Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Rama: Një shi i hirtë bie mbi Drancy

Gjithçka është e dhimbur dhe e hirtë sot mbi Drancy,

vetë qielli, heshtja, braktisja,

hekurat e ndryshkur dhe ajri i atij stacioni trenash

që pa zhurmë hyri në histori me dhimbjen e tij.

Gjithçka është e hidhur në vagonin e vetmuar

të 60 trenave që shkuan udhëve të Europës

për në krematorët e vdekjes

me qiellin që nderej e zhdukej menjëherë,

me sytë e vrarë dhe ëndrrat e pamundura të lirisë

në fushat e ndërprera e fillikate tej,

me shijen e shkrumbit në horizontin që digjej

dhe erën kundërmuese të mishit

flokë të përcëlluar

në rrugët e Gjermanisë,

nga një kamp në tjetrin

nga një stacion në tjetrin

ku shkonin mijra jetë, pengje, dashuri.

*

Ja ku jam sot në Drancy,

stacioni i vjetër dergjet e përgjumet

me mallin e dhjetra mijra hebrenjve

humbur përgjithnjë

nën zhurmën e trenave

dhe lehjen e qenve të errësirës,

Drancy një imazh i dhimbur

ku mijra hebrenj lanë gjurmët e tyre

aromë thirrjesh dhe duarsh që tunden në erë

shami të përlotura përtej telave me gjemba

ku trenat fërfshëllejnë dhe shfryjnë

avullin e shpirtrave të handakosur,

shamitë e hebrenjve nga të çarat e vagonave

më tunden ende

si letra të padërguara, mbetur ndër duar,

si fjalë të pathëna përkushtimi,

në Drancy është ende aroma e tymit dhe e gjakut

dhe fjalët kanë mbetur në gojët e hapura e pa jetë

të poetëve Robert Desnos dhe Max Jacob,

aroma e gjakut ekarlat të vajzave të ëmbla hebre

që nuk u kthyen më nga Auchvitz, Birkenau, Majdanek,

në Drancy janë ende pëllumbat e shkrumbuar

– fëmijët e Izieut që fluturuan krahëhirtë me tymin në qiell.

Një shi i hirtë bie sot mbi Drancy…

Drancy, 9 maj 2016.

(Asnje nga femijet e Izieu qe nga Drancy u çuan ne kampet e shfarosjes, nuk u kthye. Ne Drancy kaluan 76.000 hebrenj, mes te cileve dhe poetet Robert Desnos apo Max Jacob).

Please follow and like us: