Kodet e së bukurës tek Eco dhe estetika bashkëkohore tek Kadare
Pol Milo
E bukura është një nga konceptet më të lashta dhe më të debatueshme në historinë e filozofisë, dhe nuk ka një përkufizim të vetëm universal. Megjithatë, ajo mund të kuptohet në disa rrafshe. Në mënyrë tradicionale e bukura është ajo që ngjall kënaqësi estetike, harmoni, proporcion, simetri dhe ekuilibër. Në antikitet, Platoni e lidhte të bukurën me të vërtetën dhe të mirën si pjesë e një realiteti të përjetshëm dhe ideal. Ai thotë: “E bukura është shkëlqimi i së vërtetës”.
Sipas Kantit e bukura nuk qëndron në objekt, por në përjetimin pa interes që kemi kur e vëzhgojmë atë. Për Kantin, gjykimi estetik është universal, por i bazuar në ndjesinë individuale, që nuk mbështetet në mendim logjik apo koncept. Në mendimin bashkëkohor e bukura është shpesh e ndërlidhur me kontekstin kulturor, historik, politik dhe personal. Mund të jetë shqetësuese, e çuditshme, jokonvencionale, por gjithsesi prodhon një përjetim estetik.
Në artin bashkëkohor e bukura nuk identifikohet domosdoshmërisht me “të këndshmen”. Edhe e shëmtuara, e pazakonta, apo tragjikja mund të ketë bukuri estetike në mënyrën si shfaqen apo si ndikojnë emocionalisht.
Sipas studiuesit Umberto Eco: “E bukura nuk është kurrë absolute; ajo është gjithnjë relative ndaj një kodi.” Në këtë këndvështrim e bukura është një përjetim estetik që shpesh përfshin harmoni, emocion, mister, ndjeshmëri, por varet nga syri që e vështron dhe nga koha që e kupton.
Umberto Eco, semiolog, filozof, romancier dhe estetist italian, është një nga mendimtarët më të rëndësishëm të shekullit XX që ka trajtuar në mënyrë të thelluar çështjen e të bukurës. Në veprën e tij madhore “Historia e bukurisë” (Storia della Bellezza), Eco nuk kërkon të japë një përkufizim absolut të bukurisë, por përkundrazi, e sheh të bukurën si një ide që ndryshon përmes kohëve, kulturave dhe konteksteve. Eco argumenton se nuk ekziston një “e bukur” universale, por ajo që ne quajmë e bukur kushtëzohet nga kodi kulturor i një epoke të caktuar. Ai shkruan: “Bukuria nuk ka një fytyrë të vetme, por aq fytyra sa ka epoka dhe shije që e kanë ndërtuar atë”. Kjo do të thotë se mënyra si e perceptojmë të bukurën varet nga vlerat estetike të kohës, besimet fetare apo filozofike, konteksti social dhe historik, forma artistike dhe simbolika. Eco analizoi shembuj nga historia. Në antikitetin grek, e bukura ishte simetri, harmoni dhe proporcioni (p.sh. Doryforosi i Polikletit). Në mesjetë, e bukura lidhej me shenjtërinë dhe përshpirtmërinë (ikonat, mozaikët). Në barok, e bukura bëhet emocionale, dramatike, shpërthyese. Në shekullin XIX, romantizmi e sheh të bukurën në të çuditshmen, të përhumburën, edhe në të shëmtuarën. Në artin modern, e bukura shpesh dekonstruktohet, ajo mund të jetë një koncept kritik, një provokim apo edhe një mohim i vetes.
Por gjithmonë më ngacmonte pyetja se kur i referohet Umberto Eco kur thotë “Kodet e së bukurës”? Për cilët kode e kishte fjalën? Kur Umberto Eco flet për “kodet”, ai i referohet kodeve kulturore, semiotike dhe komunikuese që ndërtojnë mënyrën se si ne perceptojmë, interpretojmë dhe vlerësojmë diçka, përfshirë të bukurën. Kodi kulturor është një sistem vlerash, besimesh, simbolesh dhe shenjash që një shoqëri përdor për të kuptuar botën. Çdo epokë historike ka kodin e saj, mënyrën e vet se si e përkufizon bukurinë, të mirën, të shëmtuarën, artin. Në Antikitet, kodi i bukurisë ishte simetria dhe harmonia, në Mesjetë, ishte shenjtëria dhe shpirtërorja, në Modernitet, originaliteti dhe shqetësimi estetik.
Kodi semiotik që thekson se gjithçka që perceptohet si e bukur është një shenjë që duhet interpretuar. Kjo shenjë funksionon brenda një kodi. Një pikturë, një monument apo një trup i bukur nuk kanë kuptim në vetvete, kuptimi u jepet nga kodi semiotik i shoqërisë që i interpreton.
