi te “Buza e Bletës” në Vajzë më 30 nëntor 1943.

Sadedin Sherif Hazizaj (1898–1944) rënë në moshën 46 vjeçare, ishte anëtar i Këshillit Nacionalçlirimtar të Vajzës; kapet në mënyrë tinzare, torturohet në mënyrë çnjerëzore si pjesëtar të LANÇ-it dhe si anëtar të Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të fshatit dhe më në fund e pushkatojnë duke i marrë jetën më 18 shkurt 1944.

Hito Zenel Hitaj (1830–1878), i ekzekutuar nga osmanët në mëhallën Karavoq të fshatit Vajzë të rrethit të Vlorës; ka qenë prijës i çetës së Vajzës dhe pjesë e kryengritjeve kundër pushtuesve osmanë; i përket periudhës së LSHP pasi ka rënë në prag të LSHP më 1878.

Resul Beqo Resuli/Onjea (1869–1897), me origjinë nga fshati Vajzë, (bazuar në historikun e fshatit Vajzës), dhe fshatit Fushëbardhë të Gjirokastrës ka rënë në Luftën e tretë për mbrojtjen e truallit shqiptar në Vilajetin e Janinës në mars të vitit 1897.

Azbi Nurçe Hitaj (1900-10.2.1945), që ka ndërruar jetë nga torturat e tmerrshme fashiste në moshën 45 vjeçare. Azbiu kishte tre vajza dhe që të tre kanë qenë partizane. Në shtëpinë e Azbi Nurçe Hitaj u krijua Këshilli Nacionalclirimtar i Vajzës. Për këtë si antifashist u arrestua, burgos, torturua për dy vjet, provoi torturat më çnjerëzore të nazifashistëve. Shtëpia e tij u shemb me predha topi, që rrafshuan shtëpinë prej guri, por nuk mund të shuajnë historinë. Në fund të nëntorit 1944 u kthye në fshat pothuaj i vdekur, me plagë të shumta torturash dhe që pas tre muajsh më 10.2.1945, në agun e lirisë ndërroi jetë nga plagët. Nuk vdiq nga mosha por nga plagët e torturat e luftës. Fashistët i shkaktuan Azbi Hitaj plagë shumë të rënda në trup por dhe goditje të rënda psikike, të cilat e sakatuan tmerrësisht, për të mos u kthyer më kurrë në gjendjen e mëparshme dhe që mbriti në ditën e çlirimit të vendit pothuaj i vdekur dhe i pakallur. Është padyshim një prej heronjve të  këtij fshati, është dhe do të ngelet në përjetësi dëshmor pasi dosja e tij ka më shumë se njëqind faqe, dëshmi të ish-luftëtarëve të luftës antifashiste partizane. Ai do të ngelet përjetësisht në dokumentat e shtetit dhe si një kujtesë për fshatin Vajzë, një kujtesë për ndërgjegjen popullore edhe të atyre që mund të shkelin këtë të drejtë ligjore, hyjnore, morale e historike, edhe për ata që formulojnë e fabrikojnë të dhëna për hir “të pronësisë”. Por dëshmorët janë të kombit, janë të Shqipërisë. Gjaku i derdhur për Atdheun është gjithësesi në të gjitha epokat mbi gjithcka. Atdheu është i të gjithë shqiptarëve dhe maksima proverbiale popullore “e drejta zhytet por nuk mbytet” vonon por nuk harron, e vërteta gjithmonë triumfon.Të gjithë familjarët që erdhën në Vajzë këtë herë ishin pjesë e armatës që mbajnë lartë idealin e dëshmorëve, Shqipërinë e lirë dhe të begatë ta transmetoni si amanet të shenjtë nëpër breza. Grupi organizator në Vajzë dhe Tiranë po përgatit librin për 39 dëshmorët e fshatit Vajzë “Yje mbi Beun”, përfshi dëshmorët e rinj të shpallur këtë 5 maj si trashëgimi e fshatit Vajzë, si dhe e brezave që do të vijnë, pasi vepra luftarake antifashiste e dëshmorëve të Vajzës do jetojë në përjetësi. Gjaku i dëshmorëve të lirisë, i bijëve e bijave të  fshatit Vajzë dhe mbarë kombit shqiptar mori vëmëndjen edhe strukturës më të lartë të Komisionit të Statusit të dëshmorëve dhe personalisht të Ministrit të Mbrojtjes që shpërndau certifikatat e dëshmorëve të rinj të Atdheut dhe më konkretisht: Ferik Zagoll Bilbilaj, Dalan Mehmet Kamberaj, Këze Shahin Sulçaj, Pesare Xhezo Kërroçaj, Beqir Hasko Osmanaj, Abdyl Hasko Osmanaj, Delo Mystehak Sulçaj, Sadedin Sherif Hazizaj, Shaho Barjam Selimaj, Hito Zenel Hitaj, Resul Beqo Resuli (Onjea), ndërsa dosja e Azbi Nurçe Hitaj patrioti e luftëtari i flaktë që vdiq nga torturat fashiste më 10.2.1945 është në proces dhe ne jemi të sigurtë për shpalljen e tij dëshmor sipas gjithë procedurave e normave standarde të legjislacionit shqiptar për dëshmorët. Shpërndarja e certifilatave dhe dhënia e flamurit “Familje Dëshmori” është realizuar në ditën e dëshmorëve më 5 Maj 2025 në Vajzë të Vlorës. Në proces të përgatitjes së dosjes për titullin dëshmor janë edhe Rrapo Ferhat Bellaj (1877-1920), i cili ka rënë në janar të vitit 1920, në moshën 43 vjeçare në mbrojtje të Kongresit të Lushnjës, një nga ngjarjet më madhore të shekullit që vendoste fatet e shqiptarëve pas pavarësisë së Shqipërisë të 1912-tës, si dhe në proces është dhe Shefit Qamil Duka në luftën e madhe të Vlorës,  ndërkohë që është edhe një ngjarje, një vrasje e dhimbshme gjatë LANÇ-it, ajo e partizanes Vojsava Hitaj (e motra e Donikës dhe Habesë, që të dyja pjesë e formacioneve partizane) e bija e Azbiut dhe Manushe Hitaj  (që ishte si një rast identik si i Ramize Gjebresë). Opinioni në Vajzë dhe jo vetëm ruan në kujtesë kohën e luftës kur në shtëpinë e Azbiut dhe tre vajzave të tij partizane ishte ngritur Këshilli Nacionalçlirimtar. Ruhet në kujtesë shtëpia e Azbi Hitaj që ja shëmbën fashistët me 12 të shtëna topi, Azbiu i burgosur e torturuar deri nga ana psikike, ky patriot e luftëtari i flaktë që vdiq nga torturat fashiste më 10.2.1945 e bën rastin si një mungesë të theksuar të mohuar në dekada. Përgatitja dokumentare e dosjeve për të rënët është detyrim i gjithë strukturave që mbrojnë gjakun e të rënëve për liri, pavarësi dhe çlirim kombëtar në Shqipëri. Gjykojmë se e drejta dhe e vërteta, drejtësia do triumfojë dhe Azbi Hitaj dhe e bija në të ardhmen do të shpallen dëshmorë të Atdheut.

