Cikël poetik nga Avdush Canaj
TI THUA
Ti thua
pema është luhare e zogut
pajtohem edhe unë
aty rritet pranvera
me këngë e lojë.
*
Ti thua
retë janë shami të qiellit
edhe unë mëndoj kështu si ti
dielli fshin djersët kur të lodhet si babi
*
Ti thua
deti është ujëshumi
kjo është e vërtetë e kaltër
lumturinë e sjell te bregu i verës
me barkën e ëndrrave të pulëbardhave.
*
Ti thua
lule që fluturon është flutura ime
kështu është, kështu
me ylberin krahëve e kam parë
në faqe të kopshtit vizatonte simpatitë e zambakëve.
Çikallesh, 14 maj 2025.
DEGËT ME VJERSHA
Ti s’je dru, mollë
ti je pallat degësh
me njëqind ballkone
ku këndon vera
*
je pikturë luharesh
në maje gishtrinjësh
vjen era
kolovit ëndrrat e gjetheve
*
nën hijën tënde
kur ma shtrinë dorën gjumi
zogu yt më mbulon me flatër
të mos ftohem
as kolla të mos më zë
*
hëna të do si unë
shpesh harron kapelën te ti
ti ia ruan mirë
s’ma jep as mua
*
degët i ke me vjersha
të ëmbla
mollë e kopshtit.
TAKOVA PJETËR BOGDANIN
Në Letnicë
Takova
Pjetër Bogdanin.
Me Zotin
Fliste arbërisht.
*
Çetën e profetëve
Ma dha me autograf.
*
Kur ia putha dorën
M’i përkëdheli flokët.
*
Më porositi
Të mos e harroj
Këngën ilirishte.
AH, NANA!
Në 32-vjetorin e ikjes së Nanës
Ah, NANA,
e mira,
e diellta,
hyjnorja,
NANA.
TË PREMTEVE
Për Tinën
Çdo të premte
shkojmë në Tetovë.
*
Të premtën e madhe
atje
me një tufë lulesh
*
S’kanë erë, por lot
për Tinën e mirë.
*
Të dritarja e varrit
na pret Tina
të çmallet me ne.
*
Si t’i themi
erdhi pranvera me lejlekun tënd.
Bilbilët pyesin çdo ditë
Kur vjen nga spitali
kur…
*
Edhe rrugës i vesojnë sytë
kur shkojmë të premteve
në Tetovë.
SYTË E YJEVE TË KALTËR
Nuk ka rëndësi
pse zogu i kopshtit
luhatet në luhare të verës.
*
Nuk ka rëndësi
pse dikush i bie violinës
e lulëkuqja vallëzon
me kallinjtë në arë.
*
Fare nuk ka rëndësi,
ama hiç
pse një gjeth fluturon qiellit
ta shoh si pikturon reja e bardhë.
*
S’është me rëndësi
pse ngutet era
t’i vë në gjumë lulet
me fizarmonikën e barit.
*
Me rëndësi është,
shumë me rëndësi,
unë kam një flutur
që s’ma lëshon dorën
e më thotë:
Ke sytë e yjeve të kaltër.