“Të vegjlit e mi” nga Ylli Pango, një perlë që përcjell dashurinë njerëzore
Ardian Goci
Kam lexuar shume libra (gjithsej 18 të botuar), shkrime te Ylli Pangos, edhe para se te njiheshim, por sidomos pas njohjes se hershme, prej me shume se 20 vitesh. Te them te drejtën, shumë prej tyre më është dashur ti rikthehem pasi edhe pse profesor Ylli e ka merak të madh që të jetë sa më i asimilueshëm. Kjo për arsyen e thjeshtë sepse psikologjia është arma e tij më e fuqishme.
Por unë këtu dua të ndalem në librin e sapo dalë në qarkullim,”Të vegjit e mi” që ashtu siç e ka quajtur vetë autori, është një rrëfenjë për të vegjël e për të rritur. E më shumë se kaq.
Që në fillim të librit, ti gjendesh në botën e familjes së vogël, në jetën e tij, në shtëpinë e Yllit. Ti pa kuptuar zë vënd në një cep të shtëpisë dhe përjeton të gjitha emocionet që të serviren në mënyrën më të drejtpërdrejtë nga rrëfyesi. Dashuria mes tre njerëzve, nënë, bir e atë, është kaq e bukur dhe e natyrshme saqë rrëzon çdo barrierë moshe, vendesh të ndryshme nga vijnë apo paragjykimesh. Është dy herë e bukur, një herë se është vërtet një dashuri e pastër dhe herën e dytë sepse është përshkruar kaq bukur, dhe kaq qartë sa që ti nga cepi ku të ka rezervuar autori në shtëpinë e tij arrin ta prekësh këtë dashuri.
Ardhja e fëmijës aq te dëshiruar Daniel, (Danja në libër)peripecite e kaluara por edhe gezimet, janë përshkruar me tone të forta emociomale. Krahas analizave psikologjike, që sigurisht janë arma më e fuqishme e profesorit, shikojmë anën humane, atë “zbutjen” e lartësimin që i jep shpirtit njerëzor dashuria për njeriun!
Kur lexon librin, kupton se të gjitha angazhimet e tjera kalojnë në plan të dytë përpara këtyre përjetimeve. Por jo rastësisht, një burrë i moshës së tretë, gjysh dhe baba i ri njëkohësisht, po edhe bashkëshort në moshën e babait, mund t’ia dilte mbanë jetës duke i kryer të gjitha rolet.
Vetëm temperamenti, karakteri, fiziku inteligjeca e një njeriu si Ylli mund t’ia arrinte të kapërxente mbi moshën. Është dashuria njerëzore, por është edhe pak genetike, për mendimin tim. Për mua që njoh nga afër pjestarë të familjes Pango, e di çfarë kapacitetesh janë. Prandaj nuk u habita dhe aq për cilësitë e Danjës së vogël që ka mësuar kaq gjëra në moshë aq të vogël.
Pa bërë një recension të mirëfilltë, që mund ta bëja me shumë kënaqësi, dua të shtoj që në këtë vorbull paçavuresh që na serviren, ky libër është pa dyshim një perlë për nga ajo që na përcjell: Dashuria njerëzore!
Faleminderit profesor që ndave me ne atë dashuri që e ka bërë jetën tënde kaq të bukur!
Post Scriptum:
Thomaidha Tonuci: Një libër i lindur nga dashuria
Një libër i lindur nga dashuria, nga dorëzimi i vetes në qashtërsinë e saj, gjë që nuk do të ndodhte nëse Zoti, Ati ynë, nuk do t’i kishte bërë prani engjëjt njerëz, për të cilët dhe vetë autori ndihet i paplotësuar në përshkrimin e tyre. Kur e pamundura bëhet e mundur, vjen si mrekulli dhe lutesh që kjo ndjesi të mbetet e përjetshme.
Ajo e ruan madhështinë e saj në gaz e dhembje, në frikëra, kujdesje, ëndrra që paraprijnë ngjarje dhe të papritura.
Marina dhe Danja, krijesa të mahnitshme hyjnore në pragun dhe zemrën e një bote ndryshe, pikturë e gjallë dashurie, sjellë prej Perëndie.
Një histori e thjeshtë në dukje, një mama, një “baba” dhe bir shkruar me frymë hyjnore.
Do të thosha: “Një himn i vërtetë për njeriun, shkruar me stil dhe gjuhë që të mahnit”, por këtë e tha para meje miku ynë i përbashkët Bardhyl Londo i cili mungon kaq shumë.
Si pjesë e qenësisë së tij autori Ylli Pango nuk mund t’i shmangej fillit psikologjik e filozofik, në ngjarje, dukuri shoqërore e ndjesi. Me dashje ose jo, unë jam e bindur se ajo ka lindur natyrshëm si shtrat ku është ngjizur e jeton personaliteti i tij.
Duke iu referuar autorit në përkufizimin për jetën, unë e përqas këtë histori si “të bukur dhe të brishtë, mister i pamposhtur njerëzor, njëherazi e rrallë e tre njerëzve, tre brezave të ndryshëm, që fati e solli të jetojnë bashkë në këtë vend dhe këto kohëra të turbullta për vendet e tyre”.
Ylli Pango: Historia e rrallë e tre njerëzve të tri brezave
Kjo është historia e zakonshme, njëherazi e rrallë, e tre njerëzve të tre brezave, që fati e solli të jetojnë bashkë e të duhen fort, në këtë vend, në këto kohra të turbullta për vendet e tyre… Ky është libri im i ri, botimet Onufri. Falënderoj z. Bujar Hudhri dhe punonjësit e këtyre botimeve për punën e bukur, të përkushtuar e cilësore për botimin e këtij libri. Librin mund ta gjeni te Libri Universitar, Tirana Book pranë sheshit Wilson, Librari Adrion, Librari Onufri, Rr. Myslym Shyri”. Së shpejti edhe në librari të tjera… Libri është përkthyer edhe në anglisht nga Carrie Hooper dhe është publikuar edhe nga Amazon.