Kryetari i Komisionit të statusit “Dëshmor i Atdheut”, ai dhe Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu u shpreh para pasardhësve të familjeve të dëshmorëve, përfaqësuesve të institucioneve dhe banorëve të zonës me fjalë të zgjedhura: “..kjo nuk është thjeshtë një ceremoni nderimi, por një akt i drejtë moral dhe historik. Shpallja e 11 bijve të fshatit Vajzë “Dëshmorë të Atdheut”, është një borxh, që historia u ka atyre që nuk jetojnë më dhe që jetën e tyre nuk e lanë në rehati, por formësuan rezistencë, u bënë ballë sfidave të mjegullta të kohës që jetuan dhe dhanë frymën e fundit kurorëzuar me simbolin e Atdheut. Këtu në Vajzë, çdo pëllëmbë tokë është dëshmitare e përpjekjeve të përgjakshme për lirinë dhe dinjitetin. Vajza është një truall ku trimëria ka gjetur imazhin e vet ndër breza, ku një copëz hartë Shqipërie e munduar nga luftërat, ku hasim një përqendrim të pazakontë trimash. Dhënia e statusit të “Dëshmorit të Atdheut” për njëmbëdhjetë të rënë të periudhave të ndryshme historike, sot është një premtim ndaj së shkuarës dhe historisë, për më tepër një përgjegjësi e re përballë sfidave, që koha na dikton. Obligimi ynë nuk mund të fillojë dhe të mbarojë te lapidarët apo certifikatat, por shumë më tepër se kaq, është një stafetë brezash. Vetëm kur flamuri krenar i dëshmorëve tanë të valojë si i barabartë mes të barabartëve në selinë e Bashkimit Evropian, do të ndjejmë veten të lehtësuar nga ky detyrim i yni ndaj këtij trualli dhe dëshmorëve tanë, për të qenë në lartësinë e idealeve të të rënëve dhe për të çuar më tutje amanetin e tyre për Shqipërinë. Mirënjohje dhe respekt për kontributin e paçmuar të të gjithë dëshmorëve që dhanë jetën për Atdheun. Kujtimi i tyre të jetë bekim i brezave që do të vijnë! Lavdi dëshmorëve të fshatit Vajzë! Lavdi dëshmorëve të Shqipërisë”!

Please follow and like us: