Albspirit

Media/News/Publishing

Net të Bardha nga Bujar Alimani sjell klasikët në teatrin tonë dhe fton të tjera projekte

Rafaela Prifti

Dy njerëz, të cilët jetojnë në botë të brendshme të ndryshme në të njëjtin qytet, të dhënë pas kërkimit të dashurisë papritur takojnë njëri-tjetrin dhe së bashku përjetojnë mundësitë reale dhe imagjinare të braktisjes së vetmisë së tyre me përfundime të ndryshme. E thënë thjesht do ishte “Djali takohet me vajzën, Vajza e braktis djalin, Vajza përfundon me djalin (tjetër) veçse nuk është aspak e thjeshtë. Net të Bardha është produksion skenik me katër akte nga regjisori Bujar Alimani që po shfaqet në Producers Club në Manhattan, Nju Jork në dy fundjava të mesit të majit. Është adaptim skenik i novelës me të njëjtin titull të shkrimtarit klasik rus të shekullit 19 Fjodor Dostojevski.  Duke ndjekur dy të panjohurit në ulje-zbritje emocionale prej skutave të mjera të vetmisë drejt majave të ndritura të lumturisë bëhesh pjesë e zbulimeve të imta psikologjike dhe përsiatjeve filozofike, të cilat pena e Dostojevskit dinte t’i thurte me aq mjeshtëri. Në skenë fuqinë e fjalës së shkruar e shpreh interpretimi i nuancuar dhe kompleks nga narratori dhe protagonisti ëndërrimtar (Herion Mustafaraj) dhe nga Ana (portretizuar me nivel nga Yllka Lota) protagonistja, e cila, pas një pritje njëvjeçare për atë që i ka rrëmbyer zemrën, është në prag të marrjes së një vendimi të rëndësishëm të natyrës romantike.

Për gjatë një ore në skenë dy protagonistët ndeshen me konfliktet e tyre të brendshme përmes një dialogu të ngjeshur dhe me plot ngjyrime gjuhësore, falë mjeshtërisë së regjizorit dhe përvojës së ekipit të tij në artin e dramës. Bujari mban mend ta ketë lexuar fillimisht novelën të përkthyer në fillim të viteve ‘90 në Shqipëri. Atëhere ai ishte student afër marrjes së diplomës për regji teatri në Tiranë në një kohë kur ndërthurja e melankolisë, shpresës dhe shembjes në botën reale i përngjante Netëve të Bardha të Dostojevskit. Vepra, e shkruar në 1848, është përshtatur për skenë dhe ekran në shumë gjuhë në mbarë botën. Në këtë adaptim për teatër, Alimani, regjizor i afirmuar i kinematografisë shqiptare, ka zgjedhur që, përveç rrëfimtarit pa emër, në stilin e Dostojevskit, të lërë si qytetin, ashtu edhe kohën e ngjarjes të papërcaktuar, sepse ngjarja fare lehtë mund të jetë në kohën e sotme në një qytet të madh si Nju Jork dhe ata të dy mund të jenë ai çifti i ulur në një stol diku në park. Vërtet qyteti dhe sfondi i netëve të bardha janë “personazhe” aktive në dramë gjë që ka sjellë zgjidhje shumë të gjetura skenike në ndriçim, zërim dhe efekte (Tan Kazazi, Ilir Dhamo) dhe veçanërisht në skenografi (Albulena Beqiri).  Korniza sa gjithë skena, e punuar me dru dhe butafori krijon konceptin e ndarjes së dy botëve, atë reale dhe imagjinare dhe “idenë se gjithçka po ndodh brenda një kornize,” thotë Albulena Beqiri, e cila është edhe kostumografe e produksionit. Ndarëset portative me panele kanvasi, ku janë vizatuar qyteti, plazhi, gjyshja e Anës, shtëpia ku jeton ajo me gjyshen, djali (qiraxhiu) me të cilin është dashuruar Ana, janë ideale për maksimalizim të mundësive që ka një skenë e vogël.  Mbyllja e dramës me zbulimin e portretit “të gjallë” të Anës, ku qëndron Yllka në sfondin e zi, teksa lexon, me zërin e incizuar, letrën që i ka shkruar ëndërrimtarit të saj, i kthyer tashmë në botën e tij të vetmisë, është sa praktike, aq edhe elegante.  “Këto të gjitha krijojnë një përvojë imersive për publikun që është e rrallë në skenë,” thotë manaxheri i produksionit Damian Pervizi, përpara se të hyjmë në sallë për të parë natën e katërt të shfaqjes.

Metafora e Netëve të Bardha si moment i përkohshëm kur errësira ndriçon mund të interpretohet nga publiku në varësi të bagazhit, kulturës apo edhe dëshirës së tyre. Por për një grup artistësh, midis tyre edhe Asistent Kostumografja e shfaqjes Dea Spiro Mustafaraj, që bisedonin pas shfaqjes së parafundit, ditën e shtunë, Net të Bardha mund të jenë preludi i mirëseardhur i klasikes në teatrin tonë. Ndërsa producenti dhe bashkëpronari i kompleksit teatror Producers Club Fredi Tolja këmbëngulte “në vlerësimin e munguar të sakrificave të artistëve, të cilët, të nisur vetëm nga pasioni i tyre fisnik, krijojnë art për publikun”, violinisti dhe muzikanti profesionist shqiptar Arenc Leka tha: “Atëherë le të mendojmë për një projekt rreth kësaj teme”. 

A do të ketë të tjera net të bardha për teatrin dhe a i mirëpret ato spektatori shqiptar?    

https://gazetadielli.com/net-te-bardha-nga-bujar-alimani-sjell-klasiket-ne-teatrin-tone-dhe-fton-te-tjera-projekte/ 

Please follow and like us: