Albspirit

Media/News/Publishing

Zanë Mali: Stola e fundit

E nxehtë si mbrëmjet që harrojnë të zënë gjumë

shtrihem në stolen e fundit

aty ku trupi pret

natën të më kafshojë

*

Dielli ende më puth

jo si dashnor por si zjarrtar

dhe unë shkrihem

me gjinjtë që fryhen në etje

lëkurën që kërkon gishtat e tij

gjethi që kërkon stinën e duhur për të rënë

*

Era më shkon ndër kofshë

si të ishin duart e tij

të dijshme, ngadalta, të pabesa

të denja të më marrin pa pyetur

*

Trupi im është një det

i lagur nga uji i bardhë

ku çdo frymë është valë

çdo puls, thirrje pa mëshirë

*

Nuk ka më fjalë në gojën time

Ajo që flet tani është harku i shpinës

mënyra si përthithem nga dielli

dhe kafshohem nga mungesa

*

Dhe kur dikush kthen kokën

në rrëzë të stolës sime

do të shohë këtë grua që digjet

pa zë…

…sepse jam unë që pres

në stolen e fundit

atë burrë që ende s’e di

se e kam bërë timin në çdo pritje

Please follow and like us: