Libri “Kodi”, që pritet të vijë së shpejti nga Ambra Hysa

Fragment nga libri
Duhet të të ketë ndodhur edhe ty, sepse dashuria thjesht ndodh. Është një “klik” i zemrës, një shpërthim momental që lind në një sekondë. Dashuria nuk ndodh gradualisht – këtë e besojnë ata që e njohin pak dashurinë e vërtetë, atë që të trondit të gjithë qenien, atë për të cilën thua se mund të vdesësh, por që ngadalë, dhe pa u kuptuar, bëhet motivi që të jetosh.
Dashuria është e pafajshme, e lirë si një re e butë ndjesish, që përplaset në qiell të hapur dhe, papritur, bën “boom”. Por ne e ndërlikojmë dhe e përjetojmë si të pamundur, dashurinë.
Jam e sigurt që edhe ty të ka ndodhur – të ta rrëmbejë dikush zemrën, të depërtojë në skutat më të thella të shpirtit tënd, vetëm me mënyrën se si është, kaq i ngjashëm me ty. Dhe mënyra se si ai njeri është, ti e imagjinon pa folur. Pikërisht ajo esencë pikëpyetjesh është i gjithë sekreti, prej nga buron misteri i dashurisë.
Ti nuk e di, por e ndjen – sesi ai i përgjigjet të gjitha pikëpyetjeve të tua. Sa herë që rrije natën zgjuar dhe pyesje veten se kush do të ishte ai…zemra e di. Ajo ka nuk jep alarme të rreme – zemra nuk di të gënjejë. Nuk njeh arsye, llogari, distancë; nuk di të kalkulojë. Por zemra e di që është “ai”.
Ai që po kërkoje, që të bën të ndihesh si në shtëpi. Prezenca e tij është familjare, e afërt, edhe pse sapo e ke takuar. Ti ndalesh për një moment dhe mendon: “Ku e njoh unë këtë njeri? Ku e kam takuar më parë?” Kjo energji më kujton, ndoshta, një jetë tjetër, një njeri tjetër… Por zgjon tek unë pikërisht atë që dua të jem. Ky njeri ka kodin e shpirtit tim.
Kush e ka kodin e shpirtit tënd? A e ke takuar ti atë? Njeriun që mund të zbërthejë të gjithë qenien tënde? Fjalinë e të cilit mund ta përfundosh ti?
Kodi është magnet. Është e vështirë të largohesh nga e panjohura aq shumë e njohur. Kodi është ndjesia që e pret gjithë jetën. Sepse bota bie në qetësi, dhe akrepat e orës nuk ndjekin më njëri-tjetrin…por takohen, dhe për një minutë të vetme mbajnë të njëjtin drejtim. Kështu ndodh puthja e shpirtit – ajo është shumë më tepër sesa një puthje fizike dhe ndodh shumë më herët – vetëm atëherë kur shpirti takohet me shpirt.
Më thuaj, atëherë: kur e ke njohur ti kodin tënd? Kush e përkthen zemrën tënde? Kush i lexon asaj historitë më pasionante të dashurisë? Kush i rrëfen fjalët që tashmë i di, por dëshiron t’i dëgjojë?
Përmes shënimeve të mia, ti do të njihesh me kodin e shpirtit tim… Por nata është e gjatë, dhe në këtë takim sekret mes rreshtash, e di që edhe ti do të mendosh për atë… Dhe kur të përfundosh së lexuari, uroj ta kërkosh. Uroj të marrësh guximin t’i shkruash një mesazh… Asaj apo atij – një vdekatari krejt të zakonshëm për këtë botë kaq të madhe – që mban të gdhendur nën lëkurë fjalëkalimin e shpirtit tënd.