Albspirit

Media/News/Publishing

Gjylo Skëndo: Një lëçitje e shpejtë mbi librin “Shpirt” të Emil Asdurian

I dashur lexues, më mirë t’u them kështu se sa, bashkëqytetarë apo bashkëkombas, (edhe pse s’kanë mbetur shumë këtu).

Paranteza e Parë: Duhet ta bëj të qartë qysh në fillim se autorin e librit për të cilin mora mundimin të shkruaj, nuk e njoh, por u përpoqa të gjej ndonjë të dhënë, sidomos duke pyetur në rrethet letrare në kryeqytet dhe nga botuesit e tij, që midis të tjerave më thanë se është me origjinë siriane lindur e rritur në Shqiperi, pra jo dhe aq autokton si ne bijtë e Labërisë, pra as dhe si emër nuk e kam dëgjuar ndonjëherë, pra s’kam ndonjë arsye apo keqdashje direkte ndaj tij. Madje librin ma ofroi me shumë mirësjellje librashitësja tek Libri Universitar, se librin e kish lënë një e panjohur duke më thënë: “se ka shumë gra lakuriqe”, por “është libër i rëndë nga pesha dhe i lidhur bukur dhe me këmishë”. Gra nudo mbuluar me këmishë libri dhe ishte aty në atë library që e shfletova dhe vendosa të shkruaj disa rreshta për të thjesht si pjesë e një dukurie që e kam vënë re të shfaqet prej vitesh në Shqipëri.

Paranteza e Dytë: Mirë që vijnë të botojnë këtu, si të gjithë emigrantët, që thonë se shkruajnë për dashurinë e gjuhës mëmë dhe duke mos jetuar fare këtu shkruajnë dokrra dashurie, kur ky vend ka kaq shumë halle të tjera, si partite politike, Likja dhe Monika, droga dhe le pastaj korrupsionin. Shkojnë të gjorët me mendjen të na mësojnë neve dashurinë, kur ne e bënim atë dhe në kohen e diktaturës, kur të spiunonin për hiç- për të mos përmendur libra të tillë dekadentë. Sikur nuk kemimjaft letërsi dhe poezi, po i afrohemi Iranit në këtë lëmë, me më shumë poetësë sa qytetarë. Këtu dashuria është sheshit, e lire sikurrë ndonjëherë dhe e gjen të blihet si e do. Nuk kam ndonjë paramendim ndaj librit me piktura dhe poezi, por të them të drejtën, nuk i afrohet vjershave të traditës sonë dhe as atyre të Realizmit Socialist dhe as poezisë së Rita Petros, që i thotë gjërat açik, ashtu siç vine ngathellësia e trupit, e jo me sofizma pafund që do ditë t’i gjesh, pa t’i kuptosh. Apo ato që nuk ua pranojnë atje ku jetoni, vini dhe na i shisni neve këtu. Ikët, pse ktheheni prapa, kur ne kemivajtur tëhu! Nejse, mire bejnë se dhe ne çoku nxjerrim para, sikurse gjatë sezonit kur ua shesim ujin si të ish verë Narte.

Do të përmend një studimi të vjetër të Gjergj Zhejit “Folklori Shqiptar” mbi këngët e dashurisë dhe pikërisht në Kreun e X-të, ku thuhet që shqiptari “nuk e lëshon veten, të flas për të përbrendshmet, por di ta ruajë një pamje të jashtëme të shtirësi të përvuajtur, sikur nuk e çan kokën, duke mbuluar me një shaka tërë trazimin që i zien në zemër”:

“Kam një lëmsh në zemërë

S’kam kujt t’i rënkonemë

T’u rënkonem maleve?

Malet po largonenë…

T’u rënkonemë fushave

Fushat zbukurohenë..

T’u ankonem çupave?

Çupat po martonemë”.

Dhe jo me mendime fshehur pas dukjesh që s’janë aspak të vërteta, por qarje çupërlinash të llastuara. Nëse është kjo ajo që na kërkojnë të futemi në Evropë, një dashuri allafrënga, në dreq të vejë ajo ruspie e qemotit. Ne i kemi ngrënë dhe pirë këto qysh që motit!

Përse duhej në dygjuhë, kur në kohën e sotme, ne pomundohemi të ruajmë pellazgjinë tonë, më të pastër se kurrë, këta tipa që përdorin pa hesap fjalë të huaja na shkruajnë tani dhe në gjuhë të huaj sikur nuk i mjafton njëra për të thënë atë çka duan të thonë! Për mua kjo nuk është arritje, përkundrazi, më kujton Gjeneral Gramafonin!

Libri ka një parathënie të gjatë që e përshkon nga fillimi në fund. Kuptohet që nuk pata kohë talexoja me vëmendje, por nëntitujt më shtuan kureshtjen dhe diç më cimbisi duke menduar që pse në një vëllim poezish duheshin tituj të tillesi: Dürer, Ekspresionizmi, deri këtu mirë, se mos ndoshta justifikon vizatimet, por më pas hidhet tek Gjesti, tek Arti i Mendimit, Tërmetet dhe e mbyll me një Cognito, të gjitha pa ndonjë lidhje me poezitë dhe sidomos me vizatimet plot mish dhe lëvizje, hije dhe dritë që më pëlqyen, por që duken nga një botë tjetër nga ajo e poezive me të cilat nuk para jemi mësuar dhe nuk e di sa më shumë na shtynë, aq më pak bëhen të natyrshme, ndaj e kemi ruajtur gjuhën, edhe pse jo atë të njesuarën apo letraren, për shekuj gojë me gojë. Të mos i bije më shumë në qafë, mbase libri duhet lexuarmë me nge, se mbase do gjenden prapësira të tjera.

Ah, se ment harrova, libri siç e pashë në fund të tij ka rreth 70 referenca, a në mos më shumë. Çfarë lloj poezie mund të jetë kjo! Si mund të përzihen poezitë e dashurisë, ose siç quhen sot erotike, me gjëra të tilla shkencore si psikologjia, se me psikiatrinë e kuptoj. Kemi pasur dhe ne në Vlore një spital të tillë dhe ishte njeri që në vitet ‘80 thërriste “Duçe! Duçe”, derisa e taposën me ilaçe dhe vate e humbi i ziu.

Dikush do pyes, ç’u kujtove o byrazer dhe u kape me këtë që as të njeh dhe as e njeh, kur ka sa të duash të këtillë? Thonë që në Panairin e Librit zënë mbi 60 përqind, në mos më shumë, të librave dhe shumica janë gra që flasin përdashurinë. Ky i ziu, përveç përzierjeve nuk duket të ketë sjellë gjë të re dhe pse libri duket i fismë. Ç’halle kemi ne dhe ku u këndon kumuria këtyre që ende shkruajnë me gjuhën e njësuar të diktaturës që shtypi nën thunder çdogjë. Anakronikë gjoja moderne! Këtu vëlla blihet Gucci dhe jo libra me këmishë. Pikërisht kjo më bëri që të kapem me të!

Paranteza e Tretë: Unë jam një lexues i zakonshëm, mesoburrë, jo dhe aq i vjetër, që në mesin e viteve ’90-të mbarova Fakultetin e Filologjisë në Tiranë, për gjuhë-letersi dhe kampunuar ca kohë si mësues letërsie, por që qysh në rini, si brezi ynë, më ka pëlqyer të lexoj libra dhe romane, sigurisht poezitë e klasikëve tanë, dhe siç u mësuam dhe u çmësuam, poezitë pa rime nuk mën grohin, ashtu si arti primitive në pikturën moderne të Velos apo Kubizmi dhe Abstraktionizmi, sidomos në skulpturën që shoh sot nëpër Tiranë. Pse e them këtë? Se do ngrihen e do thonë e çë pastaj, ti nuk je kritik letrar, nuk ke shkruar gjë tënden dhe vjen e jep mendime mbi librin e dikujt si të jesh ekspert me mendime veresie! E vërtetë kjo, por shikoni komentet nga “ekspertët” në televizion, gjuhën se si flasin e si sillen, kur nuk përmendin asnjë burim serioz apo artikuj se janë të gjithëdijshëm dhe kryetarë të Akademisë pa shkruar njëar tikull. Pse jo dhe unë që mbase duke qenë njëlloj me shumicën, bir i denjë i këtij populli të vuajtur, të mos kem të drejtë të them atë qëmendoj dhe t’u them në sy: ikni nga sytë këmbët, andej nga keni ardhur e mos na jepni mend. Më mirë të blej dy birra tek Tajvani të jem rehat me veten time, se sa të vras mendjen duke lexuar libra grash, kur nuk jam as i pari dhe as i fundit që mundohet t’i kuptojë… pa gjetur karar.

Please follow and like us: