Albspirit

Media/News/Publishing

Tri ese nga Astrit Lulushi

Fund apo përtëritje?

Ndërsa universi zgjerohet, temperaturat do të bien afër zeros absolute (minus 273.15 gradë Celsius). Në librin e tij Parallel World, Michio Kaku citon një legjendë norvegjeze, se dita e fundit e llogaridhënies, ose muzgu i perëndive, do të shoqërohet me trazira kataklizmike.

Erërat depërtuese, stuhitë verbuese, tërmetet shkatërruese dhe zija e bukës do të bien në Tokë, ndërsa njerëzit vdesin të pafuqishëm në një numër të madh. Tre dimra të tillë do të paralizojnë tokën, pa asnjë lehtësim, ndërsa ujqërit grabitqarë hanë diellin dhe hënën, duke e zhytur botën në errësirë totale. Yjet në qiell do të bien, Toka do të dridhet dhe malet do të shpërbëhen. Përbindëshat do të çlirohen, ndërsa zoti i kaosit, Loki, shpëton, duke përhapur luftë, konfuzion dhe mosmarrëveshje në të gjithë tokën e errët.

Odini, ati i perëndive, do të mbledhë luftëtarët e tij trima për herë të fundit në Valhalla për konfliktin përfundimtar.

Ndërsa perënditë vdesin një nga një, perëndia i keq Surtur do të thithë zjarr dhe squfur, duke ndezur një ferr gjigant që do të përfshijë qiellin dhe tokën. Ndërsa i gjithë universi është zhytur në flakë, toka fundoset në oqeane dhe vetë koha ndalon. Por nga hiri i madh, një fillim i ri lind. Një tokë e re, ndryshe nga e vjetra, dalëngadalë del nga deti, ndërsa frutat e reja dhe bimët ekzotike mbijnë me bollëk nga toka pjellore, duke lindur një racë të re njerëzish.

Legjenda vikinge e një ngrirjeje gjigante e ndjekur nga flakët dhe një betejë e fundit paraqet një përrallë të zymtë të fundit të botës. Në mitologjitë në mbarë botën, mund të gjenden tema të ngjashme. Por ka edhe një mesazh shprese.

Nga hiri del rinovimi.

Shkencëtarët, duke u përballur me ligjet e ftohta të fizikës, tani duhet të përballen me tema të ngjashme. Faktet, dhe jo mitologjia e pëshpëritur rreth zjarreve, dikton se si shkencëtarët e shohin fundin e universit. Tema të ngjashme mbizotërojnë në botën shkencore. Ndër zgjidhjet e ekuacioneve të Ajnshtajnit, ata shohin gjithashtu një të ardhme që përfshinë të ftohtin e ngrirë, zjarr, katastrofë dhe fundin e universit. Por jo nëse do të ketë një rilindje përfundimtare.

Sipas fotografive që vijnë nga satelititë, një forcë misterioze antigraviteti po përshpejton zgjerimin e universit. Nëse vazhdon për miliarda apo triliona vjet, universi në mënyrë të pashmangshme do të arrijë një ngrirje të madhe të ngjashme me stuhinë që parathotë muzgun e perëndive, duke i dhënë fund gjithë jetës siç e njohim ne. Kjo forcë antigraviteti që e largon universin është proporcionale me vëllimin e universit. Kështu, sa më i madh të bëhet universi, aq më shumë antigravitet ka për të larguar galaktikat, gjë që rrit vëllimin e universit. Ky rreth vicioz përsëritet pafundësisht, derisa universi të hyjë në një modalitet të ikjes dhe të rritet në mënyrë të shpejtë.

Përfundimisht, kjo do të thotë se tridhjetë e gjashtë galaktika në grupin lokal të galaktikave do të përbëjnë të gjithë universin e dukshëm, pasi miliarda galaktika fqinje me shpejtësi kalojnë horizontin tonë të ngjarjeve. Me zgjerimin e hapësirës ndërmjet galaktikave më shpejt se shpejtësia e dritës, universi do të bëhet tmerrësisht i vetmuar. Temperaturat do të bien, pasi energjia e mbetur shpërndahet gjithnjë e më e hollë në hapësirë. Ndërsa temperaturat bien afër zeros absolute, specieve inteligjente do të duhet të përballen me fatin e tyre përfundimtar: ngrirjen deri në vdekje.

Të kundërtën parathonë legjendat, që japin një shpresë, atë të përtëritjes.

Fuqia e fjalës

Fjalët janë të afta edhe për të ndryshuar rrjedhën e historisë. Ato mund të fitojnë luftëra ose t’i parandalojnë ato; mund të japin ngushëllim përballë vështirësive dhe të frymëzojnë të tjerët për bëma dhe zbulimet të mëdha; mund t’i lirojnë njerëzit, ose të paktën t’i vendosin në rrugën drejt lirisë. Nga fjalët emocionuese të mbretëreshës Elizabeth I, në shekullin XVI, veçojmë:

“E di që kam trupin e një gruaje të dobët, por kam zemrën dhe stomakun e një mbreti, nëse mendoj se Parma ose Spanja, ose ndonjë princ i Evropës guxojnë të pushtojnë kufijtë e mbretërisë sime”.