Kodi i komunikimit estetik, ku një vepër arti “flet” përmes një gjuhe, Kjo gjuhë është kodi i saj. Nëse ne nuk e njohim këtë kod, nuk mund të kuptojmë mesazhin estetik që ajo përcjell. Një përkufizim i shkurtër nga vetë Eco është: “Kodi është sistemi që e bën të mundur interpretimin. Ai nuk është absolut, por ndryshon me kohën dhe kulturën”.
Pra, kur Eco thotë “të bukurën e ndjek kodi”, ai nënkupton që asgjë nuk është e bukur në mënyrë absolute apo natyrore, por vetëm sipas kodit me të cilin ne e lexojmë atë. Një shembull i qartë i kodeve estetike që ndryshojnë me kohën në letërsi është mënyra se si përjetohet figura e gruas së bukur në periudha të ndryshme. Në “Komedia Hyjnore”, Dante e paraqet Beatriçen si një qenie të bukur shpirtërore, që nuk është objekt sensual, por udhërrëfyese drejt Zotit. Kodi estetik mesjetar thotë së bukuria është e shenjtë, e moralshme, e lidhur me shpirtëroren. “Ajo më shfaqet me pamje eng jëllore, si dritë që më ndriçon rrugën e shpëtimit”. (Purgatorio) Ndryshe paraqitet ajo te Charles Baudelaire, “Lule të së keqes” (Shek. XIX). Tek ky poet modernist, figura e femrës së bukur është e turbullt, sensuale, madje edhe kërcënuese. Ajo nuk udhëheq shpirtin, por e tundon, e përfshin në përvojë fizike dhe emocionale të thellë.
Kodi estetik romantiko-dekadent thotë se bukura është e përzier me të shëmtuarën, me vuajtjen, me pasionin e errët. “Gruaja është si një tempull, ku i çmenduri kërkon prehje në hijet e ndaluara” (Les Fleurs du Mal). Te Ismail Kadare në romanin “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” (Botime Onufri), përshkrimi i bukurisë së femrës shqiptare është jo vetëm estetik, por edhe i koduar etnikisht, politikisht dhe historikisht. Ajo bëhet simbol i qëndresës, i dhembjes, por edhe i identitetit. Kodi estetik bashkëkohor thotë se bukura është e kontekstit, e përbashkuar me historinë, kulturën dhe qëllimin e shkrimit. “Ajo u kthye nga dritarja me një ndriçim që vinte më shumë nga brenda sesa nga dielli i pasdites”.
Ky evolucion i figurës së bukurisë tregon qartë se sipas Eco-s, “të bukurën nuk e gjejmë, por e lexojmë” dhe leximi varet nga kodi me të cilin e deshifrojmë. Ky fragment është një fjali e shkurtër, por shumë e ngarkuar emocionalisht dhe figurativisht.
Struktura sintaksore është e qartë, por imazhi poetik është kompleks: kontrasti midis dritës së jashtme (diellit) dhe dritës së brendshme (e brendshme shpirtërore apo emocionale) krijon një tension estetik që e ngre personazhin në një nivel simbolik. Ky përshkrim nuk është thjesht vizual, por metaforik. Ndriçimi që vjen “nga brenda” shpreh një botë të brendshme të pasur, një thellësi njerëzore që tejkalon perceptimin e thjeshtë fizik. Në një kontekst ku figura e gruas është shpesh bartëse e histories dhe dhimbjes kolektive, ky ndriçim bëhet një formë e bukurisë së rezistencës. Nga pikëpamja simbolike dritarja është një simbol i hapjes, i kalimit midis dy botëve, të jashtmes dhe brendësisë, së kaluarës dhe së tashmes. Ndriçimi i brendshëm shprehet si simbol i shpirtit, memories, qëndresës, por edhe i një bukurie që nuk varet nga rrethanat e jashtme. Ky simbol i dritës së brendshme është i krahasueshëm me përfytyrimin e “dritës së shpirtit” te Dante apo “dritës tragjike” te Camus.
Kadare nuk na jep një përshkrim sensual të femrës, por një vështrim respektues dhe etiko-estetik. Ai nuk e trajton trupin si objekt, por si mbartës të kuptimit dhe të kujtesës. Kjo është në përputhje me etikën e autorit për të ruajtur dinjitetin e personazheve në një kontekst pas lufte. Ndikimi emocional që lexuesi përjeton ka një ndjesi admirimi, trishtimi dhe respekti. Drita që vjen nga brenda është një mënyrë për të na kujtuar se bukuria më e thellë buron nga përjetimet, dhimbjet dhe forca shpirtërore jo nga pamja. Ky fragment ruan një aktualitet estetik të pazëvendësueshëm. Në një epokë ku bukuria shpesh reduktohet në sipërfaqe dhe imazh, Kadare na kujton për një kod më të vjetër, më të thellë dhe më të qëndrueshëm të bukurisë: ai që lind nga brendia e njeriut. Në këtë mënyrë, përmes një fjalie të vetme, Kadare ndërton një kozmos estetik, ku përvijohen ide të së bukurës, të së shenjtës, të etikes dhe të përjetimit kolektiv.
Dyrrah 2025./exlibris.al