Irena Dragoti: Është Michigan!
Nata këtu,
ia mban frymën qiellit,
pluhurin e harresës hedh si mjegull
mbi botën që shpikëm vet.
*
Nata këtu.
vjen më vonë se ëndrrat,
si triumf ndaj diellit
afshi i mbytur i ditës,
lëkurët zhvesh si gjarpër
me gishtërinj që meken.
*
Nata këtu,
vetminë ka të lagësht,
horizontin përqaf me krahë të mpirë
e dehur rrjedh koha,në humnerën e syve
me aroma stinësh.
*
Nata këtu
vjen si epitaf ku shkruhet:
“Për faj të një frike u shthur drita
E pafaj u kryqëzua e gjallë”
Ringjallet në ag”.
*
Nata këtu
zgjat sa guximi im
për të parë në sy fillimin
si drenusha, gjahtarin
Është Michigan,
është natë polare.