Ndue Ukaj: Profetët e rremë
Ndodhte shpesh që mes njerëzve të vinin profetët e rremë dhe kjo ndodhte kur njerëzit gjendeshin nëpër dallgë të jetës, pa ndonjë profet të mirë, të cilin mund ta zgjonin nga gjumi dhe t’i thoshin: na shpëto.
Por si dukeshin profetët e rremë e si vinin mes njerëzish e bëheshin udhëheqës të tyre? – pyesin njerëzit brezni pas breznie, e pyetja shtegtonte si një re në qiell të trazuar, herë dukej e qartë si një mëngjes i bukur e herë e dallgëzuar, si një natë e zezë, dhe njerëzit, sa dukej se i afroheshin një epilogu ose një zgjidhjeje, largoheshin kilometra dritë prej njohjes së kësaj të vërtete, ngaqë, në secilin hark njerëzor, profetët e rremë, shiheshin mes njerëzish, kishte raste kur njerëzit i dëbonin, por ndodhte shpesh që ata të përbiroheshin mes tyre e të ngjiteshin në maja të pushtetit.
Dhe sa herë shfaqeshin mes njerëzish, ata ngjanin si qengja, por përbrenda ishin ujq.
Ishin parë shumë profetë të rremë mbi faqe të dheut, secili më gjakpirës se tjetri, por njerëzit prapëseprapë nuk e kishin idenë si përbiroheshin ata me aq lehtësi mes dëshirave njerëzore, i thithnin, ato si rriqra dhe dilnin në sipërfaqe, prej ku, ngjiteshin froneve të larta.
Kur ishin mes njerëzish, poshtë, predikonin për parajsën, bëheshin të butë si qengja, por përbrenda ishin ujq, dhe këtë instinkt e shfaqnin porsa ngjiteshin në frone të larta dhe gjithçka poshtë e shikonin me përbuzje.
Sa ishin të vegjël, mes njerëzish, flisnin me një përvujtëri, visheshin me pupla të buta, dukeshin si qengja, uleshin pranë fëmijëve, ndodhte të përuleshin e t’ua lidhin të mbathurat atyre, i shihje në sofra të varfërish e bëheshin se ushqeheshin me troha të varfërisë; fjalët e tyre nuk përmbanin helm, as teh thikash, përkundrazi, kur ishin në tatëpjetën për t’u ngjitur lartësive, flisnin shumë për parajsën, por gjithçka ndryshonte kur binte nata – e nata bie përherë – dhe ata, të ulur në fronin e pushtetit, zhvishnin teshat e tyre prej qengjash, mbrehnin fjalët, si thikat e egra njerëzore dhe shkretonin gjithçka që u dilte përpara.
E vërteta ishte megjithatë e qartë: nuk duheshin shumë algoritme mendore për t’i kuptuar si dukeshin ata, gjeografia e kësaj tragjedie nuk zhvillohet në një hapësirë të madhe, nuk kishte nevojë për një duel, luftë të re Troje, Holokaust, luftë të re në Kosovë, një kalë si dhuratë në një mëngjes me shi e zymtësi, një gjyq si ai i Pilatit, por dihej, një dramë e tillë zhvillohej në një zemër të egër, që nuk ishte e butë dhe e përvuajtur, dhe njerëzit, që t’i kuptonin ata, duhej ta kuptonin se nuk vilej rrushi prej ferrave e as fiq prej murrizave.
Dhe kur ta kenë kuptuar këtë të vërtetë, njerëzit do të zgjohen në një mëngjes të ri, në një mëngjes krejt të ri, të bardhë e pa histori negative të trashëguara e do t’i hapin krahët e do ta përqafojnë mëngjesin e ri, duke pështyrë mbi udhëheqësit e rremë, e nga pështyma e tyre, baltë do të bëhet dhe ata të mallkuarit, do të fundosen në baltë.
Dhe kështu, njerëzit do ta kuptojnë se një pemë e mirë jep fruta të mira, e një pemë e keqe jep fruta të këqija dhe një pemë ngjan në një mendje të keqe, e një mendje e keqe nuk mund të japë fryte të mira.
Dhe kur njerëzit ta marrin këtë mësim do të dalin në kopshtin e tyre e do t’i nxjerrin nga dheu i tyre me shpejtësi drite pemët e këqija, që i kanë ujitur kohë të gjatë dhe do t’i hedhin në zjarrin e asgjësimit dhe atë syprinë do ta mbjellin me pemë të mira, që japin fryte të mira.