Në 1588, ndërsa priste një pushtimin nga Armada spanjolle, Mbretëresha Elizabeth I iu drejtua trupave të saj të mbledhur në Tilbury, Angli. Elizabeta, e veshur me një fustan të bardhë prej kadifeje dhe me parzmore, hypur mbi një kalë gri, dukej si një figurë pothuajse mitike.

Ndërsa fjalimi i saj emocionues nuk ndikoi drejtpërdrejt në fundin e Armadës, anglezët kishin një besim të ri te mbretëresha e tyre, gjë që do të ndihmonte për ta bërë kombin e vogël një fuqi botërore.

“Jam i bindur se dielli është i palëvizshëm në qendër të rrotullimit të rruzujve qiellore, ndërsa toka rrotullohet rreth boshtit të saj dhe rreth diellit”, tha Galileo Galilei.

Heliocentrizmi – ideja që Toka dhe planetët rrotullohen rreth diellit në qendër të universit – ka qenë që nga lashtësia. Por ishte Galileo ai që i pari siguroi prova duke përdorur një teleskop.

Në 1615, ai u hetua nga Inkuizicioni Romak i Kishës Katolike për besimet e tij të supozuara heretike dhe kaloi një pjesë të jetës së tij në arrest shtëpiak. Sot, ai konsiderohet babai i astronomisë vëzhguese, fizikës moderne dhe metodës shkencore.

“Jemi shumë të vendosur që këta të rrënë nuk do të kenë vdekur më kot – që ky komb, nën Zotin, do të ketë një lindje të re të litisë – dhe qeveria e popullit, nga populli, për popullin, nuk do të zhduket nga faqja e dheut”.

Më 19 nëntor 1863 – pak më shumë se katër muaj pasi ushtritë e Bashkimit mposhtën Konfederatën në Betejën vendimtare të Gettysburgut gjatë Luftës Civile Amerikane – Presidenti Lincoln mbajti një fjalim të shkurtër në nder të atyre që vdiqën në mbrojtje të lirisë.

Nelson Mandela mbajti fjalimin e tij “Unë jam i përgatitur të vdes” nga banka e akuzës si i pandehur në gjyqin Rivonia të vitit 1964, në të cilin ai dhe kundërshtarët e tjerë kryesorë të aparteidit dolën në gjyq me akuzat për sabotim, një krim që dënohej me vdekje. Fjalimi tre-orësh konsiderohet si një nga fjalimet më të mëdha të shekullit të 20-të dhe një thirrje për drejtësinë racore dhe idealet demokratike.

Mandela, megjithatë, u dënua me burgim të përjetshëm. Ai kreu 27 vjet të dënimit dhe katër vjet pas lirimit të tij në 1990, u zgjodh presidenti i parë me ngjyrë i Afrikës së Jugut.

Kau memec

Shën Thomas Aquinas është i njohur për një shprehje aq të thellë, saqë mbahet mend edhe sot pas më shumë se 700 vjetësh.

Ai ishte gjeni dhe teolog i shkëlqyer nga Sicilia. Kur ishte i ri, Thomas iu bashkua një urdhëri dominikan. Familja nuk deshi që ai të bëj murg. Kështu që e rrëmbeu dhe e mbajti në burg në shtëpi për disa vjet. Kur pa se Thomas nuk hiqte dorë, e ëma i hapi dritaren dhe e la të arratisej, për të treguar se nuk ishte dakord me vendimin e djalit.

Thomas ishte i heshtur, i qetë, i butë, dhe njerëzit e merrnin naivitetin e tij për idiotizëm.

Një ditë, shokët e tij murgj vrapuan drejt tij dhe i thanë: “Thomas, eja shiko! Derrat po fluturojnë në qiell”!

Thomas u hodh hodh nga vendi ku ishte ulur dhe doli në dritare për t’i parë.

Mes murgjëve shpërthyen të qeshura. Ai heshti për një minutë, pastaj tha: “Më mirë të besoja se derrat mund të fluturojnë, sesa që vëllezërit e mi të më gënjejnë”.

Për shkak se Thomas nuk fliste shumë, disa nga shokët e tij studentë menduan se ai ishte me zhvillim të ngadalshëm mendor. Por Albert Magnus, mësues i tij, në mënyrë profetike tha: “Ju e quani Thomas Aquinën ‘bos mutus’ kau memec, por një ditë ai do të prodhojë një zhurmë të tillë sa do të dëgjohet në të gjithë botën”.

Thomas u bë më i madhi nga filozofët skolastikë. Ai përqafoi disa ide të paraqitura nga Aristoteli dhe u përpoq të sintetizonte filozofinë aristoteliane me parimet e krishterimit.

Sipas filozofit anglez Anthony Kenny, Thomas ishte “një nga filozofët më të mëdhenj të botës perëndimore”. Më 1999, Papa Gjon Pali II, e nderoi Thomas Aquinas, duke i dhënë titullin “Doktor of Humanity”.