Tri ese nga Astrit Lulushi
Zhgënjim
Gjuha ka befasitë e saj; thotë një gjë dhe nënkupton tjetër. Zhgënjimi, për shembull, po ta shtjellosh, duket se e ka kaluar dy herë gënjimin duke dalë te e vërteta – si vesh e zhvesh, apo drejt dhe zhdrejt.
Zhgënjimi është pjesë e pashmangshme e jetës. Dikush, të cilit menduam se mund t’i besojmë, na zhgënjeu, doli të ishte më pak i sinqertë nga sa prisnim.
Sido që të jetë, shpresat e prishura mund të ndjejnë gjithçka, deri në shkatërrim. Kjo nuk do të thotë se zhytja në zhgënjim është e vetmja mënyrë për të përballuar peshën e rëndë. Një pjesë tjetër e rëndësishme e jetës është të mësosh se si t’i trajtosh më mirë këto goditje dhe të tërhiqesh – kjo duket si të mësosh një mësim, të rregullosh pritshmëritë ose të vendosësh të mos i kushtosh shumë rëndësi diçkaje.
Një mënyrë e dobishme për të përballuar zhgënjimin është mbështetja në mençurinë e të tjerëve që kanë qenë atje më parë dhe kanë ngulmuar. Koha dhe perspektiva mund të na ndihmojnë të shohim një situatë në një dritë të ndryshme, më të butë dhe të kujtojmë: “Kur një derë mbyllet, një tjetër hapet”.
Pjesa tjetër, më pak e njohur e këtij citati, nga Alexander Graham Bell, është po aq e rëndësishme për t’u mbajtur mend: “Por ne aq shpesh shikojmë aq gjatë dhe me aq keqardhje në derën e mbyllur, sa nuk i shohim ato që hapen”.
Ne vetëm duhet të kujtojmë se duhet të pranojmë zhgënjimin e fundëm, por kurrë të mos e humbim shpresën pafund. Ndonjëherë gjërat e mira prishen. Nuk je kurrë shumë i vjetër për të vendosur një qëllim tjetër ose për të ëndërruar një ëndërr të re. Dobësia më e madhe qëndron tek heqja dorë.
“Mënyra më e sigurt për të pasur sukses është gjithmonë të provosh edhe një herë”, thoshte Thomas Edison.
Zhgënjimi, pavarësisht nëse është zhgënjim i vogël apo një tronditje e madhe, është sinjali se gjërat janë në tranzicion në jetën tonë. Zhgënjimi për një shpirt fisnik është si uji i ftohtë që forcon metalin; e kalit, e intensifikon, por nuk e shkatërron kurrë. Madhësia e suksesit matet me forcën e dëshirës, madhësinë e ëndrrës dhe mënyrën se si e trajtoni zhgënjimin gjatë rrugës. Ne të gjithë duhet të vuajmë një nga dy gjërat: dhimbjen e disiplinës ose dhimbjen e keqardhjes apo zhgënjimit.
Një det i qetë nuk bëri kurrë një marinar të aftë, është një shprehje.
“Zhgënjimi, kur nuk përfshin as turp e as humbje, është po aq i mirë sa suksesi; sepse i jep mendjes sa më shumë imazhe dhe gjuhës po aq tema”, shprehej Samuel Johnson. Zhgënjimi është në të vërtetë vetëm një term për refuzimin tonë për të parë anën e mirë.
Boudice
Boudica ishte gruaja e mbretit të fisit Iceni në Britani. Prasatagus ishte mbret klient i Romës, që do të thoshte se ai mund të sundonte Icenin, me kusht që kur të vdiste tokat t’ia linte trashëgim Romës. Por kur vdiq, gjysmën e tokës ia la familjes së tij.
Catus Decianus, prokurori i Neronit, ishte në zyrë kur Paulinus, guvernatori senatorial, ishte larg duke luftuar me Druidët në Uells. Ai dëgjoi se Boudica tani ishte mbretëresha e Icenit dhe mendoi se mund t’i bënte përshtypje shefit të tij në Romë, duke kërkuar që kushtet e trashëgimisë së klientit të respektoheshin plotësisht siç kërkonte ligji romak. Ai dërgoi një grup ushtarësh romakë për të zbatuar kushtet e marrëveshjes.
Ushtarët u sollën me brutalitet dhe arrogancë, duke rrahur Boudicën dhe përdhunuar vajzat e saj. Ky zemërim ndezi një rebelim kundër Romës.
Catus Decianus e kuptoi se do të fajësohej si shkaktar i zemërimi dhe iku në Gali.
Boudica udhëhoqi një aleancë të tre fiseve dhe çdo pale të interesuar dhe bëri sulme të suksesshme ndaj vendbanimeve romano-britanike. Gjatë rebelimit u vranë 70,000 romakë dhe Britonë pro romakë. Boudica shfarosi të gjithë Legjionin e 9-të Romak në Britani.
Paulinus u takua me britonët në një pikë dhe e rifitoi provincën në një betejë të dëshpëruar.
E konsideruar si një heroinë kombëtare e Anglisë, Boudica frymëzoi shumë libra dhe filma. Paulinus u kthye nga Uellsi dhe u përball me ushtrinë e saj me një fitore vendimtare. Thuhet se Boudica vrau veten – një fund tragjik standard romak në histori dhe letërsi.
* Dikur pas vitit 720, Shën Bonifaci u thirr nga Papa në Romë. Bonifaci ishte një murg anglo-sakson. Ai kishte studiuar latinishten klasike në një manastir. Papa e mori në pyetje për çështje të doktrinës. Asnjëri nga burrat nuk mund ta kuptonte tjetrin plotësisht. Shumë fjalë të latinishes kishin ndryshuar kuptim. Ndërsa Bonifaci fliste latinisht, Papa fliste në proto-italisht. Italishtja standarde e shkruar bazohet në të vërtetë në dialektin toskan të Dante Alighierit, i cili jetoi e shkroi midis shekujve XIII – XIV.
* Ganymedi, djali më i vogël i Trosit, mbretit të Trojës, një ditë po nxirrte ujë nga një pus në malin Ida, kur u vëzhgua nga Zeusi, i cili, i goditur me bukurinë e tij të mrekullueshme, dërgoi shqiponjën për ta transportuar në Olimp, ku Ganymedi u pajis me pavdekësi dhe u emërua kupëmbajtës i perëndive. Ganymedi përfaqësohet si një djalosh me një si bravë të artë në dorë dhe tipare të gdhendura delikate, sy blu që shkëlqejnë dhe buzë të mprehta.
* Disa vende sllave ruajnë ngjyrat pan-sllave në flamujt e tyre pavarësisht se pansllavizmi nuk është më një ide popullore. Ngjyrat pansllave janë kuq, bardh e blu. Por trengjyrëshi sllav nuk shprehet ne flamujtë e shteteve Bjellorusi, Poloni, Ukrainë dhe Maqedonia e Veriut). Flamuri i vetëm josllav “trengjyrëshi sllav” në fakt, është flamuri francez. Trengjyrëshi sllav ka njëfarë rëndësie historike (simbolizohet me ‘tre gishta’, por shumica e kombeve përdorin ngjyrat për arsye të tjera, jo për shkak të pansllavizmit.
* Çdo zbulim në Mars tërheq vëmendje në Tokë. Arsyeja është se njerëzimi është kurioz, por edhe këmbëngulës se nuk është vetëm hapësirën pa fund. Roveri më në fund ka gjetur prova zyrtare, të padiskutueshme të jetës së lashtë në Mars. Objekti duket si koral.
Roveri i moshuar, i “ndotur” nga pluhuri marsian dhe me rrotat e dëmtuara rëndë, vazhdon pa u lodhur misionin e tij. Për momentin, NASA thjesht ka postuar në internet foton e këtij shkëmbi të çuditshëm koral, por nuk ka dhënë ndonjë shpjegim për origjinën e tij edhe pse disa hipoteza janë hedhur tashmë.
Kur rrufeja ndërvepron me tokën, ajo çliron energji të konsiderueshme. Temperatura e materialeve të prekura mund të rritet me disa mijëra gradë, duke shkaktuar shndërrimin e silicës në një shkëmb në formën e një tubi pak a shumë të ashpër, pothuajse cilindrik, që i ngjan një korali të fosilizuar.
Mund të jetë gjithashtu “rrënoja” e një shkëmbi më të madh që është gërryer nga era dhe ka lënë këtë ndërhyrje në formë të veçantë.
* Rreth 13.7 miliardë vjet më parë një foton drite filloi të udhëtonte drejt vendndodhjes sonë nga rreth 42 milionë vite drite larg. Ai mbërriti në Tokë në vitet 1960 dhe ishte pjesë e zhurmës statike në një televizor të vjetër kur stacioni ishte jashtë transmetimit. Vendi ku u krijua fotoni tani është 46 miliardë vite drite larg, për shkak të zgjerimit të universit.
Heshtja
11 janari 1946 edhe këtë vit çuditërisht u la në heshtje, kur duhej të anatemohej. Kuvendi i asaj kohe e shpalli vendin Republikë “popullore” dhe më pas sociaiste; partia komuniste doli hapur me emrin e saj dhe pastaj u bë parti e punës.
Të gjitha këto dolën nga vendimet e asamblesë së parë më 11 janar 1946, pa asnjë opozitë. Kundërshtarët ishin eleminuar.
Më 1991, çdo gjë në sipërfaqen komuniste ndryshoi. Fjalët “popullore socialiste” u fshinë nga hartat. Por kuvendi i 11 janarit 1946 mbeti në heshtje, nuk ndryshoi, por u nda, u bë “pluralist”, të majtët u ndanë në shumë parti artificiale dhe parlamenti u bë një fushë “ndeshjesh futbolli”, ku të majtë e të djathtë, sa për sy e faqe, ndeshen, pa gola si miq që janë.
Deputetët në parlamentin e çoroditur grinden e zihen, dhe në mbrëmje takohen në ndonjë restoran VIP, hanë, pinë dhe qeshin.
Kjo bëhet në poitikë, ku ata sikur shahen me grua, nëne, e babê, sepse turp nuk kanë; apo kur kërcënojnë njeri tjetrin me burg, kur të marrin pushtetin; asnjë prej bosave nuk është burgosur, dënimi me vdekje, prej së cilit kanë frikë, është hequr. Bosët janë në politikë, aty ku ishin 32 vjet më parë, dhe njerëzit pashpresë kanë hequr dorë nga kërkesat për ndryshime. Prandaj për 11 janarin heshtet dhe diktatura nuk tërheqë vëmendje, ecën që një ditë të dalë përsëri mbi dhè.