Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Rexhep Polisi

ERËRAT E JUGËS

Në Jug tani fryjnë erërat e Jugës,

Rrugët kanë ngrirë nga dimri i acartë;

Gurët e mallit lartësohen drejt qiejve,

Malli im tretet në qytetin e lashtë…

*

Gurët e mallit lartësohen drejt qiejve,

Ëndrra përkundet në dallgët joniane.

Me mijëra herë i hipur në kuajt e erës

Jam nisur në udhën e shpresës asaj ane.

*

Në Jug tani fryjnë erërat e Jugës;

Ka ngrirë pasioni brenda meje;

Do nisem dhe, në mbetsha udhës,

Do të prehem në një vello reje…

KUR TI NUK JE

Kur ti nuk je,

Mbrëmja

Tretet

Në harresë,

Nuk është

Më mbrëmje…

Kur ti

Je aty

Brenda

Një fshehtësie,

Si vetë fshetësia,

Mua më ikin

Krejt mendimet

Dhe veten

E shoh

Të robëruar

Tek puthja…

MIMOZAT…

Në sythet e çelura

Të mimozave

Shoh sytë e tu,

Që vështrojnë

Përmes qelqit të shpirtit tim.

Ti nuk i dallon lotët e mi

Që njomin dhembjen e verdhë.

Aroma e mimozave

Shpërndahet në gjithësi,

Në qiellin e paqtë

Fluturojnë ëndrrat tona

Të bardha, ndërsa

Sytë e tu magjepsin

Sythet e çelura

Të mimozave…

PRANVERË

Çelën pemët, rrugët shndrisin

Gjithandej plot shkëlqim.

Të rënduar e kam shpirtin:

As hir, as gëzim…

*

Dhe eci rrugëve, kuturu…

As vetë s’e di ku shkoj,

Sikur të vije ti këtu,

Do të ishte tjetërsoj…

*

Më mungon buzëqeshja jote,

Shikimet e tua si shigjetë.

Eh, s’ia gjetën fundin kësaj bote,

As filozofë, as poetë…!

*

Dhe rri pastaj, mendoj me vete,

Kërkoj një puthje në ajrin flu,

Për atë puthje do të çaja dete,

Veç të më prisnin krahët e tu…

MURI

E shemba murin që na ndante shtëpitë,

I shqeva me dhëmbë telat me gjemba.

Po, si ta shemb, si?

Murin që ti mban përbrenda…

***

I qelqtë ajri me parfum bliri,

Rruga me argjend hëne larë.

Krejt e qelqtë kjo mbrëmje prilli,

Veç ti nuk je si më parë…

DHEMBJE

S’i shquaj lotët e mi,

Veç i ndjej

Si pikojnë

Së brendshmi

Në shpirt.

Ndjej si digjen

Pendesat,

Hidhërimi,

Fjalët pa kuptim

Dhe loti jetim…

Digjet gjithçka

Brenda shpirtit tim,

Ndërsa hiri

Ditën ma nxin

Dhe ec kuturu

Në harrim…

MALL

Mallin për ty

E ndera mbi letër.

Letra s’e mbajti dot.

E shtrydha,

Pikoi lot…

VRASËSIT

Edhe vrasësit

Çojnë lule në varreza.

Lulet në duart e tyre,

Tyta të errëta…

PUTHJE DIELLI

Kam mall për atë puthje dielli,

Kam mall për atë përqafim…

Ti vështrimin ktheve nga deti

E u përskuqe me perëndim.

Ku ndodhesh këtë mbrëmje?!

Më kot të kërkoj në largësi…

Muzgun e puthjes pi me ëndje

Dhe vdes në perëndimin e tij…

DIMËR

Qajnë pemët,

Rrugët heshtin gjithë lëndim…

Asgjë s’pipëtin në motin gri,

As borë nuk bie në qytet.

Veç pemët qajnë;

Qajnë prej mallit tim

Për lulet, për zogjtë,

Për Njeriun

Gjithnjë në shtegtim…

VALË E NXEHTË

Kur deti puthet me diellin në muzg

E valët qetohen nga dallgët në breg,

Mbrëmja vjen lodhur rrugë pa rrugë

Dhe me trillet e dashurisë më djeg…

*

Ti je në bregdet tani,

Detin pushton me vështrime,

Ndërsa unë të sjell ndërmend

E pështjellohem nga mijëra vegime.

*

Më tërbon bronxi i trupit tënd,

Pushi i mëndafshtë në vendin e shenjtë.

Aty do të doja të përhumbem

Dhe të zgjohem nga ajo valë e nxehtë…

MES BRYMËS SË LOTIT

Të gjithë po ikin,

Po ikin e s’dinë ku venë.

Po ikin harruar,

Të zbrazur, pa shpresë…

*

Të gjithë po ikin,

Larg dheut, drejt mallit…

Vetëm unë mbeta vetëm,

S’di si të dal pas të parit.

*

Çapitem udhëve përhumbur,

Mbuluar nga terr i shortit.

Me sytë nga ikja e të gjithëve,

Tek çajnë mes brymës së lotit./exlibris.al

Please follow and like us: