Alfons Zeneli: Brenda shtëpisë
Lyer hënë muret e natës
i bëjnë dritë ikjes se fundit.
Brenda tyre ti studion shkencën e vetmisë.
Qirinjtë flasin me hijet e moskuptimit,
shkruajnë fshehjet e tua
pas dollapit të teshave erëmira
kur numëron deri në dhjetë harrim.
Në rafte, librat bëjnë plane
si t’i ringjallin autorët,
si të rishkruhen më të zymtë
që të pushtojnë më shumë shpirtra të arrirë.
Shkenca jote
është vetmi
e pasosur.
Kërkimet mbi mua
kërkojnë mundim të kërrusur:
të rrish me shekuj
mbi tryezën e pengjeve të praruar.
Tash mbidhi sendet e mëkateve shifrorë
e futi në xhepa, në plasat e murit të vetëvetes lyer hënë.
O dije e errët!
SOS.
*
Vajtoje shpirtin tonë.
Se vetmia po vdes
e s’ka kush na shpëton.
Please follow and like us: